Përparësitë befasuese të motit të ftohtë

A ju pëlqen dimri apo jeni më shumë tipa të verës? Pavarësisht nga përgjigjja në këtë pyetje, na presin edhe disa muaj të ftohtë. Por dimri është në fakt i mirë për ju, transmeton koha.net.

Ja pse:

1. I ftohti ju ndihmon të dobësoheni

Derisa plakemi, metabolizmi ynë ngadalësohet, gjë që çon në grumbullim të peshës. Lajmi i mirë është se në trupin e njeriut ekzistojnë dy lloje të yndyrës: yndyra e bardhë dhe ajo ngjyrë kafe. Yndyra ngjyrë kafe gjeneron nxehtësi duke djegur kalori. Ky lloj i yndyrës përdoret nga foshnjat për ta rregulluar temperaturën e trupit. Pjesa më e madhe e yndyrës ngjyrë kafe zhduket kur të rritemi, por diçka megjithatë mbetet në vitet e mëvonshme. Dhe qëllojani çfarë? Kur kemi të ftohtë, trupi ynë e përdor pikërisht këtë yndyrë dhe djeg kalori për t’u ngrohur.

2. Moti i ftohtë mund t’ju ndihmojë tek dhimbjet

Në disa vende, i ftohti përdoret shumë seriozisht për qëllime mjekësore. Finlandezët kanë kryer edhe hulumtime gjeologjike në të cilat dhjetë femra ishin zhytur në ujë të ftohtë me temperaturë pak mbi temperaturën e ngrirjes për një periudhë prej tre muajsh (e ashtuquajtura krioterapi). Analizat e mëvonshme të gjakut treguan vlera të rritura të norepinefrineve për shkak të ekspozimit ndaj të ftohtit. Ky është një kimikat në sistemin tonë nervor i cili ka funksione të ndryshme duke përfshirë edhe të ndalimit të dhimbjes.

Dhe derisa krioterapia dallon nga qëndrimi i thjeshtë jashtë në të ftohtë dhe nuk e ka të njëjtin efekt, në Japoni terapia me të ftohtin përdoret për më shumë se 30 vjet në trajtimin e problemeve reumatike dhe të ngjashme. Pacientët kështu për tre minuta qëndrojnë në një dhomë të ftohur në minus 166 gradë Celsius. Dihet se një trajtim të tillë e ka provuar edhe aktorja Demi Moore. Përveç kësaj, akulli prej kohësh përdoret si një mjet anastetik natyral, sepse e mpin dhimbjen e lëndimit dhe i redukton ënjtjet.

3. Moti i ftohtë mund ta përmirësojë jetën tuaj seksuale

Hulumtimi ka zbuluar se tek meshkujt me ardhjen e vjeshtës dhe përsëri në shkurt rriten nivelet e testosteronit, ndërsa gjatë muajve të verës, ky nivel bie. Pra, sa më ftohtë që është, aq më i lartë niveli i testosteronit. Edhe pse testosteroni nuk është i vetmi përgjegjës për epshin e mashkullit, mungesa e testosteronit mund ta zvogëlojë aftësinë e mashkullit për të jetuar jetë të kënaqshme seksuale. Tani lidheni nivelin e lartë të testosteronit me shprehinë tonë që gjatë muajve të dimrit të mbyllemi në shtëpitë e ngrohta dhe do ta keni përgjigjen në pyetjen se me çfarë tjetër – përveç shikimit të televizorit – merren njerëzit gjatë të ftohtit të madh.

4. I ftohti i vret insektet bartëse të sëmundjeve

I ftohti në masë të madhe e ndihmon shëndetin publik duke i vrarë mikroorganizmat dhe insektet që mund të jenë bartës të sëmundjeve. Një nga shqetësimet që lidhen me ngrohjen globale është pikërisht fakti se në të ardhmen mund të mos jetë ftohtë sa duhet për t’i ngrirë të gjithë sulmuesit potencialisht të rrezikshëm.

5. Klima e ftohtë është e lidhur me jetëgjatësinë

Në një studim shkencor të publikuar në revistën Cell, shkencëtarët nga Universiteti i Michiganit zbuluan se në disa lloje të krimbave, ekspozimi ndaj të ftohtit çon në ndryshime në kodin e tyre gjenetik, gjë që nga ana tjetër e nënkupton edhe zgjatjen e jetëgjatësisë së tyre.

Hulumtimi i vitit 2006 i kryer nga Scripps Research Institute, tregoi se edhe minjtë temperatura trupore e të cilëve ishte ulur jetojnë deri në 20 për qind më gjatë. Në vitin 2009, megjithatë, shkencëtarët nga Universiteti Stony Brook konstatuan se midhjet në ujërat e ngrohta të Spanjës jetojnë vetëm deri 29 vjet, ndërsa i njëjti lloj i midhjeve në ujërat e ftohta të Rusisë mund të jetojnë deri në 200 vjet. Sigurisht, ajo që vlen për organizmat e thjeshta nuk është gjithmonë e zbatueshme për njeriun.

Por, para se të zhvendoseni menjëherë në rajonet e ftohta, është e rëndësishme që ta kuptoni edhe çmimin i cili nganjëherë vjen me një nëntor të fortë. Në fakt, pikërisht në këtë kohë të ftohtë të vitit, rritet shkalla e vdekshmërisë. Presioni i gjakut rritet gjatë dimrit, sezoni i gripit gjithashtu e merr hovin e vet për shkak se virusi përhapet më shpejt kur është ftohtë dhe thatë. Përveç kësaj, gjatë muajve të dimrit ne qëndrojmë më pak jashtë, që do të thotë më pak vitaminë D.