Femra, të drejtat e saj dhe aktualiteti

Femra dhe të drejtat e saj është një ndër tematikat më të shtjelluara bashkëkohore, jo vetëm në Kosovë, por gjithandej botës. Kjo për shkak të bujës së madhe që po bëhet në mediume të ndryshme duke e trajtuar këtë tematikë nga këndvështrime e perspektiva të shumta.

Në fakt, ne kemi ngritur zërin vazhdimisht në mbrojtje të të drejtave të femrave pa dallim, ngase mesa duket të drejtat e femrës kanë marrë vetëm një kahje-atë të ‘emancipimit dhe lirisë’ deri në zhveshje e lakuriqësi. Ndërsa nga ana tjetër nëse femra me vullnetin e vet vendosë që të mbulohet dhe të ruajë nderin e saj, bota bashkëkohore fut ‘veshët në lesh’ dhe nuk trumbeton për të drejtat e saj thuajse se ato nuk ekzistojnë, apo se një femër e këtillë nuk është më femër dhe nuk meriton të drejta.

Mohimi i të drejtës së arsimimit të vajzave tona me shami është vetëm një ilustrim tipik i këtij animi diskriminues bashkëkohor. Imagjino, lexues(e) i/e nderuar, me çka na ilustrohen të drejtat e femrës, pra me ‘të drejtat e tyre’ për t’u djallëzuar dhe puthur njëra-tjetrën në publik. Pra kjo është ‘e drejtë e femrës’ e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare, përfshirë edhe Konventën mbi Eliminimin e çdo Diskriminimi Kundër Femrave (Convention on the Elimination of Discrimination against Women-CEDAW), siç na trumbetojnë disa. Kurse në realitet ata/ato po harrojnë se nuk ka diskriminim dhe poshtërim më të madh e më të mjerë sesa ta nxjerrësh femrën nga natyra e saj si femër/grua.

Së këndejmi, kur janë në pyetje të drejtat e shprehjes së bindjes dhe besimit të lirë, të cilat po ashtu janë të garantuara me konventat ndërkombëtare, përfshirë edhe të sipërpërmendurat, por edhe Kushtetutën e vendit tonë, qarqet tona qeveritare dhe jo-qeveritare heshtin thuajse nuk ka ndodhur asgjë. Ndaj ne, si gjithherë, po ngrejmë zërin kundër mosrespektimit dhe diskriminimit që i bëhet femrës, qoftë si nxënëse, qoftë si grua profesioniste apo qoftë edhe si nënë e arsimuar. Pothuajse në çdo emision timin javor në TV trajtoj probleme të kësaj natyre. E kam pjesë të fesë që të drejtën ta shpjegoj si të drejtë pavarësisht se për kë bëhet fjala. Pejgamberi Muhamed [bekimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi të] na ka urdhëruar:

“Jepja secilit(ës) atë që i takon!” (Koleksioni i Buhariut, hadithi nr. 6139)

Prandaj, në kuadër të angazhimit tim për promovimin e të drejtave të femrës e shoh si obligim ta ngre zërin edhe kundër promovimit jo-etik që po bëhet kohëve të fundit në emër të të drejtave të femrës.

8 Marsi për herë të parë u shënua që nga viti 1908 në ShBA, respektivisht në Evropë si ditë ndërkombëtare më 8 Mars 1914. Me protesta nëpër rrugë të Evropës përfshirë Austrinë, Danimarkën, Gjermaninë, Francën, Zvicrën e vende të tjera, femrat kërkonin të drejtat e tyre për të votuar dhe për të mbajtur poste publike, të cilat nuk i realizuan në shumë prej këtyre vendeve deri pas Luftës së Parë botërore. (Temma Kaplan, “On the Socialist Origins of International Women’s Day”, Feminist Studies, 11/1 (Spring, 1985). Ato gjithashtu protestonin kundër diskriminimit në punësim mbi baza gjinore. Andaj nuk ka dyshim se kohëve të fundit, si çdo gjë tjetër, edhe 8 Marsi është komercializuar dhe degjeneruar. Kjo ‘festë’ tashmë po manifestohet me pisllëqe, mëkate dhe çnjerëzim të femrës si lloj apo gjini. Femra tashmë është bërë vegël për të manipuluar emocionet e meshkujve, për të nxitur blerje të panevojshme, madje edhe për të marrë vendime ad-hoc, të pamatura dhe të paarsyeshme në sektorë të ndryshëm qoftë shtetëror apo publik.

