Gjermania ofron 72.1 milionë euro për të sjellë Kosovën më afër BE-së

Në Ministrinë e Financave sot janë përmbyllur negociatat qeveritare mes Kosovës dhe Gjermanisë për periudhën 2020-2021, ku Qeveria Gjermane ofroi një shumë prej 72.1 milionë euro për bashkëpunimin zhvillimor bilateral, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç është bërë e ditur nga një njoftim i Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, nga 72.1 milionë euro, 12.2 milionë euro janë për asistencë teknike dhe 59.9 milionë janë për asistencë financiare.

“Në dy vitet e ardhshme, Gjermania do të fokusojë këto investime në mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, procesin e reformave të integrimit evropian dhe në investime në energji e efiçiencë të energjisë”, thuhet në njoftim.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, vlerësoi lartë bashkëpunimin e vazhdueshëm Kosovë-Gjermani për 22 vitet e fundit si dhe mirëpriti zotimet e reja të Qeverisë së Gjermanisë për Kosovën mbi bashkëpunimin zhvillimor.

Ajo theksoi se Qeveria e Kosovës është duke punuar në drejtim të transformimit të ekonomisë dhe ndërtim të institucioneve në linjë me kërkesat e Bashkimit Evropian (BE).

“Mbështetja e Qeverisë Gjermane përmes projekteve kyçe infrastrukturore ka ndikim tejet të madh në përmirësimin e kualitetit të jetës për qytetarët e vendit tonë dhe në emër të Qeverisë zotohem që do të vazhdojmë t’i trajtojmë të gjitha me prioritet dhe t’i përmbahemi obligimeve që rrjedhin nga ato projekte”, tha Bajrami.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde tha se Gjermania është donatori më i madh bilateral dhe investitori i huaj më i madh në Kosovë, ndërsa kjo mbështetje, siç tha ai, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj të reformave që e bëjnë atë të përshtatshme për një të ardhme në Bashkimin Evropian. Do të vazhdojmë të investojmë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Kosovë, ku fokusohemi në mbështetjen e arsimit profesional dhe zhvillimit të bizneseve”, tha Rohde.

Në 2021 dhe 2022, bashkëpunimi zhvillimor me Gjermaninë do të fokusohet në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik; mbështetjen për procesin e reformave të integrimit evropian dhe kontributin drejt përmirësimit të shërbimeve për qytetarët e Kosovës si dhe modernizimin e sektorit të energjisë.

Nga viti 1999 deri më tash, sipas njoftimit, Qeveria Gjermane ka investuar më shumë se 660 milionë euro në zhvillimin e Kosovës.