[There are no radio stations in the database]

NXËNIA PËRMENDSH E KURANIT ËSHTË E LEHTË PËR GJITHË NJERËZIT

Shumë njerëz shpresojnë ta arrijnë një nivel të caktuar të dijes, por ndodh nganjëherë që aftësitë mendore të jenë pengesë për të arritur deri aty. Kurse te nxënia përmendsh e Kuranit është diçka krejtësisht tjetër. Sa njerëz kemi hasur që kanë aftësi të kufizuara apo që s’munden mirë të mësojnë përmendsh, por, megjithatë kanë arritur ta mësojnë përmendsh Kuranin. Për këtë shkak, dijetari, Nuvejriju, Allahu e mëshiroftë, e llogariti këtë fakt prej mrekullive të Kuranit dhe tha: “Kuranin e bëri Allahu të lehtë për ta nxënë përmendsh. Fëmijët për shumë pak kohë e mësojnë përmendsh, gratë, po ashtu, si dhe kemi parë edhe pleq në moshë të thyer që e kanë mësuar përmendsh. Kjo është prej mrekullive të tij.”

Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, rreth komentit të ajetit: “Vërtet, Ne e kemi bërë Kuranin të lehtë për t’u kuptuar dhe kujtuar…” (El-Kamer: 17), tha: “Allahu tregon që nxënia përmendsh e Kuranit është e lehtë dhe do ta ndihmojë atë që e merr këtë hap. Vërtetë, a është dikush që  kërkon ta nxërë përmendsh që t’i ndihmojmë atij?”[1]

Disa dijetarë nxënien përmendsh të Kuranit me lehtësi e llogaritën prej mrekullive të Kuranit, ashtu si thotë imam Maverdiju, Allahu e mëshiroftë: “Prej mrekullive të Kuranit përmendim faktin që Kurani është i lehtë për të gjitha gjuhët, saqë edhe joarabi lehtë e mëson përmendsh. Kuranin e shqipton lehtë edhe i belbri (ai që belbëzon), saqë asnjë libër nuk mundet ta mësojë përmendsh si Kuranin dhe as të lexojë ndonjë libër si Kuranin. Kjo dëshmon për veçoritë hyjnore që i ka Kurani dhe se Allahu e ngriti më lart se çdo libër tjetër të Tij.”[2]

Er-Rafiju, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ne ishim nxënës të mejtepeve (shkollave të Kuranit) dhe i kemi parë nxënësit që mësonin aty se sa me lehtësi e mësonin dhe e thonin përmendsh Kuranin. Stili i lartë dhe hijeshia në renditjen e ajeteve të Kuranit e mundësojnë të jetë i lehtë në memorizim. Sikur këta fëmijë të mundoheshin t’i nxinin përmendsh shkencat e tjera, apo poezi të poetëve të zgjedhur, do të hasnin në vështirësi, saqë do të hiqnin dorë prej tyre. Madje, për të mësuar prej këtyre shkencave, sasi të njëjtë me të Kuranit, do t’i duhej shumëfishi i kohës së harxhuar për Kuran. Po ashtu, nxënia përmendsh e Kuranit bëhet me lehtësi dhe pa pasoja, kurse e shkencave të tjera me mund e me lodhje të madhe.”[3]

“E keni parë fëmijën që prindi e çon në mejtep, ai nuk e ka idenë se si duken shkronjat, gjuhën arabe nuk e njeh fare, përveç disa fjalëve të caktuara që i përdor në përditshmëri me moshatarët e tij dhe, edhe mund të mos e dijë kuptimin e atyre fjalëve. E çon prindi në mejtep ta lexojë Kuranin dhe nuk kalon shumë kohë, e mëson përmendsh krejt Kuranin dhe e përmirëson leximin e tij.”[4]

“Këto janë shkollat e nxënies përmendsh të Kuranit në botën islame, nisma e tyre daton qysh prej zbritjes së Kuranit dhe ende vazhdojnë të gjallërojnë. Numri i nxënësve që regjistrohen në ato shkolla arrin në qindra mijëra nxënës, të cilët e lexojnë Kuranin dhe e mësojnë përmendsh. Çfarë mendoni ju, sikur të kishte vështirësi në nxënien përmendsh të Kuranit, a do të regjistroheshin aq numër i madh i nxënësve apo a do ta regjistronte ndonjë prind birin e vet?!”

“Ai që ndien kënaqësi në leximin e Kuranit, asnjëherë nuk ankohet për Kuranin që është i vështirë të mësohet, por ankohet nga vetja që ka mangësi se nuk mund të lexojë dhe të mësojë më shumë. Por, kur nis t’i lexojë e mësojë disa sure prej Kuranit, atëherë nis edhe gjuha e tij më lirshëm t’i lexojë e mësojë suret e tjera të Kuranit.”[5]

E gjithë kjo e shton vullnetin dhe e rrit ambicien e njeriut për ta nxënë përmendsh Kuranin dhe që ta tejkalojë frikën nga dështimi dhe mosarritja e synimit.

Dr. Muhamed Duvejshi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

“Pjesë nga libri: Nxënia përmendsh e Kuranit”

[1] El-xhami’ li ehakami Kuran, Kurtubiu 17/134).

[2] Ealam en-Nubuveti, imam Maverdiju (fq. 69), që e kam marrë prej librit “Veçoritë e Kuranit”, Fehd er-Rumiju (fq. 162-163).

[3] Iëxhaz el-Kuran (242).

[4] Min Hasais el-Kuran, Fehd er-Rumiju (fq. 161).

[5] Min Hasais el-Kuran, Fehd er-Rumiju (fq. 162).


Continue reading

Previous post

PËRQENDRIMI NË FE


Thumbnail
[There are no radio stations in the database]