Toleranca zero!

Togfjalëshi “luftë kundër terrorizmit” është bërë modë e udhëheqësve shtetëror të Kosovës! Ky togfjalësh nuk harrohet në asnjë fjalim të tyre! Përkundrazi, për t’u treguar konsekuent me premtimet e tyre në luftën globale kundër terrorizmit, ata ia shtojnë edhe togfjalëshin tjetër: ”zero tolerancë për terrorizmin”!

Sa bukur tingëllon kjo fjali, apo jo!?

Por, nëse shohim disa aspekte të këtij togfjalëshi dhe ta shtrojmë në kontekstin e realitetit të përditshëm të Kosovës, do të shohim diçka tjetër! Për këtë arsye po përmend se përveç përdorimit të dhunës kundër civilëve dhe formave të ndryshme të presionit, “terrorizmi” si nocion përfshin edhe politikën e frikësimit të qytetarëve, dhe të praktikave abuzive në ekonomi në dëm te zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit etj.

Definicioni komplet i nocionit “terrorizëm” na mundëson të shohim kuptimin e vërtetë të propagandës së udhëheqësve shtetëror për “tolerancën zero” dhe dyshimet që kanë qytetarët e Kosovës në vendosmërinë e udhëheqësve për të luftuar fenomenin e terrorizmit.

Pse dyshime?

Janë po të njëjtit udhëheqës që gjatë disa fushatave elektorale kanë premtuar “tolerancë zero ndaj korrupsionit në Kosovë”. Pas ardhjes në pushtet, qytetarët kanë mundur të binden se korrupsioni u rrit shumëfish më shumë. Përderisa premtimet për “tolerancë zero” u aplikuan vetëm ndaj “korrupsionit të të tjerëve”!

Qytetarët e Kosovës e panë se këta udhëheqës e futën korrupsionin në të gjitha sferat shoqërore. Edhe në arsim, edhe në shëndetësi edhe në drejtësi korrupsioni ishte mjet i vetëm i hapjes së rrugës!

Pak u bën përshtypje këtyre udhëheqësve shtetëror të Kosovës se arsimi i korruptuar prodhon njerëz me diploma, por të padijshëm; shërbime shëndetësore të dyshimta dhe vetëm për ata që kanë mundësi të ushqejnë korrupsionin; vendime të padrejta gjyqësore apo fshehja në sirtar lëndët që kërkojnë drejtësi!

E njëjta gjë ndodh në të gjitha drejtimet tjera përderisa udhëheqësit tanë gojën e kanë plot me “tolerancë zero për korrupsionin” dhe “vendosmëri në luftën e tyre kundër korrupsionit të të tjerëve”!

Udhëheqësit aktualë shtetërorë të Kosovës në disa fushata elektorale premtuan “tolerancë zero” ndaj dukurive të përvetësimit ekonomik të pasurisë së vendit tonë. Ata premtonin këtë gjë të tillë, sepse e dinin se abuzimet ekonomike janë një formë e terrorizmit që dëmton pasurinë kombëtare dhe varfëron popullin!

Çka ndodhi me premtimet e tyre elektorale pasi hipën në pushtet?

Me dhjetëra mijëra qytetarë morën rrugën e ikjes nga vendi sepse nuk mund të durojnë klimën e terrorit që ka shkaktuar varfëria dhe padrejtësia në Kosovë! Praktika e premtimit të vendeve të reja të punës për të papunët vetëm e vetëm që t’u merret votën e përfaqësimit politik dhe praktika e premtimi për rritjen e rrogave të atyre që punojnë dhe mos mbajtja e premtimeve pasi të vish në pushtet me votën e tyre është formë e terrorizmit politik.

Greva e minatorëve të Trepçës është tregues se udhëheqësit politik të Kosovës pas abuzimeve me mbi tokën e vendit tonë i kanë hyrë edhe nëntokës së Kosovës! Kryeministri u thotë qytetarëve: “Mos u frikësoni”. Ne nuk patëm me u frikësuar, sikur mos t’i ndërronit mendimet brenda pak orëve. Por, kam shpresë se populli që nuk ju nënshtrua terrorizmit shtetëror të Serbisë, do të gjejë rrugë për të dalë edhe nga kjo klimë e terrorizmit politik të të padijshmeve e të pa përgjegjshmeve që kanë kapu shtetin.

Kosova që shpëtoi nga një regjim terrorist falë edhe ndihmës së demokracive perëndimore duhet të rreshtohet përkrah këtyre demokracive në luftë kundër terrorizmit global. Por, efikasiteti i këtij rreshtimi mund të jetë vetëm nëse në krye të shtetit janë njerëz që janë përkushtuar të zbatojnë normat demokratike në Kosovë, të heqin të gjitha format e terrorizmit politik dhe ekonomik ndaj qytetarëve të këtij vendi aq të përvuajtur! Në të kundërtën, prapa togfjalëshit “tolerancë zero për terrorizmin” do të mbetet vetëm hipokrizia e atyre që nuk brengosen për rrezikun që na kanoset nga veprimet e tyre të papërgjegjshme!