[There are no radio stations in the database]

DISA RREGULLA SI TË MBROHEMI NGA EPSHI I NDALUAR (2)

KUNDËRSHTOJE MENDIMIN

Prania  e mendimit të keq në zemër është rrezik. Kur robi nuk i kundërshton e u jep hapësirë mendimeve të këqija, ato zhvillohen në ide, më vonë në dëshirë e vullnet, që, në fund, kalojnë në këmbëngulje dhe në konkretizim të haramit. Andaj, duhet t’u ruhemi mendimeve të këqija dhe të mos qëndrojmë indiferentë karshi tyre. Madje, obligohemi t’i kundërshtojmë e t’i zëvendësojmë me mendime të mira.

Për rëndësinë se duhet të jemi më të kujdesshëm ndaj mendimeve, Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sa u përket mendimeve, çështja e tyre është e vështirë. Ato janë pikënisja e së mirës dhe së keqes. Prej tyre lindin vullnetet, dëshirat dhe këmbënguljet. Kush i kontrollon mendimet e tij, tashmë i ka marrë kapistrat e kontrollit në duart e veta dhe e ka mposhtur epshin e tij. Ndërkaq, tek ai që nuk i kontrollon mendimet dominojnë vetja dhe epshi. Ai që i nënvlerëson mendimet, ato dhunshëm do ta çojnë në shkatërrim. I sillen vazhdimisht nëpër zemër derisa të shndërrohen në shpresa të rrejshme: “… si mirazhi në shkretëtirë, të cilin i etshmi e kujton për ujë, por, kur arrin tek ai vend, nuk gjen asgjë. Aty do të hasë në dënimin e Allahut, i Cili ia paguan llogarinë e tij të plotë, se Allahu është i shpejtë në llogari.” (Nur, 39)

Njeriu me ambiciet më të ulëta dhe më i fundosuri shpirtërisht është ai që kënaqet me shpresa të rrejshme, jeton me to dhe karakteri i tij përshkruhet me to. Betohem në Allahun se ato janë kapitali i të falimentuarve dhe tregtia e dembelëve. Ato janë fuqia e një shpirti të zbrazët që jeton me bindjen se do të arrijë diçka me imagjinatë të largët dhe me shpresa të rrejshme. Ato burojnë nga paaftësia dhe përtacia, ndërkohë njeriun e dëmtojnë më shumë se çdo tjetër. Si pasojë e tyre lindin pakujdesia, shpërfillja, keqardhja dhe dhimbja.

Krenaria, pastërtia dhe ngritja e shpirtit arrihet nëse ai zhvishet nga mendimet e këqija, nuk dëshiron t’i sillen nëpër mendje e as të jenë pjesë e tij.”[1]

Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Gjëja e parë që troket në zemër është mendimi. Për të qenë i rehatshëm, ato duhet të luftohen, sepse pasojat do të jenë të rënda më vonë. Nëse ato shkojnë duke u forcuar, do të shndërrohen në cytje, kundërshtimi i të cilave do të jetë pothuajse i pamundur. Nëse nuk largohen sa më shpejt, ato kalojnë në epsh. Nëse epshi nuk kontrollohet, ai kalon në dëshira e më pas dëshira në këmbëngulje. E, kur të arrijë në këtë gjendje, pothuajse është e pamundshme të kundërshtohet vepra. Kjo është faza më e rëndë e shërimit, sepse kërkohet braktisja e veprës dhe pendimi i sinqertë, e këto nuk janë fare të lehta. Prandaj, luftimi i pikënisjes është më i lehtë, me lejen e Allahut, se braktisja e gjynahut pasi të veprohet.

