TIKA mbështetje për sektorin e shëndetësisë në Kosovë

Njësia e Mjekimit Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, është rinovuar, pajisur me pajisje mjekësore dhe i është instaluar nënstacioni i pavarur i gazrave medicinale, me financimin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), raporton Anadolu Agency (AA).

Në inaugurim ishte i pranishëm ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Uran Ismaili, i cili gjatë fjalë së tij tha se kjo klinikë do të ofrojë shërbime shumë kualitative si asnjëherë më parë falë ndihmës nga TIKA. Ai theksoi se personeli i kësaj klinike ka pasur nevojë për një ambient modern dhe pajisje moderne.

Duke falënderuar Qeverinë e Turqisë dhe TIKA-n, të cilët sipas tij kanë investuar me zemërgjerësi, Ismaili theksoi se me këtë investim kanë treguar që janë të gatshëm të investojnë edhe më shumë në shëndetësi qoftë me trajnime të personelit apo stafit menaxhues.

“Kjo është ditë shumë e madhe për ne, por në anën tjetër këtë nuk kishim mundur ta arrinim pa ndihmën e madhe të dhënë nga Qeveria Turke dhe TIKA në të cilën ka bërë një investim 2 milionë euro. Sot kemi 27 shtretër, ndërsa më parë kemi pasur vetëm 14, pra kemi një rritje shumë të madhe të kapaciteteve”, tha Ismaili.

Zëvendëskryetari i TIKA-s, Birol Çetin, i cili mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit tha se si TIKA kanë realizuar mbi dy mijë projekte në 100 shtete të botës, duke nënvizuar se shumica prej tyre kanë qenë në fushën e shëndetësisë.

“Do të fillojmë edhe me trajnimin e stafit në Kosovë së shpejti në fushat ku do të ketë nevojë. Siç dihet ne si TIKA realizojmë projekte në tërë vendet e botës. Njeriu dhe jeta e njeriut kanë shumë rëndësi të madhe për ne dhe as këtu nuk kemi bërë ndonjë dallim. Kosova ka një vend të veçantë në zemrat tona mbi të gjitha ne jemi të afërm”, tha Çetin.

Sipas Çetin, Turqia përmes fondacioneve dhe shpërndarjes së ndihmave në këtë mënyrë ka një traditë të vjetër e cila ka ndjekur këtë shembull para botës perëndimore. Ai shtoi se problemet dhe luftërat në botë mund të zgjidhen vetëm duke qëndruar pranë paqes, duke u solidarizuar dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin.

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, tha se fusha e shëndetësisë ka dhe do të ketë gjithmonë përparësi në projektet që do të realizohen edhe në të ardhmen. “Ne e shohim këtë si një ndarje të natyrshme midis miqve dhe vëllezërve, jo në formën e ndonjë ndihme apo granti. Çdo projekt i realizuar nga Turqia është një tregues i dashurisë dhe simpatisë së popullit dhe shtetit turk ndaj Kosovës dhe miqve tanë në Kosovë”, tha Kiliç.