RTV Pendimi
Goodlife
Kompania Ziel Bau
Auto Lider
Flyer Fahrschule struga
Dija & Daveti Ilaçe për zemrën / Rukja

SHKAQET E RIZKUT

Po të kishte qenë rizku i njeriut në duart e njerëzve, sa padrejtësi dhe sa urrejtje dhe sa çorodi do u bënte! Pasha Allahun, nëse atyre ju lihej kjo çështje në dorë do t’i bënin padrejtësi njëri-tjetrit dhe do ta urrenin njëri-tjetrin, madje do ta harronin dhe do ta neglizhonin njëri-tjetrin!

Allahut i takon falënderimi dhe lavdërimi! Ai nuk i bën padrejtësi askujt, dhe nuk e dëmton, dhe nuk e harron, dhe nuk e neglizhon, po e begaton, dhe e mëshiron, dhe atij mirë i bën: “po edhe në vetet tuaja – a nuk e shihni vallë? Në qiell është furnizimi juaj dhe gjithçka që ju është premtuar Betohem për Zotin e qiellit dhe të Tokës, se kjo (që ju premtohet) është e vërtetë, ashtu siç është të folurit tuaj”. (Edh-Dharijat: 21-23)

Brenga për riskun i ka ngrënë disa zemra dhe i ka lodhur disa mendje. Disa njerëz kur dëgjojnë për ndryshimet ekonomike, dhe për ndryshimet e çmimeve, dhe për problemet jetësore, bien në depresion dhe stresohen, thuaj ti se ata nuk e dinë se Allahu garantoi furnizimin për të gjitha krijesat e Tij, besimtarë dhe jobesimtarë, të fortin dhe të dobëtin, të moshuarin apo të voglin: “S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij. Ai di vendbanimin e saj dhe vendin e vdekjes. Të gjitha këto janë (të shënuara) në Librin e qartë”. (Hud: 6) dhe ”Sa krijesa ka që nuk e mbajnë dot veten me ushqim! Allahu u jep atyre dhe juve! Ai dëgjon dhe di gjithçka”. (El-Ankebut: 60)

S’ka njeri që del nga kjo dynja pa e plotësuar riskun e tij. Allahu ia shënoi të birit të Ademit riskun dhe ia përcaktoi atë para se të del në dynja. Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: ”Më ka treguar i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kurse ai është ai i cili e fliste të vërtetën dhe të cilit i besohet: “Vërtet çdonjëri nga ju formohet në përbrendësen e nënës së tij dyzet ditë si pikë, pastaj bëhet e varur ngjashëm me këtë periudhë, pastaj, bëhet copë mishi ngjashëm me këtë periudhë, pastaj i dërgohet meleku dhe e frymëzon në të shpirtin, dhe këtij meleku i urdhërohen dy gjëra: ta shkruaj nafakën (riskun) (e fëmijës), exhelin (sa do të jetojë), veprat dhe (në pikëpamje të jetës tjetër) a është i fatshëm apo i pafatshëm.”

Në vazhdim do t’i paraqesim disa nga shkaqet që e sjellin riskun të bazuara në Kur’an dhe Sunet.

E para nga ato dhe më rëndësishmja është devotshmëria (takvaja). Ai që ia ka frikën Allahut dhe kapet për ligjet e Tij, i jep furnizim prej nga nuk i shkon mendja dhe prej nga nuk e pret dhe nuk e shpreson. Ky është premtim i prerë nga Allahu: ”Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret”. (Et-Talak: 2-3)

Nga shkaqet e riskut është edhe istigfari (kërkim falja) dhe vazhdimësia në të. Allahu për Nuhin, alejhi selam thotë: ”e u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!” (Nuh: 10-12)

Dhe për Hudin, alejhi selam, thotë: “O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe kthehuni tek Ai të penduar, se Ai do t’ju sjellë shi të begatshëm dhe do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj. Mos u shmangni prej Atij duke qenë keqbërës!” (Hud: 52)

Me një hadith përcillet: “Kush e shpeshton istigfarin Allahu do t’ia hap për çdo gjë nga një rrugë dhe për çdo vështirësi i ofron lehtësim dhe do ta furnizojë nga nuk e mendon”.

Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë se kjo është argument se istigfari e sjell rizkun dhe është shkak për zbritjen e shiut.

Nga shkaqet e rizkut është edhe mbështetja e drejtë në Allahun. Pra të lidhet zemra me Zotin e saj dhe t’ia mbështet çështjet Atij. Ai që i mbështetet Allahut, Ai i mjafton, dhe i largohet ajo që e preokupon dhe e mundon, dhe e furnizon prej ku nuk e pret. Përcillet me një hadith se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Sikur ju të mbështeteni ne Allahun me mbështetje të vërtetë, Allahu do t’ju furnizojë ashtu siç furnizon zogun, del në mëngjes i uritur dhe ngryset i ngopur”.

Ibën Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ky hadith është bazë për tevekulin (mbështetjen në Allahun) dhe është një nga shkaqet kryesore që e sjellin rizkun”.

Disa nga të parët tanë thoshin: Tevekuli ta sjell rizkun pa lodhje dhe mundim!

Ajo që duhet të dihet është se tevekuli (mbështetja në Allahun) nuk e kundërshton marrjen e shkaqeve dhe përpjekjen në kërkim të riskut. Allahu për sa i përket marrjes së shkaqeve të riskut tha: ”Ai jua ka bërë Tokën të përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë, që ju ka dhënë Ai”. (El-Mulk: 15) dhe tha: ”Ai e di se disa prej jush do të jenë të sëmurë, disa do të udhëtojnë nëpër botë, duke kërkuar mirësitë e Tij (për jetesë)”. (El-Muzemil: 20)

Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, tha: Allahu në këtë ajet e barazoi atë që lufton në rrugë të Allahut me atë që del dhe e kërkon rizkun në hallall, dhe atë e shpenzon për veten dhe familjen dhe për bamirësi. Dhe kjo është argument se të kërkuarit e rizkut apo përfitimi është në gradë të luftës në rrugë të Allahut, sepse në ajet i ceki të dyja bashkë.

Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: Mos ta lë asnjëri nga ju kërkimin e rizkut dhe të thotë: O Zot, më furnizo! Ju e dini se qielli nuk pikon ari dhe argjend!

Nga shkaqet e riskut është edhe respektimi i lidhjes farefisnore.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: ”Kush dëshiron t’i shtohet risku (furnizimi) dhe t’i zgjatet jeta le të mbajë lidhjet farefisnore”.

Respektimi i lidhjes farefisnore lë gjurmë të çuditshme dhe fryte të dëshmuara; duke filluar nga lehtësimi i rizkut dhe zgjatjes së jetës dhe mbjelljes së dashurisë.

Prej urtësisë dhe meritës së Allahut është se e bëri shpenzimin nga shkaqet e shtimit të riskut. Ai që jep, Allahu ia zëvendëson dhe e bekon në atë që e posedon: ”Ai ua zëvendëson atë që e ndani ju; Ai është Dhuruesi më i mirë”. (Sebe’: 39) E zëvendëson me bereqet dhe me shtim të pasurisë në dynja, kurse në ahiret me shpërblime të mëdha: ”Djalli ju frikëson me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni vepra të pamoralshme. Kurse Allahu ju premton faljen dhe mirësinë e Tij. Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm”. (El-Bekare: 268)

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Dy janë nga Allahu dhe dy janë nga shejtani! Shejtani ju premton fukarallëk dhe thotë: mos shpenzo dhe mbaje për vete se ti ke nevojë për të dhe ju urdhëron në të ligë, kurse Allahu ju premton falje nga gjynahet dhe mëkatet dhe ju premton shtim në rizk”.

Në një hadith kudsij: ”O biri i Ademit, shpenzo (në bamirësi) e Unë do të shpenzoj për ty”.

Dhe me një hadith të vërtetë: ”Nuk ka ditë që nuk zbresin dy melekë prej Allahut dhe thonë: O Allah, jepi atij që jep dhe atij që nuk jep shkatërroja pasurinë”.

Prandaj shpenzoni dhe përgëzohuni me zëvendësim të gjerë nga mirësitë e Allahut. Madje Allahu tha: ”Pasaniku le të shpenzojë sipas pasurisë që ka, ndërsa i varfri le të shpenzojë sipas asaj që i ka dhënë Allahu; Allahu nuk e ngarkon askënd mbi sa i ka dhënë. Pas vështirësisë, Ai sjell lehtësimin”. (Et-Talak: 7)

Nga shkaqet e rizkut dhe të shtimit të tij është edhe bamirësia ndaj të varfërve dhe të mjerëve dhe nevojtarëve. Me një hadith përcillet: ”Vallë ndihma dhe rizku a nuk ju vjen nga shkaku i të ngratëve që keni në mesin tuaj”.

Kjo i përfshin shtresat e nevojtarëve nga të varfrit, të mjerët, të sëmurëve, të huajve dhe atyre që nuk kanë familje.

Nga shkaqet më madhështore të rizkut dhe të shtimit të tij, madje ky shkak është gjithëpërfshirës i gjitha shkaqeve të mëhershme, është qëndrueshmëria në fenë e Allahut, dhe të vepruarit me vepra të mira dhe largimi nga ato të ligat. Rizku nuk shtohet vetëm se me shtimin e adhurimeve dhe nuk pakësohet apo humbet vetëm se si shkak i gjynaheve dhe mëkateve. Robi privohet nga risku dhe furnizimi për shkak gjynaheve që i bën.

Gjynahet, mëkatet dhe të ligat janë dyert më të mëdha që i mbyllin burimet e rizkut, qoftë ajo për individin apo për shoqërinë! Gjynahet dhe mëkatet i vështirësojnë shkaqet e arritjes së riskut dhe e shkatërrojnë bereqetin: ”Sikur të qëndronin (banorët e Mekës) në rrugën e vërtetë, Ne do t’u jepnim ujë të bollshëm, për t’i vënë ata me këtë në sprovë. Por këdo që largohet nga këshillat e Zotit të tij, Ai do ta hedhë në një dënim të ashpër”. (El-Xhin: 16-17)

Ai që do rizku t’i shtohet dhe jetesa t’i përmirësohet dhe bereqeti ta kaplojë, le të kapet për fenë e Allahut, dhe le t’i respektojë ligjet e Tij, le t’i largohet ndalesave të Tij dhe ta mbrojë veten nga vendet që është i zemëruar Allahu me to!

O ju muslimanë, frikojuni Allahut dhe meditoni këtë hadith të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ku thotë: ”Vërtetë Shpirti i Shenjtë (Xhibrili) e ka vulosur në zemrën dhe shpirtin tim se asnjë njeri nuk mund të vdes pa e plotësuar exhelin (afatin e jetës së tij), dhe pa e harxhuar apo shpenzuar rizkun e caktuar të Tij. Frikësojuni Allahut dhe kërkoni prej Tij, mos e lejoni veten për të mos kërkuar rizk prej Allahut e pastaj të kundërshtoni dhe të mos i përfillni urdhrat e Allahut. Vërtet prej Allahut përfitohet duke respektuar urdhrat e Tij”.

Shejh Dr. Salih Humejd

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Postimet e ngjajshme

SHTATË KËSHILLA PËR TA PËRFORCUAR IMANIN

Irfan Jahiu

SHKAQET E NGURTËSISË SË ZEMRËS DHE SHËRIMI I SAJ

Irfan Jahiu

SHEMBULLI I SPROVAVE ME LAPSIN

Irfan Jahiu

KATËR GJËRA QË NUK I KE DITUR

Irfan Jahiu

DURO, SEPSE KA ZOT!

Irfan Jahiu

TI DHE SHEJTANI

Irfan Jahiu

BRENGAT E NJË TË PIKËLLUARI

Irfan Jahiu

SADAKATË E VARROSURA NËPËR SHTËPI

Irfan Jahiu

KËTO GJËRA I PËRFITOJNË ZEMRAT

Irfan Jahiu
%d bloggers like this: