RTV Pendimi
Kompania Ziel Bau
Samet Tours
Agjërimi

DHJETË DITËT E FUNDIT TË MUAJIT RAMAZAN

O muslimanë, keni frikë Allahun dhe dijeni se jeni në prag të dhjetëshit të begatshëm të fundit të muajit të Ramazanit. Këto ditë Allahu, azze ue xhel, këto ditë veçoi me vlera dhe shpërblime të mëdha dhe mirësi të shumta.

Prej veçorive të këtyre ditëve është se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, në këto ditë ishte më bujar në adhurime se sa në ditët e tjera.

Imam Muslimi në Sahihin e tij shënon se Aishja, radijallahu anha, ka thënë: Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ishte më bujar në adhurime në dhjetë ditët e fundit se sa në të tjerat.

Aishja, radijallahu anha, në një hadith tjetër na rrëfen se kur hynim në dhjetëshin e fundit Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, këto ditë, i shtonte punët e mira më shumë se në ditët e tjera”.

Po ashtu thoshte se: “Kur hynte dhjetëditëshi i fundit, Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, shtrëngonte izarin, falte namaz gjithë natën dhe për këtë zgjonte edhe pjesëtarët e familjes.”

Prej haditheve të lartpërmendura del në pah se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, në dhjetëshin e fundit iu përkushtonte adhurimeve dhe u largonte prej detyrimeve të tjera. Mejdani i adhurimeve të tij në këto ditë ishte i gjerë duke filluar prej namazit, leximit të Kur’anit, pendimit, istigfarit, lëmoshës e të tjerave.

Prej veçorive të këtyre ditëve po ashtu është edhe falja e namazit të natës dhe zgjatja e tij duke qëndruar më gjatë në ruku dhe sexhde. Është mirë që të zgjohet familja dhe fëmijët që të marrin pjesë së bashku me muslimanët në paraqitjen e këtij rituali dhe të marrin pjesë të gjithë në shpërblime dhe të edukohen në adhurime dhe në madhërimin e këtyre ceremonive fetare. Këtë çështje e neglizhojnë shumica e muslimanëve. I lejojnë që fëmijët e tyre të lozin nëpër rrugë dhe të edukohen prej rrugaçëve dhe nuk i marrin me vete në xhami. Rrinë deri natën vonë duke bërë muhabet dhe kur vjen koha për të falur namaz nate, flenë, duke u shpëtuar në këtë formë një sevap mjaft i madh, të cilin nuk mund ta gjejnë më gjatë atij viti. Nuk ka dyshim se ata i vë në lojë shejtani, i cili është betuar të largojë njerëzit nga bindja e Allahut. Allahu, azze ue xhel, i thotë shejtanit: “Sepse, ti ndaj robërve të Mi (të sinqertë) nuk ke kurrfarë force (as fizike e as mendore), përveç atyre të humburve që të vijnë nga pas”. (El-Hixhr: 42)

Disa thonë se namazi i natës është namaz vullnetar dhe mua më mjafton që të kujdesem vetëm se për farzin. Atyre u përgjigjemi se kujdesi jot për faljen e farzit është i mirëpritur dhe i kërkuar dhe ne e dimë se vetëm për atë do të japim llogari, mirëpo prej nga e di ti se namazet të cilat i fal i ke të plota apo të pranuara. Ne kemi nevojë për namaze vullnetare që t’i plotësojnë mangësitë e namazeve detyruese në Ditën e Kiametit.

Ebu Hurejra, radijallahu anhu, thotë: “E kam dëgjuar Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, duke thënë: “Gjëja e parë për të cilin do të jap llogari njeriu në Ditën e Gjykimit është namazi, andaj nëse namazin e ka në rregull, ka shpëtuar, e nëse namazin nuk e ka në rregull është shkatërruar. Nëse namazi i tij i është i mangët (jo i plotë), Allahu do të thotë: “Shikoni se mos ka robi im nafile, e plotësoni me nafile atë që e ka lënë mangët me farze. E pastaj do të jap llogari për veprat tjera”.

Allahu, azze ue xhel, çdo adhurimit detyrues ia shtoi edhe atë vullnetar vetëm që t’i bëj dobi robit të Tij. Namazin e bëri detyrues dhe ia shtoi atë vullnetar, agjërimin e bëri detyrues dhe ia shtoi atë vullnetar. Po ashtu haxhin e bëri detyrues dhe ia shtoi atë vullnetar dhe kështu me radhë. Edhe në rast se adhurimeve ua jep të gjitha të drejtat e tyre që i meritojnë, prapëseprapë je i urdhëruar ta pasosh Muhamedin, salallahu alejhi ue selem, ndërsa ai e falte namazin e natës vazhdimisht, e mos të pyesim për dhjetëshin e fundit.
Aisha, radijallahu anha, i tha një njeriut: “Mos e le namazin e natës, ngase i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selem, nuk e linte, e kur sëmurej ose bëhej dembel, falej ulur”.

O muslimanë!
Prej veçorive të këtyre ditëve është se në to kërkohet Nata e Kadrit për të cilën Allahu, azze ue xhel, thotë: “Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj”. (El-Kadr: 3)

Imam Nahaiju, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Vepra në këtë natë është më e mirë se vepra në një mijë muaj të tjera”.

Ndërsa një mijë muaj, o robër të Allahut, janë tetëdhjetë e tre vjet e katër muaj. Vepra e vepruar në rast se përputhet në Natën e Kadrit është më e mirë se vepra që veprohet në tetëdhjetë e tre vjet e katër muaj tjera.
Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Ai që fal namazin e natës Natën e Kadrit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë”.

Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, e kërkonte këtë natë me shpresë se do të përfitonte të mira prej kësaj nate dhe ai është shembull për këtë Umet. Është e pëlqyer që të kërkohet ajo natë gjatë dhjetë netëve të fundit të muajit. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit”.

Është më e mundshme të jetë njëra prej netëve me numër tek duke u bazuar në hadithin e Aishes, e cila ka thënë se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në netët tek të dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit”.

O agjërues!
Prej veçorive të këtyre ditëve të begatshme është edhe Itikafi.

Itikaf do të thotë: “Të qëndrosh në xhami për t’u veçuar në adhurimin e Allahut”.

Itikafi është prej adhurimeve të bazuara në Kur’an dhe në hadithe të sakta.

Aishja, radijallahu anha, transmeton se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, bënte Itikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit derisa ndërroi jetë. Më pas në xhami bënin Itikaf gratë e tij”.

Qëllimi i këtij adhurimi është që njeriu të qëndrojë në xhami që ta kërkon Natën e Kadrit dhe ta adhurojë Allahun me namaz dhe lexim të Kur’anit, me dhikër dhe dua dhe istigfar dhe nuk duhet të dal prej xhamisë vetëm se atëherë kur është e nevojshme.

Ngjallja e këtij adhurimi i cili është lënë pas dore në këtë kohë është më e mirë se Umreja. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, në këtë muaj nuk e ka bërë Umren, ndërsa Itikafin nuk e linte derisa e takoi Zotin e tij. I shohim njerëzit garojnë mes veti në bërjen e Umres, ndërsa Itikafi është më me vlerë.

Kush nuk mund të hyjë në Itikaf le të kujdeset për adhurimet e tjera detyruese dhe vullnetare, si shkuarja në xhami më herët dhe ndeja në të për lexim të Kur’anit dhe dhikër dhe adhurim: “Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer”. (El-Muzemil: 20)

O muslimanë, Allahu, azze ue xhel, thotë: “Ne e kemi zbritur (Kur’anin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” (El-Kadr: 1-5)

Shejh Dr. Salih El Feuzan

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Related posts

TË KAPURIT PËR ADHURIME PAS RAMAZANIT

Irfan Jahiu

GJENDJA E NJERËZVE PAS RAMAZANIT

Irfan Jahiu

SUNETET E DITËS SË FITËR BAJRAMIT

Irfan Jahiu

ZEQATI I FITRAVE

Irfan Jahiu

DASHURIA E ALLAHUT DHE TË DËRGUARIT TË TIJ, LAVDIA DHE PAQJA E ALLAHUT QOFSHIN MBI TË

Irfan Jahiu

VEPRA E MIRË

Irfan Jahiu

PENDIMI DHE MËSHIRA E GJERË E ALLAHUT

Irfan Jahiu

DOBITË DHE ETIKA E AGJËRIMIT

Irfan Jahiu

VEÇORITË E MUAJIT RAMAZAN

Irfan Jahiu