Rtv Pendimi

Të gjithë jemi të varfër para Allahut [HUTBE]

Njeriu ka nevojë për dy lloje ushqimesh: ushqim për trupin dhe ushqim për shpirtin. Sikundërqë vdes trupi pa ushqim, vdes edhe shpirti pa ushqimin e duhur.

Allahu i Madhëruar thotë:

﴿۞يَٰٓأَيُّهَا ٱلنَّاسُ أَنتُمُ ٱلۡفُقَرَآءُ إِلَى ٱللَّهِۖ وَٱللَّهُ هُوَ ٱلۡغَنِيُّ ٱلۡحَمِيدُ١٥﴾

“O njerëz! Ju jeni të varfër tek Allahu (nevojtarë për çdo gjë). E, Allahu është i pasur dhe është i denjë për falënderim.” (Fatir, 15)

Të gjithë janë të varfër pranë Allahut. Të gjithë kanë nevojë për Të: besimtari e jobesimtari, i sëmuri e shëndoshi, mjeku e pacienti, ai që është në gjumë dhe ai që është zgjuar, ai që është në luftë dhe ai që është në paqe e rehat në shtëpi, ai që është në rrugë dhe ai që është në shtëpi, ai që është në veturë dhe ai që është në aeroplan. Të gjithë ne, pa përjashtim, kemi nevojë për Allahun, në dynja, në varr dhe në botën tjetër.

Kur një njeri deshi të bëjë një mëkat, atij iu drejtua një i mençur: “Bëje këtë mëkat aty ku nuk të sheh Allahu!” Nuk është e kotë ta kuptojmë se nuk mundemi pa Allahun e as që mund t’i fshihemi Atij.

Shikoji këto ajete:

﴿يَٰٓأَيُّهَا ٱلۡإِنسَٰنُ مَا غَرَّكَ بِرَبِّكَ ٱلۡكَرِيمِ٦ ٱلَّذِي خَلَقَكَ فَسَوَّىٰكَ فَعَدَلَكَ٧ فِيٓ أَيِّ صُورَةٖ مَّا شَآءَ رَكَّبَكَ٨﴾

“O njeri, ç’të mashtroi ty karshi Zotit tënd Bujar? Ai të krijoi ty dhe bëri që ta kesh (në formë) të harmonizuar tërë organizmin. Dhe çfarë forme deshi (Ai), të dha.” (El Infitar, 6-8)

Allahu nuk na pyeti për pamjen tonë, por na bëri të bukur e nuk na fali të shëmtuar. Të gjitha gjymtyrët na i bëri në gjatësinë e duhur, jo një shumë të gjatë e një shumë të shkurtër.

Shikoji të mirat që na i dha Allahu vetëm në nyjat e trupit. Pejgamberi ﷺ  ka thënë:

“Çdo njëri nga bijtë e Ademi është krijuar me treqind e gjashtëdhjetë nyja të eshtrave.”[1]

Për këto treqind e gjashtëdhjetë nyja duhet të japim sadaka. Pejgamberi ﷺ  në një hadith tjetër na thotë:

“Çdo ditë duhet të jepet sadaka për secilën nyjë të trupit. Të ndihmojë dikë për të hipur në kafshë ose t’ia afrojë plaçkat lart llogaritet sadaka. Fjala e mirë dhe çdo hap që njeriu e bën duke shkuar për namaz llogaritet sadaka. Po ashtu, orientimi i dikujt drejt një rruge llogaritet sadaka.”[2]

Vetëm për nyja sa shumë borxh që kemi karshi Allahut. Sikur të mos i kishim nyjat, as do të mund të punonim e as të shkruanim, as të hanim, as të pinim e as të lëviznim.

Vëllezër, njeriu në çdo kohë është në rrezik nga trombocitet, të cilat mund t’i shkaktojnë sulme ose gjakderdhje. Njeriu ka shumë trombocite e qeliza kanceroze, të cilat mund të aktivizohen për çdo moment.

Mirëpo, mëshira e Allahut ndaj nesh ka bërë që ne të jetojmë të qetë. Thjesht dije se jeta jonë është në Dorën e Allahut. Ne kemi nevojë për Allahun. Ne nuk mundemi pa Allahun.

Ki mendim të mirë për Allahun. Shikoje këtë thënie të Hadixhes (Allahu qoftë i kënaqur me të!‎‎), gruas së Pejgamberit ﷺ . Këtë thënie ajo ia tha Pejgamberit ﷺ , ende pa e lexuar Kuranin, ende pa ditur gjë për fenë islame. Posa i zbriti Xhibrili ﷺ  Muhamedit ﷺ  me ajetet e para me “Lexo!”, Pejgamberi ﷺ  shkoi tek ajo i frikësuar dhe i tha: “U frikësova për vetveten.”

Mirëpo, Hadixhja kishte mendim shumë të mirë për Allahun, për Bujarin Absolut. Ajo i tha: “Assesi! Betohem në Allahun se Allahu kurrë nuk të poshtëron ty, sepse ti i mban lidhjet farefisnore, u ndihmon të dobëtëve, u jep nevojtarëve, i nderon dhe i ushqen mysafirët e i del në ndihmë atij që e ka goditur fatkeqësia.”[3]

Vëllezër, Allahu na është drejtuar me këtë ajet:

﴿وَقَالَ رَبُّكُمُ ٱدۡعُونِيٓ أَسۡتَجِبۡ لَكُمۡۚ ٦٠﴾

“Zoti juaj ka thënë: “Më thirrni Mua (me lutje), Unë ju përgjigjem.” (El Gafir, 60)

Merri sebepet dhe lutu. Ke nevojë për shtëpi, për veturë, për familje, për tregti, për udhëtim, për haxhillëk, për çfarëdo nevoje që ke, lute Allahun dhe ji i bindur se Ai do të të përgjigjet. Mos thuaj: “S’janë kushtet, nuk janë rendet”, sepse për Allahun është e lehtë.

Zubejr ibn Avami i tha të birit të vet, Abdullahut: “O biri im, nëse nuk ke mundësi ta paguash borxhin tim, kërko ndihmë nga Kujdestari im.” Abdullahu tha: “Betohem në Allahun se unë nuk e dija se kë e kishte për qëllim kur e pyeta: “O baba, kush është Kujdestari yt?” Babai m’u përgjigj: “Allahu.” Pastaj Abdullahu tha: “Betohem në Allahun se, sa herë që isha në vështirësi për ta paguar borxhin e babait tim dhe lutesha duke thënë: “O Kujdestari i Zubejrit, ma paguaj borxhin e tij!”, Allahu ma paguante atë.

Memuni, njëri prej kalifëve të parë, i tha Muhamed ibn Abadit, i cili ishte një njeri i devotshëm: “Jam informuar se kushdo që vjen në Basra, ti do ta marrësh për gosti atë?!” Muhamedi ia ktheu: “Mosdhënia është mendim i keq për Allahun.”

Një njeriu tjetër të devotshëm, kur iu afrua vdekja, i thanë: “Çfarë mendon se do të bëjë Allahu me ty?” Ai tha: “Allahu më nderoi duke qenë unë në shtëpinë time, sigurisht se nderimin që do të ma bëjë në shtëpinë e Tij (në ahiret) do të jetë më i madh se këtu.”

Duhet të kemi kujdes të bëjmë dallimin mes mendimit të mirë për Allahun dhe mashtrimit.

Hasen el Basriu ka thënë: “Disa njerëz janë mashtruar me shpresa, derisa dolën nga kjo dynja pa pasur vepra të mira. Ata thoshin: “Unë kam mendim të mirë për Allahun…” Ata janë gënjeshtarë. Sikur të kishin mendim të mirë për Allahun, do të bënin vepra të mira.”

Ta njohim Allahun. T’i njohim emrat e bukur dhe cilësitë e larta të Allahut.

Emri “el Latif” e ka kuptimin se Allahu ua rregullon punët dhe gjërat krijesave të Tij, nga nuk e presin ata. Ua rregullon punët në mënyrë të fshehtë.

Kur Allahu deshi ta kthejë Musain ﷺ  te nëna e vet, nuk bëri që benu israilët të luftojnë e të çohen në kryengritje kundër Faraonit dhe ushtrisë së tij, por bëri që Musai të mos pranojë asnjë qumësht tjetër përpos qumështin e nënës së vet, saqë u detyruan ta marrin nënën e Musain në kështjellë, që vetë ajo ta ushqejë atë.

Kur Allahu deshi ta lartësojë Jusufin ﷺ , e sprovoi në duart e vëllezërve të tij. Ata e hodhën në pus, pastaj u sprovua në pallatin e mbretit ku u rrit. Më pas u sprovua në burg, porse në fund ai u bë ministër: iu dha pushtet në Tokë.

Madje, disa kanë thënë: “Sikur ta dinte shejtani se ku do të arrijë Jusufi ﷺ , nuk do t’u bënte cytje vëllezërve të Jusufit që ta hidhnin atë.”

Pjesa e dytë e hutbes

Kur të duam një person, ne e presim me mall ardhjen e tij, përgatisim çdo gjë për ta kënaqur dhe mundohemi që assesi të mos e zemërojmë. Ndoshta kjo punë kërkon edhe sakrificë nga ana jonë, porse përballë dashurisë që kemi për të i harrojmë të gjitha lodhjet.

Allahut i takon shembulli më i lartë, porse kështu mund ta dimë sa e duam Allahun. Nëse ne e duam Allahun, atëherë e duam edhe takimin me Të, përmes lutjes, përmes namazit, përmes agjërimit…

Shikojeni këtë fakt, o vëllezër, deri vonë nuk ka pasur orë ose alarm që t’i zgjojë për namaz të sabahut, por besimtarët janë zgjuar edhe për namaz nate, kurse për namaz të sabahut as që e kanë pasur këtë problem.

Ata kishin zemra. Ata kishin motorë të fuqishëm. Ata ishin shumë të sinqertë me Allahun. Nuk kishin hile në raportin e tyre me Allahun.

[1] Muslimi nr.1007.

[2] Buhariu nr. 2891.

[3] Buhariu nr.3.

Përgatiti: Irfan JAHIU

 

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH