Nga: Laureta Berisha Kosumi Farmaciste
Tani gjatë orarit tim të punës më erdhi një recetë e cila për mendimin tim si farmaciste është total absurde, një recetë me barna në të cilën kishte: antibiotik 4gram në ditë (pa ndonjë antibiogram përkatës), një produkt për imunitet, dy sekretolitik, 2 broncodilatator, prapë edhe një tjetër për imunitet dhe receta në total kushtonte 170.6!
Pacienti i shokuar po aq sa unë më tha” Më fal, më duhet të gjej të hollat që ti marr këto barna, sigurisht paskam një sëmundje të rëndë”
Teksa e ngushëllova dhe i kërkova të merrte mendimin e një pulmologu tjetër, ndjeva keqardhje të madhe ndaj pacientit i cili tani u sëmur me të vërtetë nga çmimi i terapisë!
Mjekë të nderuar, ju lutem ndjejeni pacientin ashtu siq e ndjeni veten tuaj, familjarin tuaj, ju lutem jeni të arsyeshëm në atë që shkruani, të paktën shkruani me emra gjenerik e mos kushtëzoni pacientin për mos ndërrim të barnave, mos shkruani “shabllone” të terapive që na vijnë të njejta nga klinikat e njejta, dedikuar pacientëve të ndryshëm.
Kolegë farmacistë, e di që është e kotë të flasim se pse e kemi marrë epitetin “shitës” epitet të cilin e merituam kur u bëm pre e blerjes së recetës së mjekut, kur u bëm pre e dhënies pa kriter të barnave, kur u bëm pre e shitjes së barit pa shpjegimin e duhur të tij, kur u bëm pre e shitjes së profesionit tonë, kur u bëm pronarë të barnatoreve dhe kërkuam nga punonjësit të shesin vetëm të shesin sa më shumë barna…
Ku mbeti tërë ai shkollim, ku mbetën tërë ato provime të përfunduara, ku mbetën tërë ato ëndrra që kishim…
Jemi apo jo dera e fundit e gabimit…
Andaj ju lutem, nëse duam të ndërrojmë gjendjen e shëndetësisë në tërësi, të ndërrojmë së pari gjendjen tonë, veten tonë; ta shohim profesion tonë ashtu si mantelët tonë të bardhë, me etikë, me dashuri dhe mbi të gjitha me përgjegjësi e jo vetëm me materializëm. /Familjadheshendeti.com/