Nëse shpirti lëndohet me ikjen e të dashurit, atëherë le të krahasojë ikjen e të dashurit sporadik, të mjerë e të njollosur me dhembje me ikjen e të dashurit më të afërm e të pandashëm, të cilit nuk i afrohet i dashuri i parë në asgjë: as në vlerë e as në qëndrueshmëri. Le të bëjë krahasimin ndërmjet dy dhembjeve që i japin këto ikje, se cila është më e fuqishme: dhembja e ikjes së të dashurit të parë apo e të dytit? Le të krahasojë këto dy kënaqësi: atë të pendimit dhe të kthimit nga Allahu, të begatimit me dashurinë, përmendjen dhe adhurimin e Tij me atë të dhënies pas fëlliqësirave dhe veprimit të gjynaheve. Le të krahasojë dy kënaqësitë: atë të ngadhënjimit ndaj gjynahut me atë të ngadhënjimit ndaj armikut. Le të krahasojë dy kënaqësi të tjera: atë të gjynahut me atë të virtytshmërisë. Le të krahasojë dy kënaqësitë vijuese: atë të gjynahut me atë të fuqisë dhe mundjes së armikut. Le të krahasojë dy kënaqësi të tjera: atë të gjynahut me atë të përbuzjes së armikut të tij duke e kthyer të poshtëruar. Le të krahasojë dy kënaqësi të tjera: lezetin kur bën gjynahun me lezetin kur bën adhurim, i cili e pengon vetë gjynahun. Le të krahasojë mosarritjen e qëllimit për të bërë gjynahun me humbjen e lavdërimit që ia bën Allahu dhe melekët, si dhe humbjen e shpërblimit nga ana e Allahut.

Le të krahasojë gëzimin e arritjes së veprimit të gjynahut me atë të gëzimit të braktisjes së gjynahut përnjëherë për hir të Allahut dhe lavdit që i jepet atij në dynja dhe ahiret. Allahu na ndihmoftë!”[2]

Mendimet janë tri llojesh. Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Mendimet dhe pëshpëritjet janë tri llojesh: prej Allahut, prej shejtanit dhe prej vetes.”[3]

Në një fjalim të tijin gjithëpërfshirës e të vlefshëm rreth ndikimit, rrezikut dhe mënyrës së shërimit të mendimeve, thotë: “Rregulli i artë: pikënisja e çdo dijeje teorike dhe pune të vetëzgjedhur është mendimi dhe ideja. Mendimi i detyron përfytyrimet e ato thërrasin në dëshira, të cilat kërkojnë të kryhet vepra. Përsëritja e veprës jep gatishmëri për veprim të menjëhershëm. Andaj, përmirësimi i këtyre shkallëve vjen me përmirësimin e mendimeve dhe ideve. Dhe e kundërta, prishja e tyre vjen me prishjen e mendimeve dhe ideve.

Pastërtia e mendimeve vjen atëherë kur njeriu e di se Zoti e sheh dhe i mbikëqyr mendimet e tij. Pastërtia vjen kur mendimet janë nga lloji që Allahu i do dhe është i kënaqur me to. S’ka dyshim se çdo përmirësim vjen vetëm prej Allahut, çdo udhëzim buron vetëm prej Tij, çdo drejtim vjen nga mbarësia e Tij, çdo mbrojtje e robit vjen nga mbrojtja e Tij dhe çdo devijim e fatkeqësi vjen nga largimi prej Tij. Robi fiton prej mirësisë, udhëzimit dhe mbarësisë kundruall mendimit të tij për argumentet, mirësitë dhe teuhidin e Allahut; e kundruall rrugëve që e njeh Zotin dhe mënyrave të adhurimit të Tij; e kundruall vetëdijes së tij për mbikëqyrjen hyjnore; dhe kundruall mendimeve, vullnetit dhe ambicieve të tij, atëherë e sheh se si i vjen turp prej Allahut dhe si e madhëron Atë, saqë urren të dalë gjë e paturpshme prej tij ose t’i vijë ndonjë mendim i keq që do të mundohet me shpirt e me zemër ta largojë prej vetes.

Kur Zoti te robi e ka këtë pozitë, robin Zoti e ngre dhe e afron, e nderon, e dallon dhe e mbron. Në përputhje me pozitën që Zoti e ka te robi, aq do t’i largojë prej tij fëlliqësirat dhe mendimet e këqija. Dhe e kundërta: sa më tepër që largohet dhe ikën prej Zotit, aq më tepër u afrohet fëlliqësirave dhe ligësive. Realisht shkëputet nga të gjitha gjërat e kompletuara dhe lidhet me të gjitha gjërat e mangëta.

