PSE ALLAHU E FSHEHU KOHËN E VDEKJES?

Allahu tha: “Agonia e vdekjes do ta sjellë të vërtetën (e jetës tjetër): ja, kjo është ajo së cilës përpiqeshe t’i ikje.” (Kaf: 19)
A e ke menduar ndonjëherë se ku qëndron urtësia e Allahut nga fshehja e kohës së vdekjes? Dhe se pse nuk na është sqaruar koha e vdekjes për çdonjërin nga ne?
Besojmë në vdekjen, e dimë se ajo është e vërtetë, se çdo shpirt do ta shijojë vdekjen dhe çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket, e do të mbetet vetëm Fytyra (Qenia) e Zotit, plot Madhëri dhe Nderim.
Allahu tha: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen…” (Ali Imran: 185)
Allahu tha: “Çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket, e do të mbetet vetëm Fytyra (Qenia) e Zotit Tënd, plot Madhëri dhe Nderim.” (Rrahman 26-27)
Ne nuk e dimë kohën e vdekjes, derisa njeriu atë e pret për çdo moment. Secilën herë kur e rikujton se ka mundësi që çdo moment ta braktisë dynjanë, i kthehet Allahut dhe e rikujton ahiretin.
Po t’ia mësonte Allahu njeriut momentin e vdekjes, do të bënim gjynahe, do të bënim padrejtësi, e pastaj do të pendoheshim para momentit të vdekjes. Në këtë mënyrë humbet urtësia e jetës.
Fshehja e kohës së vdekjes do të thotë se njeriu atë e pret në çdo moment dhe për këtë arsye, nëse është i mençur, njërin sy do ta ketë me dynjanë e tjetrin me ahiretin.
Në këtë mënyrë ai kur e bën një gjynah, nuk e di se Allahu a do t’ia shtojë jetën dhe a do të ketë mundësi të pendohet apo exheli i tij do t’i vijë në kohën kur e bën gjynahun dhe nuk ka mundësi të pendohet.
Ajo çfarë thuhet për gjynahet, thuhet edhe për veprat e mira. Nëse do të dihej koha e vdekjes, njeriu do ta vononte veprimin e veprave të mira derisa të afrohej vdekja, mirëpo, Allahu deshi që përmirësimi dhe vepra e mirë të jenë prezente gjatë tërë jetës së njeriut, ai të garojë në to dhe për këtë shkak e fshehu kohën e vdekjes.
Pra, fshehja e kohës së vdekjes është mëshirë nga ana e Allahut për njerëzit.
Mëshirë që ata t’i frikësohen gjynahut para se të vijë vdekja dhe mëshirë, që ata të nguten në mirësi para se të befasohen me ardhjen e exhelit.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU