Reagimet tona

Nga

Justinian Topulli

Disa besimtarë shpesh revoltohen, kur shumë prej nesh reagojnë kundra akteve ekstreme joislame, që bëjnë disa muslimanë, duke na kujtuar se pse nuk reagohet kështu, në këtë masë dhe masivitet sikur reagohet kur bëhen krime karshi muslimanëve?

Së pari, nuk është e vërtetë se nuk reagohet nga muslimanët kur ka krime ndaj muslimanëve, por pyetja që duhet bërë është se a është kusht të reagojnë të gjithë masivisht, siç edhe bëhet shpesh, apo mjafton një pjesë dhe kjo heq barrën edhe nga të tjerët?

Së dyti, reagimi ndaj krimeve që bëhen kundrejt muslimanëve duhet bërë aty ku dëgjojnë dhe lexojnë ata që nuk janë muslimanë, për të ndërgjegjësuar ata për këtë gjë, dhe jo thjesht mes muslimanëve, sepse i bie që ne i qahemi vetes për veten tonë! Çështja është të na dëgjojnë të tjerët, ndërkohë reagimet që ne bëjmë në FB kryesisht i shohim po ne vetë. P.sh. unë shumicën që i kam këtu, për të mos thënë të gjithë, sepse nuk e di, i kam besimtarë, kështu kur shkruaj një reagim kundra një krimi që bëhet ndaj muslimanëve atë shumë shumë pak jomuslimanë do ta lexojnë, ndërkohë që këto lloj reagimesh duhen ruajtur të bëhen sa herë na jepet mundësia atje ku ka auditore që na dëgjojnë dhe të tjerët, madje këtë e kemi detyrim sa herë që kemi mundësi, edhe pse e vërteta është se kjo mundësi është shumë shumë e kufizuar për ne dhe për të tilla raste.

Së treti, duke qenë se këtu në FB, unë për vetë pjesën dërmuese i kam muslimanë, ndaj dhe shkruaj për ta kryesisht, edhe reagimin p.sh, “Pengmarrje” e bëra për ta lexuar ata së pari dhe jo për ata që nuk janë muslimanë, kështu që sipas vendit bëhet kuvendi. Përndryshe ajo çka ndodh më së shumti është se ne bëjmë monolog me vetveten, ndërkohë që ligjërimi ynë në përmbajtje u drejtohet atyre jashtë nesh! Ndërkohë ata jashtë nesh as nuk na dëgjojnë, atëherë ku është dobia me këtë monolog?!

Së katërti, ajo çka duhet të bëjmë ne si muslimanë është të plotësojmë njeri-tjetrin, dhe në këtë rast p.sh. janë të paktë ata që reagojnë brenda bashkësisë, duke kritikuar vetë bashkësinë tonë për problemet që ka.

Së pesti, duam apo s’duam ne jemi të vetëdijshëm që krimet që bëhen ndaj muslimanëve nuk marrin kurrë këtë mediatizim që marrin krimet që bëhen karshi të tjerëve, dhe kjo jo se mediat nuk e dinë se ç’ndodh, por e bëjnë qëllimisht këtë gjë, kështu që zgjidhja është të gjejmë rrugë dhe ndërtojmë media alternative për të ngritur zërin tonë që të na dëgjoj bota, ndërkohë në auditorët ku vetëm ne frekuentojmë duhet të ligjërojmë me problematikat që na shqetësojnë ne si bashkësi dhe të jepen zgjidhjet për to.

Së fundi, të gjitha vuajtjet që muslimanët pësojnë sot në botë shërohen me dy mënyra, e para duke i bërë minimalja dua sa më shumë Zotit për ta dhe për vete, dhe këtu vlen ndërgjegjësimi i brendshëm dhe së dyti, të punojmë për të ndryshuar për mirë veten tonë dhe ata që kemi përreth, pra të bëjmë atë që kemi detyrë (vaxhib) është puna jonë, sesa të vetëm qahemi.

Këtu ja vlen të citoj një urtësi të një sahab, Abdullah ibn Amr ibn As, i cili kur dëgjoi hadithin e Profetit ku thuhet se: “Nuk do të bëhet Kiameti derisa romakët të jenë njerëzit më të shumtë në numër.” ndër të tjera tha se, një arsyet që ata do të kenë këtë përfundim është fakti që ata sa herë u bie ndonjë fatkeqësi e marrin veten shumë shpejt. Pra nuk rrinë duke u qarë si puna jonë sot, por mbledhin mendjen dhe punojnë për zhbërjen e pasojave të asaj fatkeqësie. Këtë duhet të bëjmë dhe ne sot.