Toleranca fetare në Kosovë ka ekzistuar, falë shumicës muslimane shqiptare, dhe do të vazhdojë së ekzistuari

 

Raporti vjetor i Qeverisë Amerikane rreth Lirive Fetare paska konstatuar se në Kosovë ‘ka një rritje të gjuhës së urrejtëse’, konstatim ky rreth të cilit kam rezerva të mëdha, ngase realiteti në terren na flet krejtësisht ndryshe.

 

Në Kosovë ka pasur, ka dhe do të ketë liri dhe tolerancë të plotë fetare, si askund në botë, në radhë të parë duke iu falënderuar komunitetit musliman si shumicë dërmuese e këtij vendi dhe hoxhallarëve predikues, të cilët janë shumë të kujdesshëm që ta ruajnë dhe ta kultivojnë edhe më tej këtë tolerancën e trashëguar nga të parët e tyre. Kosova asnjëherë gjer më sot, jo vetëm që nuk ka njohur ndonjë konflikt, por madje as edhe incidentin më të vogël ndërfetar, në veçanti në mes shqiptarëve, të cilët kanë më shumë se një fe, dhe të cilët pa asnjë hezitim vizitojnë njëri-tjetrin dhe i urojnë njëri-tjetrit Bajram dhe Pashkë.

 

Në këtë raport çuditërisht është lakuar edhe emri im, duke u thirrur në disa raporte të medieve ani pse aty nuk ceket madje qoftë edhe një fjalë e vetme e imja për të argumentuar pretendimin se unë po nxitkam apo përhapkam urrejtje fetare, gjë që në realitet nuk qëndron. Në apostrofimin e cekur thuhet se unë:

 

Imami i xhamisë më të madhe të BIK, Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi akuzoi komunitetin katolik për urrejtje kundër muslimanëve, përshkroi gratë me gjuhë denigruese, dhe deklaroi votimin për parti të caktuara politike si “mëkat” në predikimet (hytbet) e shpërndara gjerësisht përmes internetit dhe paraqitjeve të ndryshme në media’.

 

Duke pasur në konsideratë se konstatimet e këtilla nuk qëndrojnë unë do të bëj përpjekje t’iu përgjigjem këtyre akuzave si vijon:

 

Së pari, dëshiroj të përmend disa fakte, jo për ta mbrojtur veten time, por për hir të së vërtetës dhe këtë e them me bindje të plotë se fillimisht feja jonë na e ndalon të përhapim gjuhë urrejtjeje. Ndaj ne përpiqemi maksimalisht që t’i përmbahemi normave fetare sipas Kur’anit dhe mësimeve profetike. Për sa kemi mundësi dhe sa dimë, asnjë qime nuk dalim jashtë rregullave të fesë sonë, e feja jonë është feja më tolerante, është feja që më së shumti pranon divergjenca dhe përhap paqe e tolerancë mes besimtarëve e njerëzve kudo në botë.

 

Në këtë kontekst ne kemi mbajtur shumë ligjërata, kemi publikuar dhe publikojmë shkrime të dokumentuara, të cilat flasin qartazi për këtë tolerancë fetare dhe thërrasin në tolerancë ndërfetare. Sa për ilustrim cekim temat “Toleranca në fenë islame”, “Ilustrime për Tolerancën Islame”, “Ç’thanë të tjerët për Tolerancën Islame”, që të tri të botuara në librin “Qëndrime në Kohë 1” fq. 16-23.

 

Së dyti, ne kemi interpretuar ajetin: “Nuk ka dhunë në fe” Bekare, 256, kur ndër tjerash kam potencuar: “Umeri, kalifi i muslimanëve, përkundër saktësisë dhe rreptësisë se tij, megjithatë njëherë takoi një plakë të krishtere dhe i tha: Oj plakë, bëhu muslimane, thuaj La ilahe il-lall-llah. Ajo iu përgjigj: E patë puna ime, jam plakur me këtë fe dhe dua të vdes me këtë fe. Umeri tha: “Nuk ka dhunë në fe”. Çka do të thotë se Umeri nuk mundi ta imponojë plakën ta pranojë Islamin, ngase nuk kishte të drejtë, ngase atëherë i bie dhunë dhe imponim në fe… Ky është një prej parimeve të muslimanëve dhe të fesë islame, nuk ka dhunë fe, mos ia impono fenë askujt…. Gjatë tërë jetës së Pejgamberit alejhi selam kurrë nuk ka argument që dikujt iu imponua Islami, gjithashtu kalifët të cilët kanë ardhur pas tij….