Pra, njeriu bëhet krijesa më e mirë nëse i afrohet Zotit të vet, i respekton urdhrat dhe u largohet ndalesave të Tij, punon me veprat që e kënaqin Zotin dhe i jep përparësi çdo gjëje që Ai e do para epsheve e tekave të tij.

Njeriu bëhet krijesa më e keqe nëse largohet prej Zotit dhe zemra e tij s’ka interes të lëvizë aspak që t’i afrohet, ta adhurojë e as të punojë vepra që e kënaqin Zotin e tij. E, kur njeriu zgjedh t’i afrohet e t’i japë përparësi Zotit para epshit të tij, ai tashmë i jep përparësi zemrës e jo mendjes, imanit e jo vetes dhe shejtanit, mbarësisë e jo devijimit, udhëzimit e jo dëshirave të tij. Nëse zgjedh largimin prej Zotit, ai tashmë i jep përparësi vetes, dëshirave dhe shejtanit para logjikës së drejtë, zemrës së shëndoshë dhe udhëzimit të Zotit.

Dihet se njeriu nuk e ka mundësinë t’i zhdukë e as fuqinë t’i ndërpresë mendimet, ngase ato i vërsulen atij siç i vërsulet njeriut shpirti i vet. Megjithatë, fuqia e imanit dhe e mendjes i ndihmojnë t’i pranojë mendimet më të mira që dëshiron ta shoqërojnë dhe t’i refuzojë të këqijat që urren ta shoqërojnë atë.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Disa sahabë erdhën te Pejgamberi ﷺ dhe e pyetën: “Ka raste kur mendja po na shkon për gjëra që janë të rënda, saqë djegia derisa të bëhemi hi do të ishte më e dashur për ne sesa t’i thoshim.”

– Vallë, kështu qenkeni ndier? – i pyeti Pejgamberi ﷺ.

– Po, – thanë ata.

– Ky është imani i kulluar, – tha Pejgamberi ﷺ.

Sipas një transmetimi tjetër: “Falënderimi i takon vetëm Allahut, i Cili i ktheu kurthet e shejtanit në vesvese.”

Janë dy sqarime rreth domethënies së hadithit:

  1. Refuzimi dhe urrejtja tyre tregon për iman të kulluar.
  2. Prania e vesveseve të tilla dhe ngacmimi shejtanit me to është tregues për iman të kulluar në zemrën e njeriut. Realisht shejtani i hedh këto dyshime në zemrën e njeriut, që t’ia turbullojë atij imanin dhe t’ia largojë atë prej zemrës.

Nefsin që Allahu e krijoi mund ta ngjasojmë me mulli të rrumbullakët dore: sillet pandërprerë dhe bluan çdo gjë, nëse vendos kokërr ai e bluan atë, e, nëse vendos rërë a guralec, ai e bluan po atë.

Mendimet dhe idetë që sillen në mendje e shpirt janë në pozitën e kokrrës që vendoset në mulli dore. Mulliri asnjëherë nuk mbetet pa punë, sepse patjetër do të vendoset diçka në të për të bluar. Ka njerëz që në mulli bluajnë elb dhe prej tij del miell e kësisoj i bëjnë dobi vetes dhe të tjerëve. Por, shumica bluajnë rërë, guralecë dhe fije kashte e, kur vjen koha e gatimit, atëherë u qartësohet se realisht çfarë kanë bluar.

Prandaj, ilaçi më i dobishëm është të angazhosh veten me mendime të dobishme e jo me ato që nuk kanë dobi, sepse të menduarit në gjërat e padobishme është dera e çdo sherri. Angazhimi me to si zakonisht bëhet shkak që të ikin gjërat e dobishme dhe të merresh me çështje të pavlera. Mendimi, ideja, vullneti dhe ambicia janë më meritore që të përmirësohen se vetja jote. Ato janë realiteti yt, nëpërmjet të cilave afrohesh ose largohesh prej Zotit. Lumturia jote e tëra gjendet në afrimin tënd tek Ai dhe në të kënaqurit e Tij me ty, sikurse çdo mjerim që gjendet në largimin tënd prej Tij dhe në zemërimin e Tij ndaj teje. Ai që mendimet dhe fushat e të menduarit i ka të pista, medoemos i tillë do të jetë edhe në çështjet e tjera. Andaj, kujdes që shejtani të mos mbizotërojë çerdhen e mendimeve dhe dëshirave të tua, sepse do t’i prishë ato deri në atë gradë sa më vonë shumë e vështirë do të jetë të përmirësohen. Ai hedh në mendjen tënde vesvese dhe mendime të dëmshme, ndërhyn mes teje dhe mendimit që është në dobinë tënde, e ti vetë je ai që i ke ndihmuar atij kundër vetes duke ia mundësuar të mbizotërojë zemrën dhe mendimet e tua.

