Pasaktësia e dokumentit të Sh. Katerinës

Justinian Topulli

 

Këto ditë qarkullon nëpër internet një letër që i atribuohet pasaktësisht Profetit Muhamed (alejhi salatu ue selam) http://www.mapo.al/…/letra-e-pejgamberit-muhamed-drejtuar-m…, që ai u kishte dhënë si dokument sigurie murgjve të atij manastiri që nga koha e tij, madje në të thuhet se ai e kishte vizituar atë disa herë!

Shën Katerina është një manastir ortodoks që ndodhet në malësinë e gadishullit Sinai, në Egjipthttp://quransmessage.com/tr…/catherine%20monastery%20FM3.htm, në një vend tejet të thepisur dhe malor.

Për të mos u zgjatur shumë argumentet që kanë sjellë dijetarët se pse kjo letër nuk është autentike nga Profeti (alejhi saltu ue selam) janë këto:

  1. Gjuha e përdorur në të dy versionet (pasi ka më shumë se një version të saj !) e letrës ndryshon nga gjuha e kohës së Profetit, në të ka frazeologji shprehjesh që nuk ishin familjare në atë kohë.
  2. Në njërin version të saj është shkruar se ajo është shkruar në vitin e dytë të hixhretit, ndërkohë që përdorimi i kalendarit hixhri ka filluar në vitin e shtatëmbëdhjetë, pra pas vdekjes së Profetit (alejhi salatu ue selam) me 7 vjet.
  3. Disa prej dëshmitarëve që përmenden aty, si Ebu Hurejra, Ebu Derda nuk ishin bërë akoma musliman në vitin e dytë të hixhretit.
  4. Në njërin version thuhet se dëshmitar qe aty edhe Abas ibn Abbdul-Mutalib dhe se kjo letër është shkruar në vitin e 7 të hixhretit, ndërkohë që Abasi nuk ka qenë fare në Medine në atë vit, por e ka shpallur islamin e tij në ditën e çlirimit të Mekës që ka ndodhur në vitin e 8 të hixhretit.
  5. Historianët e Islamit, ata të cilët kanë mbledhur çdo gjurmë që ka lënë pas Profeti (alejhi saltu ue selam) nuk e kanë përmendur fare dhe as zënë në gojë këtë letër.
  6. Në fund të kësaj letre janë përmendur disa emra sahabësh si dëshmitarë, disa njerëz që janë krejt të panjohur si p.sh. Gazi ibn Jasin, Muadhem ibn Kurejsh, Abduladhim ibn Hasen, Thabit ibn Nefis, ndërkohë që emrat e sahabëve njihen mjaft mirë dhe dijetarët i kanë përmendur emrat e tyre nëpër libra specifik.

Kush kërkon të di diçka më tepër rreth kësaj letra le ti kthehet fetvasë të Myftinisë së Egjipit, më specifikisht fetvasë së Shejh Atijetu Sakrhttp://shamela.ws/browse.php/book-432/page-4842

Në fakt nuk është hera e parë që qarkullon në histori të tilla gjëra, Ibn Kudama (v. 1223 e.s) na tregon në librin e tij El_mugni në çështjen me nr. 7702 sesi disa të krishterë pretendonin se kishin një letër nga Profeti ku i lironte ata nga detyrimi i xhizjes dhe sesi Imam Ebul Abas ibn Surejxh (v. 919 e.s.) e hodhi poshtë atë dhe tregon sesi iu kërkua atyre të paraqisnin këtë letër dhe ata nxorën një letë ku thuhej se qe shkruar me dorën e Aliut në emër të Profetit dhe se në të ishin shënuar si dëshmitar Sead ibn Muadh dhe Muauije, ndërkohë që data e shkrimit të letrës ishte pas vdekjes së Seadit dhe para islamit të Muavijes! .

Së fundi duhet të thënë se toleranca dhe dispozitat që mbrojnë të krishterët dhe çifutët nën sundimin e shtetit islam janë të qarta dhe të njohura, si nga thëniet e Profetit si nga praktika e tij dhe e shokëve të tij, kështu që nuk është aspak e nevojshme të paraqiten të tilla materiale aspak autentike.

Dikush mund edhe të mos i kushtoj rëndësi këtij skrupoloziteti për të qenë autentik në thëniet dhe gjurmët e Profetit, ndërkohë që kjo letër pretendohet nga vetë të krishterët dhe na bën nder ne, dhe ky reagim do ti duket i habitshëm. Ndërkohë muslimanët duhet të dinë se kjo fe është ruajtur falë këtij qëndrimi strikt, madje të ashpër për të mos pranuar asgjë që nuk është autentike nga Profeti ndërkohë që ai nuk e ka thënë apo bërë. Kjo edhe për një arsye të tjetër që ka të bëjë me paralajmërimin që Profeti ka bërë për të mos i atribuuar atij asgjë që nuk është autentike. Ndaj është në nderin e çdo kujt që mos përhapë dhe as publikojë gjëra të tilla të pasakta, në momentin që informohet se nuk janë të tilla. Për më tepër një musliman e ka obligim fetar të sigurohet më parë, para se të përcjell nga Profeti i tij diçka për të cilën nuk është i sigurt./shembulli