 

Po ashtu kemi interpretuar ajetin kuranor 40 të sures Haxhxh, ku thuhet “…E sikur Allahu të mos i zmbrapste disa me disa të tjerë, do të rrënoheshin manastiret, kishat, sinagogat e edhe xhamitë që në to përmendet shumë emri i Allahut. E Allahu patjetër do ta ndihmojë atë që ndihmon rrugën e Tij, se Allahu është shumë i fuqishëm dhe gjithnjë triumfues.” (Haxhxh, 40) ku mes tjerash kam cituar: “Lejimi i luftës, xhihadit, për t’i mbrojtur faltoret e ndryshme të feve të ndryshme, jep për të kuptuar tolerancën e madhe që ka Islami ndaj feve tjera dhe mundësinë që ua jep për ta praktikuar secili fenë e vet. Këtë tolerancë, jam i bindur se, nuk e kemi gjetur asnjëherë tek fetë tjera.

 

Gjithashtu, mbrojtja e faltoreve të tjera, pos xhamive, jep për të kuptuar se myslimanët, në Kosovë në veçanti, nuk janë fanatikë të atij niveli sa të mendojmë se kjo tokë na takon vetëm neve dhe se nuk ka vend për fetë dhe ideologjitë tjera. Por, natyrisht se kemi të drejtë të mendojmë e të thërrasim se kjo çfarë u ofrojmë njerëzve është e vërteta dhe se pikëpamjet e tjera religjioze mund të jenë të gabuara, gjithmonë duke argumentuar thirrjet tona dhe duke ruajtur kulturën e tolerancës, ngase ne besojmë se kemi obligim t’i thërrasim të tjerët në këtë Islam dhe t’ua sqarojmë të gjithë të interesuarve madhështinë e kësaj feje. Por kjo nuk do të thotë që ne thërrasim, apo kemi thirrur ndonjëherë, për t’i urryer të tjerët, për t’ua rrënuar faltoret e tyre apo për t’i penguar ata që ta adhurojnë Zotin në formën që zgjedhin vet, pasi që islami nuk pranon dhunë e as detyrim në fe. Këto dhe shumë ligjërata e shkrime tjera të mia mund t’i gjeni në internet, e jo vetëm ato të pretenduarat.

 

Për më tepër, jam imami i parë në Kosovë që kam dalë haptazi kundër ngjarjeve të Marsit 2004, jam deklaruar kundër djegies së Kishave Ortodokse dhe plaçkitjes së pasurisë së tyre. Por këto qëndrime të mia parimore fetare, nuk i interpretojnë e as që do të mund t’i dëgjosh ndonjëherë në mediet kosovare?!

 

Se treti, u mundova të hulumtoj dhe të gjej se ku është bazuar dhe nga i ka referencat ky raport i Qeverisë Amerikane, por përkundër interesimit referenca të tilla nuk gjeta përveç cekjes shkarazi të disa raporteve të medieve (media reports). Andaj mendoj se problemi qëndron pikërisht në atë se disa medie dhe portale tona, të njëanshme e jo objektive, për të mbuluar dështimet e tyre apo duke qenë në shërbim të klaneve e padronëve të caktuar, bëjnë përpjekje që me çdo kusht ta shndërrojnë Kosovën në një shoqëri sekulare ekstreme, e cila nuk njeh tjetër pos ateizmit dhe anti-fetarisë madje në nivelin më ekstrem të mundur.

 

Ndaj, në pamundësi për të ndalë hovin e rritjes së numrit të muslimanëve në Kosovë, në veçanti të të rinjve, këto medie nuk ngurrojnë të shpikin akuza të njëpasnjëshme, shpifje dhe gënjeshtra, kundër bartësve të fjalës “La ilahe il-lall-llah”. Disa nga mediet tona i ekzagjerojnë gjërat, shtojnë dhe trillojnë, pa dhënë as llogarinë më të vogël dhe pa pasur druajtje për ndonjë përgjegjësi të mundshme. Pra, realiteti në terren nuk është siç ka përshkruar raporti, apo thënë më mirë ‘informatorët e kafeneve’ por realiteti ka qenë, është dhe shpresojmë te Zoti se do të mbetet ndryshe. Ne si komunitet musliman, shumicë, do të vazhdojmë ta ruajmë tolerancën dhe divergjencën e krijuar në këtë vend, jo se ia kemi frikën apo hatrin dikujt, por ngase feja jonë është e tillë, ajo na urdhëron, na mëson dhe na obligon për një qëndrim të tillë.

 

Gjithashtu konsideroj se sa i përket asaj që është nënvizuar në raport si “gjuhë e urrejtjes”, duhet të kihet parasysh mentaliteti, niveli i vetëdijes dhe kultura e shprehjes së një populli. Unë gjithmonë jam munduar dhe mundohem të jem në vijë dhe respekt me mentalitetin e popullit tim. Sa e sa komentet inkurajuese i kam marrë dhe i marrë nga populli, komuniteti e besimtarët për çdo dite në facebook dhe rrjetet tjera sociale. Andaj unë nuk bart përgjegjësi për keqkuptimet e të tjerëve që kanë mundur t’i fitojnë nga përkthimet e paautorizuara, apo interpretimet me qëllime të caktuara, që janë mundur t’u bëhen ligjëratave të mia. Unë i flas popullit tim, me gjuhën e popullit tim dhe me gjuhën dhe artikulimin e thjeshtë që i kupton masa e thjeshtë. Ata asnjëherë nuk me kanë këshilluar e as tërhequr vërejtjen për ndonjë keqkuptim apo urrejtje, andaj vetëm ndaj popullit tim mbaj përgjegjësi e askujt tjetër. Madje në Kosovë nuk ka ndonjë ligj apo udhëzim të caktuar që definon gjuhën e urrejtjes, andaj unë as nuk kam kohë e as nuk dua t’u përgjigjem tekeve të disa gazetarëve të ndryshëm, ateistë e antifetarë, që gjuhën e urrejtjes e kanë bërë mjet për të realizuar qëllimet e tyre apo padronëve të tyre. Nuk u përgjigjem e as nuk u jap përgjegjësi të tillëve sepse nuk është ky misioni im.

 

Sa i përket asaj se unë “po e akuzuakam komunitetin katolik për urrejtje kundër muslimanëve” them me bindje se nuk kam folur asnjëherë kundër katolikëve, por kam potencuar apo parafrazuar atë që kanë deklaruar vet ata kundër muslimanëve, qoftë si individë apo ipeshkvi, siç është rasti i priftit, Anton Kçira, i cili publikisht shprehu keqardhje për mosprerjen dhe grirjen e 1 milion e 900 mijë muslimanëve shqiptarë nga pushteti i Millosheviqit, sikur patë bërë më parë me ‘qentë’ boshnjakë, sipas fjalorit të tij. Pastaj deklaratën e tyre kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe në qendër të Prishtinës, deklaratën e tyre kundër futjes së lëndës fetare nëpër shkolla publike, etj. Pra këto ishin citim i deklaratave të tyre asgjë më shumë.

 

Lidhur me atë se “po i përshkruakam gratë me gjuhë denigruese”, as kjo nuk është e vërtetë fare. Përkundrazi unë mbroj të drejtat e grave dhe liritë e tyre më shumë se çdo hoxhë tjetër. Për këtë më kanë akuzuar shumë meshkuj fanatikë, por në anën tjetër kam shumë komplimente nga gra të ndryshme. E nëse me gjuhë denigruese nënkuptohen përpjekjet e mia për t’ua ruajtur moralin dhe nderin motrave tona, për t’i edukuar ato, për t’ua ruajtur atyre identitetin fetar dhe kombëtar, atëherë po, kjo është e vërtetë dhe do të vazhdoj ta ndjek një rrugë dhe misionin të tillë edhe më tej, por kjo as nga këndvështrimi im e as nga këndvështrimi i muslimaneve të Kosovës nuk është gjuhë denigruese. Kërkesa për ta ruajtur moralin e pastër fetar dhe njerëzor është kërkesë e ligjshme e çdo feje e çdo shoqërie të pastër njerëzore, kudo në botën e qytetëruar.

 

Lidhur me deklaratën se “votimi për parti të caktuara politike është një “mëkat”, sqaroj se unë, ashtu sikur çdo votues tjetër kam të drejtë të votoj atë që preferoj, dhe konform normave të demokracisë kam të drejtë ta mbroj të drejtën time.

 

Por a thua vallë gjuha e urrejtjes qenka fenomen ekskluziv vetëm për hoxhallarët. Pse raporti p.sh. nuk përmendi gjuhën e urrejtjes se të tjerëve ndaj muslimanëve, e në veçanti hoxhallarëve. Nëse analizojmë shkrimet dhe përshkrimet e disa portaleve dhe gazetave për mua dhe hoxhallarët tjerë, atëherë, do të shihet qartë se kush çfarë gjuhe është duke përdorur.

 

Unë, përveç imam dhe ligjërues i fesë sime, jam edhe një qytetar i thjeshtë i këtij vendi, i kësaj shoqërie, dhe natyrisht me plot përgjegjësi shpreh mendimin tim se kë duhet apo nuk duhet votuar. Dikush mbase ka harruar se çfarë fjalësh përdorin liderët politikë kundër kundërshtarëve të tyre gjatë zgjedhjeve. Nuk konsideroj se është logjike, në Kosovë e as në Amerikë që njeriu të votojë për një parti, e cila është kundër kombit, kundër fesë dhe kundër vlerave të popullit të vet, cilado parti qoftë ajo. Zoti na drejtoftë të gjithëve dhe na ruajttë nga çdo e ligë. Amin!

Dr. Shefqet Krasniqi