E gjithë kjo përmirësohet nëse e angazhon mendjen në fushën e shkencave dhe pikëpamjeve me mësimin e teuhidit dhe të drejtave të tij; nëse e angazhon me realitetin e vdekjes dhe asaj që vjen më pas deri te hyrja në Xhenet ose Xhehenem; nëse e angazhon me zararet që i prishin veprat dhe me mënyrën e mbrojtjes prej tyre; nëse e angazhon në fushën e ambicieve dhe virtyteve; nëse e angazhon me dëshirat e dobishme dhe e largon nga ato të dëmshmet. Urtarët thoshin: “Të shpresosh tradhtinë, saqë e angazhon zemrën dhe mendjen me mendimet rreth saj, është më e dëmshme për zemrën se vetë tradhtia.”[4]

– Shërimi i mendimeve të këqija

  1. Luftimi i mendimeve

Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Mendimi duhet luftuar, përndryshe do shndërrohet në ide. Ideja duhet luftuar, përndryshe do të shndërrohet në epsh. Epshi duhet luftuar, përndryshe do të shndërrohet në vendosmëri dhe pikësynim. Nëse nuk i lufton ato, do të shndërrohen në veprim, e, nëse vepra nuk mënjanohet, ajo shndërrohet në shprehi, e cila më vonë do të jetë shumë e vështirë ta largosh.”[5]

Po ashtu thotë: “Çdokush e di se përmirësimi i mendimeve është më i lehtë se përmirësimi i ideve. Përmirësimi i ideve është më i lehtë se përmirësimi i dëshirave. Përmirësimi i dëshirave është më i lehtë se parandalimi që të shkatërrohet vepra. Parandalimi i shkatërrimi të veprës është më i lehtë se shkëputja e shprehive.”[6]

  1. Zëvendësimi i mendimeve të këqija me mendime të mira

Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Kthimi nga Allahu, të qenët i sinqertë me Allahun, të menduarit si të arrihet dashuria, kënaqësia dhe mbështetja në Allahun gradualisht e pak nga pak i shkrijnë mendimet e këqija derisa të mposhten e të largohen krejtësisht. Më pas të gjitha mendimet, pëshpëritjet dhe dëshirat e tij do të jenë si të arrihet dashuria e Allahut, nëpërmjet rrugëve të të cilave të arrijë tek Allahu, si të arrihet kënaqësia e Allahut, lutja dhe përmendja e Tij.”[7]

Po ashtu Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Kulmi dhe shtylla e kësaj çështjeje është në vazhdueshmërinë e meditimit dhe të menduarit për shenjat e Allahut derisa të mbizotërojnë në mendje dhe ta angazhojnë zemrën me to. Kur domethëniet e Kuranit e mposhtin zemrën në vend të mendimeve dhe lëshojnë rrënjë në të, atëherë ato e marrin pushtetin. Kësisoj, zemra sundon dhe urdhrat e saj respektohen. Rruga e saj ndriçohet dhe rrugëtimi i saj përmirësohet. E gjen të rehatshme në situatat më të vështira: “Ti i shikon malet e mendon se janë të palëvizshme, por ato do të lëvizin si retë. E tillë është fuqia e Allahut, i Cili ka përsosur çdo gjë. Ai di mirë çdo gjë që bëni ju.” (Neml, 88)[8]

  1. Të kapurit për rrugën e përqendrimit

Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ekziston një rregull që e përcakton rrugën e cila shpie te përqendrimi në fe gjatë rrethanave, shprehjeve dhe veprave të ndryshme. Rregulli përbëhet nga dy gjëra: mbikëqyrja e ruajtja e mendimeve dhe të qenët i kujdesshëm nga shpërfillja tyre dhe të kënaqurit me to.

Bazat e çdo krimi vijnë pikërisht nga mendimet, sepse ato janë farë e mbjellë nga shejtani dhe nefsi në tokën e zemrës. Nëse gjendet hapësirë që të mbillen mendimet, atëherë shejtani është i kujdesshëm t’i ujitë ato kohë pas kohe derisa të shndërrohen në dëshira. Vazhdon me ujitjen e tyre derisa ato të shndërrohen në vendosmëri. Sërish vazhdon me ujitjen e tyre derisa ato të japin për fryt veprat. S’ka dyshim se largimi i mendimeve është më i lehtë se largimi i dëshirave dhe vendosmërive. Kur ato të shndërrohen në dëshira të prera, njeriu e gjen veten të paaftë ose i ngjason të paaftit në largimin e tyre. Nëse nuk arrin t’i largojë përderisa ndikimin e kanë të dobët, atëherë llogaritet mospërfillës, i cili i ngjason atij që, kur e sheh gacën e zjarrit se ka rënë në dru të thatë, tregohet i pakujdesshëm deri në momentin kur drutë nisin të ndizen e ai është i paaftë ta fikë atë.

E po, cila është rruga që i mbron mendimet? Shkaqet janë të shumta, ndër të cilat theksojmë:

  1. Dija e prerë se Allahu të mbikëqyr, shikon në zemrën tënde dhe në detaje i di mendimet e tua.
  2. Turpi prej Allahut.
  3. Prej shenjave që tregojnë sa e madhëron Allahun është që të mos ketë mendime të tilla në zemrën tënde, sepse ajo është krijuar për ta njohur dhe dashur Atë.
  4. Frika jote që të mos biesh prej syve të Allahut për shkak të këtyre mendimeve.
  5. T’i japësh përparësi Allahut në zemrën tënde para çdo dashurie tjetër.
  6. Të kesh frikë për mendimet e tua se ato do të shumohen, gacat e tyre do të ndizen dhe do ta djegin në zemër besimin dhe dashurinë për Allahun deri në atë gradë sa do të largohen në tërësi pa e ndier fare.
  7. Të kuptosh se ato mendime janë në shkallën e kokrrës së drithit që i hidhet zogut si kurth, andaj kuptoje se çdo mendim prej mendimeve të tua është kokërr e vendosur si kurth për të rënë në pritë pa e ndier ti fare.
  8. Të kuptosh se në thelb ato mendime të këqija nuk bashkohen me mendimet e imanit, dashurisë dhe përuljes. Përkundrazi, bien ndesh me to në çdo aspekt. Çdoherë që takohen në një zemër, njëra patjetër e mposht tjetrën, kështu që njëra qëndron e tjetra medoemos do të dalë. Çfarë mund të supozosh për një zemër që mendimet e nefsit dhe shejtanit i kanë mposhtur mendimet e imanit, njohjes dhe dashurisë derisa i kanë nxjerrë prej zemrës dhe kanë zënë vendin e tyre. Sikur zemra të kishte gjallëri, do ta përjetonte këtë dhembje të ndryshimit dhe do ta ndiente goditjen.
  9. Të kuptojë se mendime e këqija janë det prej atyre deteve iluzionare që nuk kanë bregdet. Nëse zemra zhytet në to, përmbyset dhe humbet në errësirën e tyre, saqë kërkon shpëtim, por nuk gjen dot rrugë të dalë prej tij. Pra, zemra të cilën e mundin mendimet është larg shpëtimit. Ajo ndëshkohet dhe angazhohet me gjëra që nuk i bëjnë dobi.
  10. Ato mendime janë lugina e budallenjve dhe shpresa e injorantëve. Realisht prej tyre njeriu përfiton vetëm keqardhje dhe poshtërim. Kur mendimet e mposhtin zemrën, aty lëshojnë rrënjë vesveset, pronarit të zemrës i rrëmbehet pushteti dhe ai nuk ka më asnjë kontroll mbi gjymtyrët e tij derisa ato ta fusin në robëri të gjatë.

