TEUHIDI I ADHURIMIT NË RITET E HAXHIT

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve dhe qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

O ju njerëz,

Frikojuni Allahut dhe dijeni se qëllimi i krijimit tuaj nuk është tjetër përpos adhurimi i Tij. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë”. Dharijat 56.

Allahu me këtë mesazh i porositi të gjitha krijesat: “O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat); i Cili e ka bërë për ju tokën shtresë dhe qiellin ndërtesë; i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun”. Bekare 21-22.

Adhurimi pa teuhid (njësim) i përngjanë namazit pa abdes. Sikurse papastërtia që e prish abdesin ashtu shirku i vepruar nga ana e robit e shkatërron teuhidin. Allahu, azze ue xhel, për këtë shkak i drejtohet krijesës më të dashur duke i thënë: “Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit”. Zumer 65.

Shirku (politeizmi) është arsyeja kryesore për mospranimin e veprave dhe adhurimeve, prandaj urdhri për adhurimin e Allahut shumë herë vjen i shoqëruar me ndalesën prej shirkut, sikurse në thënien e Allahut, azze ue xhel“Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë(në adhurim)“. Nisa 36. Ky ishte edhe mesazhi i të gjithë Profetëve drejtuar popujve të tyre: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij! “.  Earaf 59.

O ju robër të  Allahut,

Allahu na e detyroi Haxhin, prandaj le të përsiatim në të, manifestimin e teuhidit dhe largimin prej shirkut, që të mbetet shembull praktik që do ta përpilojmë në të gjitha adhurimet tona.

Në rend të parë nëse përsiatim themelimin e Qabesë do të vërejmë se ajo është themeluar mbi teuhid, siç na njofton edhe Allahu, azze ue xhel: “Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrinë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur”. Bekare 125.

Allahu i urdhëroi ata të dy që ta pastrojnë Qabenë prej të gjitha papastërtive, e posaçërisht prej shirkut. Allahu, azze ue xhel, thotë: “O besimtarë! Në të vërtetë, idhujtarët janë të papastër (për shkak të besimit të kotë), prandaj të mos i afrohen më Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti”. Teube 28, dhe “Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores (duke e urdhëruar): “Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur”. Haxh 26.

Kjo shtëpi pra, është themeluar mbi teuhid dhe detyrohet të mbetet ashtu deri në Ditën e Kiametit, nuk lejohet që t’i afrohet asnjë jobesimtar (mushrik) ose të depërtojë ndonjë lloj i shirkut përreth saj. Prandaj Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, kur e çliroi Mekën hyri në Qabe dhe përreth saj i gjeti treqind e gjashtëdhjetë idhuj të cilët filloi t’i shkatërrojë dhe të përsërisë ajetin: “E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht, e pavërteta është e paracaktuar të zhduket! “. Isra 81. Pastaj urdhëroi që të nxirren prej Qabesë dhe të digjen, ndërsa Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, hyri në brendësinë e saj dhe filloi t’i fshijë vizatimet e pikturuara në mure duke u bazuar në fjalën e Allahut: “Dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur”. Haxh 26.

Qabeja është Kibla e muslimanëve, në të kryhet Haxhi dhe Umreja, është vend takim i zemrave dhe trupave të tyre, prandaj detyrohet të jetë burim i teuhidit (njësimit) dhe i besimit të pastër ku do të adhurohet Allahu me sinqeritet, dhe të largohet prej saj çdo lloj i idhujtarisë dhe risive. Prandaj edhe erdhi urdhri që të kryhet Haxhi dhe Umreja vetëm për Allahun: “Kryeni Haxhin dhe Umren për hir të Allahut!”. Bekare 196.

O ju robër të  Allahut,

Prej manifestimeve të teuhidit të adhurimit në Haxh është ngritja e zërave pas veshjes së Ihramit duke iu përgjigjur ftesës së Haxhit vetëm për hir të Allahut, dhe duke e publikuar njësimin e Tij në falënderim, begati e sundim: “Lebbejke Allahume Lebbejk, Lebbejke La sherike Leke Lebbejk, innel Hamde ven ni’ëmete leke uel Mulk La sherike Lek” (Të përgjigjem o Zot, Ti je i pashoq, vetëm Ty të përgjigjem, falënderimi të takon vetëm Ty. Të gjitha begatitë dhe i tërë sundimi të takon Ty, Ti je i pashoq).

Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është përmendja e Allahut në ditën e Arafatit me lutjen: “La ilahe il-lAllahu uahdehu la sherike leh, lehul mulku ue lehul Hamdu ue Huve ala kul-li shejin Kadir” (S’ka të adhuruar përveç Allahut Një dhe të pashoq, Atij i takon sundimi dhe Lavdërimi, Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send).

Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, thoshte: “Lutja më e mirë është ajo e ditës së Arafatit, ndërsa fjala më e mirë që e kam thënë unë dhe Profetët para meje “La ilahe il-lAllahu uahdehu la sherike leh, lehul mulku ue lehul Hamdu ue Huve ala kul-li shejin Kadir” (S’ka të adhuruar përveç Allahut Një dhe të pashoq, Atij i takon sundimi dhe Lavdërimi, Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send).

Kjo lutje është kumtesë e njësimit të adhurimit në këtë shoqëri madhështore dhe në këtë ditë të bekuar, dhe preferohet të shqiptohet sa më shpesh me qëllim që haxhiu ta kupton thelbin e saj dhe të vepron sipas asaj çka e aludon ajo, që në fund t’i kryen ritet e Haxhit me sinqeritet dhe t’i largohet çdo llojit të shirkut e risive.

Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është Tavafi përreth Qabesë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “dhe le t’i vijnë rrotull Shtëpisë së lashtë”. Haxh 29.

Tavafi përreth Qabesë është i veçantë për të dhe nuk lejohet veprimi i tij ndokund tjetër në gjithë rruzullin tokësor. Haxhiu prej këtu e kupton se Tavafi përreth varreve, drunjve, gurëve e tyrbeve, nuk është adhurim i lejuar nga Allahu, por është adhurim i urdhëruar nga shejtanët qofshin ata njerëz apo xhind.

Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është madhërimi i Allahut me puthjen dhe fërkimin e Gurit të Zi. Haxhiu e puthë atë gur me bindje të thellë se është prej riteve të Haxhit dhe se me këtë vepër i nënshtrohet Allahut dhe Profetit të Tij. Mu për këtë arsye Omer ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur e puthi Gurin e Zi tha: “Pasha Allahun, unë e di se ti je gur, nuk bën dobi e as dëm, dhe mos ta kisha parë Profetin, sal-lallahu alejhi ue selem, duke të puthur asnjëherë nuk do të të puthja”.

Muslimani prej kësaj vepre e kupton se nuk lejohet puthja dhe fërkimi për bereqet  të asnjë objekti apo guri, duke e përjashtuar këtu puthjen dhe fërkimin e Gurit të zi për arsye se kjo është prej riteve të Haxhit, ndërsa puthja dhe fërkimi i  varreve, tyrbeve e drunjve për bereqet është prej veprave që e kundërshtojnë fenë e Allahut dhe nuk janë prej riteve të Tij.

Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është që haxhiu pasi ta kryen Tavafin t’i fal dy rekate pas Mekami Ibrahim duke u bazuar në thënien e Allahut, azze ue xhel,“Kujtoni kur Ne e bëmë Qabenë vend grumbullimi dhe sigurie për njerëzit, duke thënë “Bëjeni vendin e Ibrahimit si vend faljeje!”. Bekare 125.

Preferohet që në rekatin e parë pas Fatihas të lexon suren el Kafirun, ndërsa në të dytin suren el Ihlas. Urtësia e leximit të këtyre dy sureve qëndron në faktin se ato në vete përmbajnë njësimin e Allahut me njohje dhe pohim (teuhid rububije) dhe njësimin e Allahut me adhurim (teuhid uluhije). Surja e parë përmban mospranimin e fesë së mushrikëve dhe njësimin e Allahut me adhurim, ndërsa surja e dytë përmban njësimin e Allahut me cilësitë e përkryera dhe dëlirjen e Tij prej cilësive të mangëta.

Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është sa’ji (ecja) mes kodrinave të Safës dhe Meruas duke u bazuar në thënien e Allahut, azze ue xhel: “Kodrinat Safa dhe Merua (në Mekë) janë pjesë e Simboleve të Allahut, prandaj ai që viziton Qabenë për haxh ose për umre, s’ka kurrfarë gjynahu nëse sillet mes tyre. Kush bën vepra të mira vullnetare, ta dijë se Allahu është njëmend Falënderues dhe i Gjithëdijshëm”. Bekare 158.

Prej këtij riti të Haxhit muslimani mëson se Sa’ji nuk kryhet në vend tjetër përveç se në Safa dhe Merua, për arsye se këto janë rite të Haxhit, ndërsa saji i kryer në ndonjë vend tjetër është mashtrim nga ana e shejtanit dhe  nuk është adhurim i Allahut.

Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është ajo çka e ligjësoi Allahu në ditën e Bajramit dhe në ditët e caktuara (të Teshrikut) prej përmendjes së Tij: “Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut)“. Bekare 203.

Përmendja e Allahut në këto ditë qartësohet në veprat e mëdha që kryhen gjatë atyre ditëve duke filluar prej qëndrimit në Mina, pastaj gjuajtjes së gurëve, prerjes së Kurbanit, faljes së pesë kohërave të namazit në atë vend të bekuar dhe në ato ditë të bekuara. Muslimani kur i gjuan gurët thotë “Allahu Ekber (Allahu është më i madhi)”, e kjo është përmendje e Allahut, po ashtu kur e ther Kurbanin e përmend Allahun, ashtu siç na njofton Allahu në Kuran: “Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual, që ata të përmendin emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve, që Ai ua ka dhuruar për ushqim”. Haxh 34.

Allahu, azze ue xhel, po ashtu thotë: “Devetë dhe gjedhët i kemi bërë për ju si një nga ritet e Allahut për flijim dhe ju keni dobi nga ato. Prandaj, përmendeni emrin e Allahut mbi ato, ndërsa i radhisni në këmbë (për t’i therur). Kur ato të bien në tokë, hani prej (mishit të) tyre dhe ushqeni edhe atë që lyp, edhe atë që nuk lyp. Kështu pra, Ne i kemi vënë ato në shërbimin tuaj, që ju të jeni mirënjohës. Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj. Kështu, Ai i ka vënë ato në shërbimin tuaj, që ju ta madhëroni Allahun sepse ju ka udhëzuar. Dhe, jepu lajmin e mirë, punëdrejtëve!”. Haxh 36-37.

Muslimani prej këtyre ajeteve kupton se therja e Kurbanit është adhurim dhe se therja e tij nuk lejohet t’i kushtohet dikujt tjetër veç Allahut, se kjo është shirk.

Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është se Allahu i ka porositur haxhilerët që ta përmendin Atë shumë gjatë kryerjes së riteve të Allahut dhe pas përfundimit të saj. I ndaloi prej përmendjes së parive dhe njerëzve të mëdhenj me ndikim, të gjallë apo të vdekur, dhe i porositi që të mos krenohen me fise dhe gjenezë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Nuk është gjynah të kërkoni nga Zoti juaj ndonjë të mirë. E, kur të ktheheni nga Arafati, përmendni Allahun në vendet e shenjta! Përmendni Atë që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, sepse ju më parë ishit të humbur! Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë. Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër! Disa njerëz thonë: “Zoti ynë, jepna të mira në këtë botë!” Por, për këta, s’ka asnjë të mirë në botën tjetër. Por ka dhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit) Këtyre do t’u jepet shpërblim për atë që kanë bërë. Allahu është i shpejtë në llogari. Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut). Por, edhe ata që nguten dhe rrinë vetëm dy ditë (në Mina), nuk bëjnë gjynah; nuk bën gjynah as ai që rri më shumë, nëse i frikësohet vërtet Allahut. Ta keni frikë Allahun e ta dini mirë se vetëm tek Ai do të tuboheni!”. Bekare 198-203.

Haxhi pra, nuk qenka thjesht një udhëtim vëzhgues e turistik dhe manifestim i riteve, por është përvojë dhe mësim praktik për besimin e pastër dhe largimin e besimeve të kota të kohës së injorancës. 

O ju që Allahu jua mundësoi ta kryeni Haxhin dhe e mësuat prej riteve të tij besimin e pastër, dhe i vërejtët të tjerët qofshin prej vendit tuaj apo prej ndonjë vendi tjetër se kanë gabime që bien ndesh me besimin e pastër, mësojuani atyre besimin dhe përmirësoni gabimet e tyre për arsye se detyra e të dijshmit është mësimi i të paditurit dhe mos harroni se ju jeni përgjegjës para Allahut i cili thotë: “Nuk është mirë që besimtarët të shkojnë në luftë të gjithë njëherësh, por prej çdo bashkësie, një grup të mbetet mbrapa, që të thellohet në mësimin e fesë dhe kështu të këshillojë popullin e vet, mbasi të kthehet nga lufta, që t’i frikësohet Allahut”. Teube 122, dhe“Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit”. Ali Imran 104.

Besimtari pra, së pari shpreson në përmirësimin e vetes e pastaj në përmirësimin e të tjerëve. Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë:“Nuk ka besuar ndonjëri prej jush deri sa nuk e do për vëllanë e tij musliman atë çka e do për vetvete”.

O ju robër të Allahut,

Frikojuni Allahut, kujdesuni për fenë e juaj në përgjithësi dhe për besimin e juaj në veçanti, për shkak se ajo është baza dhe themeli. Kjo fe është e ndërtuar mbi dy parime: sinqeritetin në adhurim dhe pasimin e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe këto dy parime nuk mund të njihen përveç se me përsiatje të Kuranit dhe Sunetit dhe me pasimin e tyre.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU