RTV Pendimi
Tribuna per Jetimat
Meso Kuranin
Kompania Ziel Bau
Auto Lider
Ilaçe për zemrën / Rukja Mirësjellja - Edukata fetare

TETË CILËSITË TE ÇDO NJERI… A I NJEH ATO?

Diskutues (kundërshtues), i dobët (i pafuqishëm), koprrac, frikacak (i paqëndrueshëm), i ngutur, punonjës (i zellshëm, përpiqet shumë me mund), mohues, tiran! Shpesh i hasim këto cilësi te njerëzit, mirëpo në fakt, çfarë janë këto cilësi?! Pse Allahu e përshkroi njeriun me këto cilësi?! Ato, a janë prezente te të gjithë njerëzit?!

Para se t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, do ta qartësojmë kuptimin e çdo cilësie.

Cilësia e parë: Allahu thotë: “Por njeriu kundërshton më tepër se çdo krijesë Tjetër.” (El-Kehf: 54)

Njeriu, pra, është krijesa që më së shumti kundërshton dhe diskuton, ngase Allahu e furnizoi atë me aftësi të shumta mendore. Ai mashtron, tradhton, bën kurthe dhe, edhe përskaj kundërshtimeve të shumta, prapë mund ta edukojë shpirtin që të kapet për të vërtetën dhe drejtësinë, nëse atë e do!

Cilësia e dytë: Allahu thotë: “Njeriu është krijuar si një qenie e pafuqishme.” (En-Nisa: 28)

Pra, njeriu është i dobët dhe i pafuqishëm, edhe pse ai shfaq art e mjeshtëri në paraqitjen e fuqisë. Një ferrë e vogël e bën që të rrokulliset tërë natën në shtratin e tij, një gjilpërë mund t’i shkaktojë vdekje, një shikim i ëmbël mund t’ia rrëmbejë zemrën e ta robërojë dhe mendimin t’ia bllokojë, e epshi ta nënçmojë, e kur bëhet i uritur acarohet, kur e godet e keqja ankohet dhe ulërin, kur pakësohet ushqimi i tij dobësohen lëvizjet e tij dhe i ndalet të menduarit e tij.

Cilësia e tretë: Allahu thotë: “Por vërtet që njeriu shkel çdo cak.” (El-Alak: 6)

Njeriu anon kah tirania dhe padrejtësia, e me të nënkuptojmë tejkalimin e të vërtetës dhe të drejtësisë. Njeriu anon kah tirania kur i shtohet pasuria, i shtohet fuqia, i shtohen ithtarët apo e merr ndonjë pozitë të lartë. Njeriu këtë sëmundje e largon me të lidhurit e tij të fortë me Zotin e vet, me qëllim që burimin e krenarisë dhe fuqisë ta marrë nga Ai.

Cilësia e katërt: Allahu thotë: “Thuaj: “Sikur ju të zotëronit thesaret e mëshirës së Zotit tim, edhe atëherë ju do të rrudhnit dorën nga droja, se do të shpenzoheni. Njëmend, njeriu rëndom është koprrac.” (El-Isra: 100)

Pra, esenca te njeriu është koprracia, dhe për këtë arsye njeriu e pëlqen të tubojë më shumë sesa të shpenzojë, pasuria e grumbulluar i mjafton për njëqind vjet dhe prapë bëhet koprrac për veten, familjen dhe rrethin.

Cilësia e pestë: Allahu thotë: “Vërtet që njeriu është krijuar i paqëndrueshëm: kur atë e godet e keqja, ai ligështohet fort, por, kur i bie e mira, ai bëhet koprrac.” (El-Mearixh: 19-21)

Njeri i paqëndrueshëm është ai që frikohet kur e godet e keqja, kurse kur i bie e mira bëhet koprrac (dorështrënguar), dhe kjo, për shkak të dashurisë së tij për vetveten dhe dashurisë së asaj që e kënaq atë. Kur e ndien se atë që e do i kërcënohet rreziku apo se do t’i humbë, e godet frika dhe çrregullohet e mërzitet.

Kurani na e qartësoi se si t’i tejkalojmë ato situata frike gjatë periudhës kur sprovohesh me të keqe dhe si të mos bëhemi koprracë kur na vijnë të mirat, dhe ai që përshkruhet me to, do të mundet t’i tejkalojë ato cilësi të liga, e ato janë: “Përjashtim bëjnë ata që falen, e që janë të vazhdueshëm në faljet e tyre; e që caktojnë një pjesë të pasurisë së tyre për lypësin dhe për nevojtarin; e që besojnë në Ditën e Llogarisë (Gjykimit); e që frikësohen nga dënimi i Zotit të tyre, -vërtet që askush nuk është i sigurt prej dënimit të Zotit të vet -; e që e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse ndaj bashkëshorteve dhe skllaveve të veta – në këtë rast nuk meritojnë qortim, por kush kërkon jashtë këtyre caqeve, pikërisht ata janë shkelësit -; e që i ruajnë amanetet dhe i plotësojnë besëlidhjet e tyre; e që gjithnjë dëshmojnë drejt; e që i falin namazet rregullisht. Pikërisht ata do të jenë të nderuar në kopshtet e Xhenetit.” (El-Mearixh: 22-35)

Cilësia e gjashtë: Allahu thotë: “vërtet që njeriu është i ngutur.” (El-Isra: 11)

Baza te njeriu është se ngutet dhe e pëlqen që gjërat të kryhen shpejt para se të përfundojnë. Madje nga cilësia e të nguturit e tepërt, ai ngutet edhe në gjëra që e dëmtojnë, për shkak të mosdurimit që të kryhen deri në fund. Për këtë arsye preferohet që kur merresh me ndonjë profesion apo kërkon diçka nga Allahu të thuash: “O Zot, nëse kjo punë është e mirë për fenë time, jetën time dhe ahiretin tim, ma lehtëso, e nëse është e dëmshme për mua, atëherë largoje nga unë”.

Cilësia e shtatë: Allahu thotë: “atëherë ti, o njeri, që përpiqesh shumë, mundin tënd do ta gjesh te Zoti yt.” (El-Inshikak: 6)

Pra, njeriu është që përpiqet shumë dhe punon me mund. Jeta e njeriut është e tëra me lodhje dhe vështirësi, edhe nëse është milioner, dhe e shfrytëzon pasurinë e tij për ta shërbyer dhe për t’u rehatuar, prapëseprapë do të ndiejë lodhje. Dynjaja e tëra është lodhje, ashtu siç e përshkroi Allahu: “se, në të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun për të luftuar në vështirësi!” (El-Beled: 4); nuk ka rehati përveçse në Xhenet!

Cilësia e tetë: Allahu thotë: “Kur Ne i japim njeriut të shijojë mëshirën Tonë e pastaj ia heqim atë, ai atëherë bëhet shpresëhumbur dhe mohues.” (Hud: 9)

Njeriu, pra, është mohues dhe përgënjeshtrues. Njeriu ka shumë qëndrime karshi sprovave dhe begative, sipas bindjeve dhe vlerave të tij. Kur Allahu ia mundëson ta shijojë një begati nga mëshira e Tij, e pastaj ia merr, njeriu atëherë atë begati e mohon.

Këto janë tetë cilësitë që gjenden te çdo njeri dhe njeriu është mirë që t’i njohë dhe të ballafaqohet me to sa më lehtë dhe të dijë se si të sillet me to më së miri që mundet, e t’i shndërrojë këto cilësi negative në ato pozitive, dhe ky shndërrim kërkon vendosmëri e vullnet, mbështetje në Allahun si dhe punë të vazhdueshme.

Njohja e këtyre cilësive të ngulitura në shpirtin e njeriut na mundëson ta njohim veten më mirë, njohja e vetes na ndihmon të kemi bashkëpunim sa më të lehtë me njerëzit, fëmijët tanë dhe familjen tonë.

Nga arabishtja .Irfan JAHIU

 

 

 

 .

 

 

Postimet e ngjajshme

DURO, SEPSE KA ZOT!

Irfan Jahiu

DOBITË E SHOQËRISË SË MIRË

Irfan Jahiu

DISA URTËSI

Kushtrim Guraj

DISA KËSHILLA PËR TY

Irfan Jahiu

DIJE SE…!

Irfan Jahiu

DHJETË ILAÇET E TRUPIT DHE SHPIRTIT

Irfan Jahiu

BUZËQESHU!

Irfan Jahiu

MOS FUT URREJTJE ME PYETJET E TUA

Irfan Jahiu

TI DHE SHEJTANI

Irfan Jahiu