Xhamia osmane e Manastirit që restaurohet nga Turqia pret ditën kur do të hapet për adhurim

Xhamia osmane e Manastirit që restaurohet nga Turqia pret ditën kur do të hapet për adhurim

Xhamia e periudhës osmane Haxhi Mahmud Beu në Manastir të Maqedonisë së Veriut, restaurimi i së cilës është në vazhdim e sipër nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve e Turqisë, pret ditën kur do të hapet për adhurim.

Xhamia është ndërtuar nga valia e asaj kohe Haxhi Mahmud Beu, sipas disa burimeve në vitin 1521/22 ose në vitin 1532, ndërsa është restauruar në vitin 1875.

Ajo njihet edhe si Xhamia e Haxhi Beut dhe ndodhet në Çarshinë e Vjetër të Manastirit në afërsi të lumit Dragor që ndan në dy pjesë qytetin.

Për shkak të bombardimit që ka pësuar gjatë Luftës së Dytë Botërore i është dëmtuar kupola ndërsa në tërmetin e vitit 1996 në qytet i është rrëzuar sherefeja.

Eksperti i artit, arkitekturës dhe arkeologjisë bizantine dhe osmane dr. Robert Mihajllovski në artikullin e tij të titulluar “Xhamitë e shekullit 16-të të Manastirit”, thekson se arkitektura osmane në qytetin e Manastirit zhvillimin më intensiv e ka përjetuar me ndërtimin e objekteve monumentale fetare në shekujt 16 dhe 17.

Sipas tij, xhamitë e ndërtuar në këtë qytet, bartin gjurmët e tre kryeqyteteve të Shtetit Osman, duke e cilësuar Xhaminë e Haxhi Mahmud Beut si vazhdimësi e tradicionalizmit të Bursës në rajon.

Restaurimi filloi në vitin 2019

Pronari i kompanisë “Leda Restorasyon” i cili ka marrë përsipër punët e restaurimit të xhamisë, njëherësh edhe inxhinier ndërtimi Onur Attar në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) rikujtoi se punimet e restaurimit kanë filluar në vitin 2019.

Ai tregoi se xhamia e ndërtuar në shekullin e 16-të pas largimit të osmanëve nga rajoni është përdorur për qëllime të ndryshme si garazh karroce, depo materialesh ndërtimi, duke theksuar se në Luftën e Dytë Botërore kupolës së xhamisë i ka rënë një bombë.

Pjesët e bombës që ka dëmtuar kupolën, ai tregon se e kanë gjetur gjatë punimeve të restaurimit ndërsa tha se xhamia ka qenë plotësisht e papërdorshme para restaurimit.

Për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19), Attar tregon se ka pasur ndërprerje në punimet, por se tani kanë përfunduar 80 për qind e punimeve, ndërsa planifikojnë që t’i përfundojnë brenda muajit korrik ose gusht.

Rajoni ku ndodhet xhamia njihet si tregu i peshkut

Sipas Attar, popullata e Manastirit dhe e rajonit janë një popullatë e kulturuar, ndërsa ndau një tregim interesant lidhur me vendin ku ndodhet xhamia.

“Për arsye se në këtë vend është xhamia, rajoni njihet si tregu i peshkut. Shkaku i kësaj është se buron nga respekti i tyre ndaj xhamisë. Për arsye se është xhami, për të mos u shitur mish derri, që të shitet vetëm peshk përreth xhamisë, në këtë zonë gjenden vetëm peshkatarët prandaj ky vend quhet ‘Ribarnica’ (tregu i peshkut)”, tha ai.

Attar rikujtoi se më parë kanë bërë punime restaurimi edhe në një xhami tjetër në Manastir, në xhaminë e Hajdar Kadi në vitin 2016, duke shtuar se popullata e rajonit ka ndihmuar gjatë punimeve të tyre.

Ai duke informuar rreth punimeve që kanë bërë brenda dhe jashtë xhamisë tha: “Fillimisht e pastruam të gjithë xhaminë nga çimentoja. Kishte suva çimentoje që ishte bërë më parë. Të gjithë këto i pastruam dhe filluam punimet e përforcimit. Me shufra injeksioni dhe karboni dhe pëlhura karboni, ne forcuam pjesën e brendshme dhe të jashtme të xhamisë dhe pjesët e konsideruara të përshtatshme në projektin e saj”.

“Sherefeja e kësaj xhamie para shumë vitesh është rrëzuar për shkak të një tërmeti. Gjetëm fotografitë e vjetra të xhamisë, minaren e plotësuam sipas kësaj. Brenda nuk hasëm vizatime dore. Hasëm një reliev të vogël dhe vizatimet e dorës në xhami i kemi bërë duke u frymëzuar nga ky reliev, projektuam duke organizuar nga kjo. Më pas e suvatuam xhaminë në raport me projektet që na dërgoi Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve dhe bëmë të gjitha procedurat e nevojshme”, tha Attar.

Në vazhdim ai tha se për të krijuar kompleksin e xhamisë kanë shembur 10-15 dyqane përreth, duke shtuar se kanë ndërtuar tualet për persona me aftësi të kufizuara, zyra për Bashkësinë Fetare Islame dhe një dyqan.

Attar shpjegon se pas xhamisë gjendet edhe një sipërfaqe e madhe, e cila më parë ka qenë një han. “U shemb edhe ai. Tani atje do të bëhet një amfiteatër. Gjithashtu jashtë do të bëhet një shatërvan. Kangjellat e hequra nga minareja e xhamisë do të vendosen tek amfiteatri si dhe do të bëjmë një çezmë atje”, tha ai.

Pronari i kompanisë shtoi se ata gjithashtu ekspozojnë veçmas shtesat dhe rinovimet e bëra në xhami në shekullin e 18-të.