Sikur femrat e para dhe pas Luftës së Parë Botërore të shihnin këtë marifet të 8 Marsit sot, padyshim se do të ngriteshin në protesta për të kundërshtuar një diskriminim, fyerje dhe poshtërim të këtillë që po i bëhet femrës madje e tërë kjo në emër të të drejtave të saj. 8 Marsi në fillim ishte dizajnuar për të mbrojtur dinjitetin e femrës dhe jo për ta poshtëruar atë.  Nuk mendoj se në ndonjë vend tjetër në botë 8 Marsi është bërë festë e shthurjes sikur që po promovohet në vendin tonë. Unë nuk pashë as edhe një aktivitet të vetëm, qoftë edhe simbolik, që u ndërmor këtë ditë për të ngritur dhe mbrojtur dinjitetin e femrës:

Nuk pashë se u vizituan gratë e dhunuara?

Nuk pashë ndonjë protestë të grave për miratimin e ligjit për femrat e dhunuara?

Nuk pashë asnjë vizitë ndaj nënave që tash e 15 vite nuk dinë asgjë për më të dashurit e tyre të zhdukur?

Apo mos vallë 8 Marsi ka të bëjë vetëm me të shfrenuarat dhe se kjo kategori e femrave natyrisht nuk futet aty?!

Do të dëshiroja që për hir të lexuesve të drejtat e femrës t’i shtjellojë përmes tri prizmave si në vijim:

Femra si vajzë

Femra muslimane pothuajse gjithherë paraqitet si e shtypur dhe e diskriminuar nga feja të së cilës i përket. Islami po ashtu identifikohet me dhunën edhe pse nuk ka asgjë të përbashkët me të. Kur dhuna ndaj femrës ushtrohet në vendet me demokraci të zhvilluar këto akte identifikohen vetëm si akte dhune dhe për këtë nuk i hidhet faji demokracisë. Ndërsa kur e njëjta gjë ndodh ne vendet apo mjediset muslimane, në bankën e të akuzuarve hidhet Islami si fe dhe aktet e dhunës i përshkruhen atij e jo personave që ushtruan dhunë. Ndaj deri kur me standarde të dyfishta, madje pavarësisht medieve të njëanshme statistikat e ndryshme pohojnë se dhuna ndaj femrave është më e shprehur në vendet e zhvilluara dhe të industrializuara përkundër programeve mbrojtëse dhe të vetëdijesimit. Nëse shikojmë burimin kryesor të Islamit, Kur’anin famëlartë, shohim se ai na tregon se sjelljet e vrazhda, dhuna, arroganca, mbytja e femrës janë pjesë e një etape, e cila ka ngelë e harruar përgjithmonë në koshin e plehrave të historisë.

Kur’ani përshkruan si të neveritshme gjendjen e mjeruar që ishin arabët para Islamit duke potencuar “Dhe kur ndonjëri prej tyre përgëzohej për lindjen e vajzës, i nxihej fytyra dhe mbushej plot mllef…” (Nahl, 58). Andaj Islami e transformoi këtë gjendje brenda 23 vitesh përderisa Muhamedi (alejhi selam) ishte gjallë. Ai i mësoi njerëzit se përkujdesja dhe edukimi i femrave ishte një mundësi/derë e mirë për të shkuar drejt Xhenetit. Ndaj mu për këtë Muhamedi (alejhi selam) tha: “Ai që ka tri vajza, i edukon ato, është i mëshirshëm dhe kujdeset ndaj tyre, e ka të garantuar Xhenetin e përhershëm”. Shokët i thanë: “O i Dërguari i Allahut, e nëse i ka dy vajza?” Tha: “Edhe nëse i ka dy”.

Femra si grua

Islami i ka garantuar të drejta të plota gruas, madje në krahasim me civilizimet tjera, gratë në Islam posedojnë më shumë. Ato gëzojnë të drejtën e përkujdesjes, pronësisë dhe të trashëgimisë nga familja por edhe nga burri, dhe se prej tyre nuk kërkohet të punojnë për të gëzuar këto të drejta. Puna për të fituar kafshatën e gojës dhe për t’u përkujdesur për fëmijët është obligim ekskluziv vetëm i burrit. Gruaja kujdeset për mbikëqyrjen, edukimin dhe akomodimin emocional të tyre. Kjo absolutisht nuk nënkupton se gruaja nuk mund të punojë, natyrisht nëse ka aftësi, profesion dhe kohë të lirë, por kjo do të thotë se ajo nuk është e obliguar, pra puna e saj jashtë shtëpisë bëhet në baza të vullnetit të lirë. Ajo e ka të drejtën e garantuar të përzgjedhë apo refuzojë bashkëshortin, të kërkojë dhuratën e martesës (prikën), të posedojë pronë, t’i sigurohet banimi, ushqimi dhe veshmbathja nga bashkëshorti, të trajtohet njerëzishëm dhe pa arrogancë, etj. Pra në rast se një nga këto të drejta shkelen ose i mungojnë ajo mund të ankohet qoftë te familja por edhe në gjykatë, dhe më pas gjykata (islame natyrisht) vendosë shkallën e shkeljes së të drejtave që mund të çojnë drejt ndarjes apo shkurorëzimit.

Femra si nënë

Respektimi i nënës është obligimi i dytë fetar që kërkohet menjëherë pas adhurimit ndaj Allahut. Shkelja e kësaj të drejte paraqet një ndër mëkatet më të mëdha në fenë tonë. Respekti ndaj nënës duhet të jetë i vazhdueshëm derisa ajo të jetë në këtë jetë, e jo një herë në vit apo në Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Një njeri e pyeti të Dërguarin e Allahut ”Cili është njeriu që i meriton më shumë mirësjelljen dhe përkujdesjen time?” Muhamedi (alejhi selam) iu përgjigj: “Nëna jote.” Njeriu e pyeti: “Pastaj kush?” Muhamedi (alejhi selam) iu përgjigj: “Pastaj nëna jote.” Njeriu e pyeti përsëri: “Po pastaj? Ai iu përgjigj: “Pastaj nëna jote.” Ai e pyeti: “Po pas saj, kush?” Muhamedi (alejhi selam) i tha: “Babai yt.” (Buhariu, 5971).

Andaj fisnikëria më e madhe për një femër është roli i saj në zhvillimin dhe edukimin e brezave, pra që ajo të bëhet nënë. A thua vallë ka fjalë më të shtrenjtë së fjala NËNË në këtë botë? A thua mund të bëhen femrat nëna duke përqafuar njëra-tjetrën dhe duke shkaktuar provokim emocionesh në publik.

Eh sa me mallëngjim po kujtoj rastin e një vajze dhjetë vjeçare amerikane në gjykatë kur dëshmoi kundër paradës së të shthururve dhe të pamoralshmeve duke thënë: “Mua nuk më mjaftojnë dy baba pa nënë dhe nuk me duhen dy nëna pa baba”. Për mua si vajzë babai është shumë me rëndësi pasi që kujdeset për mua dhe më mëson shumë gjëra të rëndësishme që i ka jeta, por i dashuri prokuror nëse nuk e kam nënën kush do të më mësojë mua si të bëhem nënë në të ardhmen time. Trupi gjykues e përfundoi seancën në favor të vajzës të mbytur me lot nga ndërgjegjja e pastër e një dhjetëvjeçareje që vuante shumë pse në shkollë dhe në rrugë po promovoheshin veti të shëmtuara të të prishurve moralisht të cilat po quhen vlera dhe të drejta.

Sa i madh je Ti o Zot dhe sa brendi të mirë na ke dhënë, sa natyrë të pafajshme posedojnë fëmijët e që të rriturit nuk i kuptojnë. Udhëzoje popullin tim se vërtet nuk po kuptojnë, mbroji dhe ruaji gjeneratat e reja nga manipuluesit-mendjelehtë që shkatërrojnë brezat e ardhshëm si rezultat i paditurisë që kanë. Deri në javën tjetër Esselamu alejkum-Paqja qoftë me ju!