Kush i blen lotët e syve të tu?!

Farkad es Sebhij thotë: “Kemi mësuar se gjitha veprat peshohen, përveç lotëve që dalin nga sytë e robit nga frika e Allahut. Për të nuk ka peshore e as matëse, ngase me një pikë loti shuhen zjarre.”

A e ke parë madhështinë e lotit që ti derdh kur je duke përmendur Allahun apo duke e lutur Atë në errësirën e natës?

Shko në treg dhe ekspozoji lotët e syve të tu. A mos vallë dikush i blen ata? Këta lot që Ditën e Kiametit shuajnë zjarre, për njerëzit nuk kanë vlerë, por tek Allahu kanë shumë vlerë.

 

A nuk ka thënë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem: “Dy sy nuk i godet zjarri (Ditën e Gjykimit): syrin që ka qarë nga frika e Allahut dhe syrin që ka ruajtur për hir të Allahut.” A ke qarë ndonjë ditë për Krijuesin tënd? A ke qarë se je përmalluar për Të? A ke qarë për Të duke e falënderuar për dhuntitë që të ka dhuruar? A ke qarë ndonjëherë nga frika e Tij? A ke qarë ndonjëherë për hir të Tij?

I nderuar vëlla! Nëse nuk ke e bërë deri tani, vërtet ke humbur një kënaqësi të madhe, që nuk ka të krahasuar. At’a es Sulemij qante shumë. Një herë e kanë pyetur: “Pse qan kaq shumë?” Ai u përgjigj: “Si të mos qaj? Vdekjen e kam mbi supe, varri është vendbanimi im, Dita e Kiametit është qëndrimi im dhe engjëjt do të thonë ose për xhenet ose për xhehenem.”

Kur të ngushtohen rrugët dhe mendon se nuk je në rrugë të drejtë, mbaj mend se Allahu të shikon, Ai dëshiron të ta pranojë pendimin, t’i fal mëkatet e tua, edhe nëse kanë arritur kupën e qiellit. Allahu i Madhëruar thotë: “E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet…”

Zgjodhi dhe përshtati: Rashit Zylfiu