Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në fillim të vizitës së saj zyrtare në Lituani, është pritur nga presidenti i Republikës së Lituanisë, Gitanas Nauseda, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes së Kosovës, Osmani në takim me presidentin lituanez ka diskutuar “hapjen e kapitujve të rinj të partneritetit në mes të dy shteteve”.
Presidentja Osmani ka përmendur historinë e gjatë të dy popujve në rezistencën e guximshme kundër okupatorëve si dhe kontributin e dy vendeve për një Evropë më paqësore dhe të sigurt.
“Sot Lituania e përkrahë Kosovën në aspiratat euro-atlantike dhe në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, ndërkaq së bashku qëndrojmë kundër luftës gjenocidale të Rusisë në Ukrainë”, ka thënë presidentja Osmani.
Ndër të tjera, të dy presidentët kanë diskutuar edhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë si dhe mundësitë e rritjes së shkëmbimit tregtar.
Presidentja Osmani e ka informuar homologun e saj për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës sot duke kërkuar përkrahjen e Lituanisë për këtë proces si dhe për integrimin e Kosovës në BE dhe në NATO.
Presidenti Nauseda ritheksoi përkrahjen e fuqishme të Lituanisë për pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës si dhe për integrimin euro-atlantik të Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Lituani, presidentja Osmani do të realizojë takime edhe me kryeministren e vendit, Ingrida Simonyte si dhe kryetaren e Kuvendit, Viktorija Cmilyte-Nielsen si dhe do ta vizitojë qendrën e regjistrimit për refugjatë të luftës nga Ukraina dhe më pas do t’i drejtohet një grupi akademikësh e studentësh në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkenca Politike për të folur mbi mbrojtjen e demokracisë.