Sikundërqë njihet ky realitet për mendimet shpirtërore, po ashtu njihet realiteti për mendimet që burojnë nga besimi në Allahun se ato janë esenca e çdo të mire. Vërtet, nëse toka e zemrës mbillet me mendimet e imanit, frikës për Allahun, dashurisë, përuljes, vërtetimin e premtimit dhe shpresës në shpërblimin, më pas ajo ujitet herë pas herë, pronari i saj e punon dhe kujdeset për të, s’ka dyshim se ajo tokë për fryt jep çdo vepër të mirë, e mbush zemrën me mirësi, i përdor gjymtyrët në adhurime, pushtetin e zemrës e mban në dorë dhe gjymtyrët i përqendrohen në rrugë të drejtë.

Një grup besimtarësh, kur u bindën me këtë realitet, u angazhuan që të ruhen nga mendimet e këqija dhe t’i mbjellin mendimet e mira. Kësisoj, kjo u bë rrugëtim i tyre dhe pjesa kryesore e veprave të tyre.

E gjithë kjo pronarit të zemrës i bën dobi me dy kushte:

Kushti i parë: Gjatë rrugëtimit nuk duhet të braktisë asnjë obligim e sunet.

Kushti dytë: Qëllimi kryesor i tij nuk duhet të jetë vetëm ruajtja nga mendimet e këqija, sepse për ta plotësuar qëllimin, ato duhet të zëvendësohen me mendimet e imanit, dashurisë, përuljes, mbështetjes dhe frikës prej Allahut. Prandaj, njëherë e zbraz zemrën prej mendimeve të liga e më pas e mbush me mendimet e mira. Përndryshe, nëse ndodh që zbrazja dhe mbushja e zemrës të bëhet në të njëjtën kohë, i gjithë procesi do të dështojë. Patjetër duhet pasur kujdes të veçantë.”[9]

  1. Mbjellja në shpirt e vetëdijes për mbikëqyrjen hyjnore

Mos harro që në çdo kohë dhe situatë të kërkosh ndihmë prej Allahut “të Gjallit, të Përjetshmit, që për shkak të përsosurisë së Jetës dhe Përjetësisë së Tij, Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Sunduesit të qiejve dhe Tokës, që për shkak të përsosurisë së Dijes së Tij, Ai di çdo gjë, të dukshmen dhe të padukshmen për krijesat e Tij. S’ka gjeth që bie në tokë pa dijen e Tij. Nuk lëviz asnjë thërrmijë atomi pa lejen e Tij. Ai di çka ka në brendësinë e zemrës, ku as melekët e Tij nuk mund të arrijnë deri aty. Ai di se çfarë do të ndodhë me këtë zemër në të ardhmen, që as vetë zemra atë nuk e di. Ai është el Besir (që sheh çdo gjë), që për shkak të përsosurisë në shikimin e Tij sheh çdo hollësi në krijimtarinë e krijesës më të imët, i sheh organet e saj, mishin, gjakun, trurin dhe enën e gjakut të saj. E sheh zvarritjen e saj në tokën shkëmbore në errësirën e natës. Sheh çdo gjë poshtë përbrenda shtatë kat tokave ashtu siç sheh çdo gjë lart përbrenda shtatë kat qiejve. Ai është es Semië (që dëgjon çdo gjë), që e dëgjon njëjtë fjalën e thënë me zë të lartë dhe atë të thënë me zë të ulët. Atij nuk i ikën asgjë!”[10]

[1] “Dau ve Devau”, Ibn Kajimi (1/107).

[2] “Et Tibjan fi Eksam el Kuran” (1/267).

[3] “Igathetu el Lehfan” (1/122).

[4] “El Fevaid” (1/173).

[5] “El Fevaid” (1/31).

[6] “El Fevaid” (1/175).

[7] “Bedaiu el Fevaid” (2/466).

[8] “Risaletu Tebukije” (f. 62).

[9] “Tariku el Hixhretejni” (f. 274).

[10] “Tariku el Hixhretejni” (f. 211).

 

Muhamed el Munexhidi

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

(Pjesë nga libri i përkthyer në gjuhë shqipe “BETEJA ME EPSHET”)


[There are no radio stations in the database]