Olimpiada e ramazanit

Ramazani është sezon i veçantë adhurimi. Është një periudhë e caktuar kohore, me elemente dhe karakteristika të veçanta, që ofron shanse dhe mundësi të shumta për të përfituar nga mirësitë dhe dhuntitë e panumërta të Allahut. Besimtarët janë shumë të lidhur me të, ardhjen e të cilit për çdo vit e presin me padurim. E dinë se kalimi i testit në këtë muaj nënkupton shpëtimin më të madh, atë nga zjarri i Xhehenemit. Megjithëkëtë, vullneti, elani dhe entuziazmi, që kanë në fillim, nuk i përcjell të gjithë deri në fund të tij. Shkak, siç nënvizojnë dijetarë dhe thirrës të shumtë, është mospërgatitja e duhur shpirtërore dhe fizike.

Meqë jemi në vitin e Kampionatit Evropian, që këtë vit rastisi të nisë në fillim të Ramazanit, pasuar nga lojërat olimpike verore, menduam që në kuadër të ligjëratave të parapërgatitjes për Ramazan të mbajmë këtë ligjëratë nën titullin ‘Olimpiada e Ramazanit’, për ta kuptuar konkretisht madhështinë e këtij muaji dhe rëndësinë e përgatitjes për të. Do t’u referohemi aspekteve të ndryshme të konceptimit të këtyre lojërave (olimpike), parapërgatitjeve për to, pjesëmarrjes aktive, planeve pas tyre, e gjëra të tjera të rëndësishme, sigurisht, sa për krahasim e ilustrim, përndryshe, Ramazani është shumë më madhështor sesa të krahasohet me këso lojërash sportive.

I. KONCEPTI

1. Pozita

Këtë vit lojërat do të mbahen në Rio, ndaj qeveria e atjeshme është e përkushtuar maksimalisht për t’i organizuar si është më së miri. Konceptohet si një ngjarje madhështore për vendin, ngjarje me të cilën sikur duan ta riafirmojnë prestigjin e një shteti të civilizuar. Po muaji të cilin po e presim, e dini sa madhështor është? E dini ç’rëndësi ka për ne? E dini ç’pozitë të umetit afirmon? Është muaji, ardhjen e të cilit Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, e paralajmëronte me fjalët: “Ju erdhi Ramazani, muaji i bekuar. Allahu i Madhëruar jua ka obliguar agjërimin e tij. Në të hapen dyert e qiellit (Xhenetit), mbyllen portat e Xhehenemit dhe prangosen djajtë e tërbuar. Allahu në këtë muaj e ka (privilegjuar) një natë, që është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet prej të mirave të kësaj nate, është privuar prej çdo të mire.”

Ç’muaj është dhe për ç’vlerë bëhet fjalë, na mëson edhe Kurani. Në suren El Bekare, ajeti 185, Allahu i Lartësuar thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).”

Ibn Kajim el Xheuziu thotë: “E, prej këtij (ligji të përzgjedhjes) është edhe përzgjedhja e muajit Ramazan kundrejt të gjithë muajve të tjerë, si dhe përzgjedhja e dhjetëditëshit të tij të fundit kundrejt të gjitha netëve.”

Mbase përzgjedhja qëndron në katër çështje, si më të rëndësishmet:

a) Nata e Kadrit, që është më e mirë së një mijë muaj, rrjedhimisht adhurimi në këtë natë është më me vlerë se adhurimi në një mijë muaj.

b) Zbritja e librave hyjnorë. Imam Ahmedi në Musned dhe Taberaniu në El Muxhemul kebir shënojnë se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Fletushkat e Ibrahimit kanë zbritur në natën e parë të muajit Ramazan, Teurati ka zbritur në ditën e gjashtë, Ungjilli në të trembëdhjetën, Zeburi në të tetëmbëdhjetën, ndërsa Kurani në të njëzetekatërtën, ditën e kaluar të Ramazanit.”[1]

c) Hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit.

d) Adhurimet e shumta dhe të shumëllojshme, disa prej të cilave janë veçori vetëm e Ramazanit, si: agjërimi, teravitë, dhënia e iftarit, itikafi etj.

2. Përjetimi

Pjesëmarrja në lojërat olimpike shihet si rast i artë, që përjetohet si kënaqësi shumë e veçantë. Asnjëri nga pjesëmarrësit nuk ndien monotoni nga garat, përkundrazi, fokusi i tyre është që t’i fitojnë ato. Kësisoj, të paktën, edhe besimtarët do të duhej ta përjetonin ardhjen e Ramazanit. Kënaqësia dhe gëzimi do të duhej të ishin si në takimin për një farë kohe me ndonjë personalitet madhështor në botë, me ndonjë mik të dashur, me ndonjë mysafir të respektuar. Ndryshe, fjalët që i dëgjojmë me të ardhur Ramazani se sikur ta zhvendosnim Ramazanin në dimër, sikur të kishte qenë tri ditë etj., janë fjalë jo që nuk përkojnë me identitetin e besimtarit të sinqertë, porse në fakt janë fjalë dhe veprime të femohuesve.

Në komentimin e ajetit: “O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim, ashtu siç u ishte bërë obligim atyre që ishin para jush, që të bëheni të devotshëm.” (El Bekare, 183) dijetarët kanë cituar Hasan el Basriun të ketë thënë se të gjithë popujve të tjerë iu ishte urdhëruar agjërimi sikurse neve, 30 ditë. Këtë mendim përkrah edhe Sudiji, ndërsa komentuesit e shquar të Kuranit, si Taberiu dhe Ibnul Arabiu, transmetojnë se të krishterëve iu obligua agjërimi (më parë). Po ashtu iu obligua atyre që të mos hanë pas gjumit (kur të zgjohen në mëngjes) dhe të mos kenë marrëdhënie me gratë gjatë muajit të agjërimit. Agjërimi u binte në stinë të ndryshme. Herë u binte në ditë të nxehta e të gjata, herë të tjera në ditë të ftohta e të shkurtra. Duket se kjo i rëndoi, andaj zgjodhën mendimin që ta caktojnë në një stinë të ndërmjetme. Kështu, vendosën ta lënë në vjeshtë, kur nuk është as nxehtë, as ftohtë. Për ta arsyetuar krimin e bërë, thanë: “Do t’i shtojmë 20 ditë, që ta shlyejmë mëkatin.” Kështu që agjërimi i tyre arriti në 50 ditë. Kjo bëri që ata të ligjësojnë atë që Allahu i Madhëruar nuk e ka ligjësuar, ndaj edhe u cilësuan si jobesimtarë. Allahu thotë: “Në të vërtetë, një grup prej tyre janë ata që pështjellojnë gjuhët e tyre kur lexojnë Librin (për ta shtrembëruar kuptimin) ashtu që ju të mendoni se ajo (shprehje) është nga Libri, po ajo nuk është nga Libri (i vërtetë), madje thonë: “Kjo është nga Allahu.” Po ajo nuk është nga Allahu. Ata duke ditur thonë gënjeshtra për Allahun.” (Ali Imran, 78)

Pra, përjetimi i ardhjes së tij si diç e rëndë dhe e vështirë, si diç që na bezdis, është simptomë e sëmurjes së rëndë të zemrës.

3. Përkujtimet

Ramazani gjithashtu është muaj që në memoaret e muslimanëve ka shënuar ngjarje nga më madhështoret, duke filluar nga:

1) Shpallje hyjnore: Zbritja e fletushkave të Ibrahimit, alejhi selam, shpallja e Teuratit, Ungjillit, Zeburit dhe Kuranit.

2) Luftëra: Lufta e Bedrit, që është zhvilluar më 17 Ramazan 2 h, Lufta e Tebukut, më 8 Ramazan 9 h (18 dhjetor 630).

3) Çlirime islame: Çlirimi i Egjiptit në kohën e kalifit Omer Ibn Hatab, Allahu qoftë i kënaqur me të! Kjo ka ngjarë nën komandën e sahabiut të nderuar, Amr ibnul Asit, Allahu qoftë i kënaqur me të dytë!, në vitin 20 h (13 gusht 641). Fillimi i çlirimit të Spanjës, që ka ngjarë në vitin 91 h (710). Çlirimi i Sicilisë, ngjarje kjo e zhvilluar më 9 Ramazan 212 h (1 dhjetor 827). Çlirimi i Mekës, regjistruar më 21 Ramazan 8 h (11 janar 630).

4) Shkencë: Hapja e Universitetit të El-Ez’herit për adhurim e dije. Kjo ka ndodhur më 7 Ramazan 361 h (971) etj.

II. PARAPËRGATITJET

Do të ishte më se e pakuptimtë po qe se një atlet apo sportist që merr pjesë në këto gara të mos parapërgatitej për to shumë më parë, sidomos nëse tashmë i ka vënë vetes për detyrë që të thyejë ndonjë rekord. Mu për këtë qëllim, ndonëse janë gara që mbahen vetëm një herë në katër vjet, pjesëmarrësit përgjatë gjithë kohës, ani pse jo me intensitet të njëjtë, ushtrojnë dhe përgatiten. Ndonjëherë, ata që janë në disiplina paksa më të vështira, kanë, si të thuash, regjime ushtrimesh, që janë goxha të vështira.

Ajo që ne kërkojmë prej besimtarëve është pikërisht kjo: përgatitja para ardhjes së Ramazanit, në mënyrë që të mos i ngjajmë atletit të papërgatitur, që garës mund t’ia fillojë shumë fuqishëm, por që dështon shumë herët. Duam që Ramazani të na gjejë të përgatitur dhe që për asnjë çast të mos largohemi prej tij. Duam që fund e krye të jetojmë me të, të sfidojmë disiplinat e tij, të shënojmë rezultate konkrete dhe të kënaqshme.

Por, si të përgatitemi?

Përgatitja bëhet gjithnjë duke pasur parasysh karakterin dhe natyrën e garave. Më konkretisht, shikohet në fushat në të cilat garohet në këtë olimpiadë dhe përgatitja bëhet pikërisht për to. Fushat në të cilat shtrihet aktiviteti i këtij muaji të shenjtë janë të shumta, por kryesoret mbesin:

1. Agjërimi. Ia vlen shumë të përgatitemi me agjërim, ngase abstenimi i menjëhershëm nga ushqimi dhe pija për një periudhë tridhjetëditore me gjasë nuk është i lehtë. Shumë njerëz, sidomos në ditët e para, përjetojnë probleme të shumta, madje disa i japin fund agjërimit dhe krejt kjo si pasojë e mospërgatitjes konkrete. Buhariu në Sahihun e tij shënon hadithin e Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të!, që përshkruan agjërimin e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, para ardhjes së muajit Ramazan: “Nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ta ketë agjëruar komplet ndonjë muaj përveç Ramazanit, ndërsa në muajt e tjerë nuk më ka rënë ta shoh tek agjëron më shumë se në (muajin) shaban!”

2. Kurani dhe leximi i tij. Enes ibn Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të!, thotë se ka qenë traditë e gjeneratave të para që me rastin e ardhjes së muajit shaban t’u qasen leximit të Kuranit dhe dhënies së zekatit, në mënyrë që ta ndihmojnë besimtarin e varfër për Ramazan.

Mbase arsyeja e kësaj qëndron në fitimin e shprehisë së leximit. Njëri nga selefët ka thënë: “Muaji shaban është muaji i lexuesve. Ai që e ka bërë shprehi të kujdeset për pjesën ditore të leximit para Ramazanit, atë shprehi, me lejen e Allahut, do ta ruajë edhe në Ramazan.”

Për ta kuptuar këtë, do të marr një shembull, që në fakt është ajka e një porosie të një mendjendrituri dhënë një besimtari neglizhues. Zemra i ngjan një organi, që, për shkak të mosfutjes së tij në përdorim për një farë kohe, është ndryshkur. Natyrisht, pastrimi për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme nuk bëhet me një të larë dhe dorëheqja nga pastrimi vetëm pse nuk iu rikthye gjendjes së mëparshme përnjëherë është gabim. Duhet larë disa herë për ta kthyer në gjendjen e mëparshme, kurse sa herë që lahet, shpresat e rikthimit janë gjithnjë e më të mëdha. Kësisoj, shpërfillja e leximit të Kuranit për një kohë ka pasoja, më e rrezikshmja e të cilave është ndryshkja e zemrës, e cila nuk lahet vetëm me një të lexuar të ndonjë pjese të Kuranit. Ka nevojë për shumë e shumë lexim, derisa të të bëhet pjesë e zemrës.

3. Namazi

a) Namazi me xhemat

Mundohu ta falësh namazin me xhemat sa më shumë që të kesh mundësi, në mënyrë që në Ramazan të mos mungosh në asnjë kohë namazi në xhami.

-Qëndrimi në xhami. Në Ramazan është itikafi si adhurim i veçantë, andaj fillo që tani të qëndrosh pas namazit të sabahut apo edhe nga namazi i akshamit deri në jaci, që ta matësh mundësinë e kryerjes së itikafit në Ramazan.

b) Namazi vullnetar

Namazi i teravive është shumë i rëndësishëm. I Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Atij që falet me imamin deri në mbarim, i llogaritet sikur të jetë falur gjatë tërë natës.”[2]

4. Duaja

Ramazani është muaji i duasë. Por, lutjet më të mira dhe më afër pranimit janë tradicionalet, andaj shfrytëzoje kohën duke i mësuar duatë nga hadithet e Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, me shpresë se do të përfitosh prej tyre në këtë muaj të madh që po e presim.

5. Vetëpërmbajtja

a) Në veprime. Qëllimi i agjërimit është pastrimi shpirtëror i besimtarit. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim, ashtu siç u ishte bërë obligim atyre që ishin para jush, që të bëheni të devotshëm.” (El Bekare, 183)

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Për atë që nuk e lë shpifjen, injorancën dhe veprimin sipas saj, Allahu nuk ka nevojë që ta lërë ushqimin dhe pijen e tij.”[3]

Largohu që tani nga gjërat që ta zbehin agjërimin! Mësohu ta kontrollosh veten, në fjalor, gjeste, sjellje, qëndrime…

b) Në kohë. Ruaje kohën. Mundohu qysh tash ta organizosh, në mënyrë që nga përvoja të përmirësosh edhe detajet. Ramazani të mos jetë muaj eksperimentesh, por le të jetë muaj suksesesh. Bëje një orar jo të gjatë gjumi, që ta aplikosh në Ramazan, për të pasur kohë të mjaftueshme për adhurim.

c) Në shpenzime. Në vend të kësaj, përgatit të holla që të ushqesh të varfrit sepse për një ushqim të dhënë ke shpërblimin e një agjëruesi. “Ai që ushqen një agjërues, do ta ketë shpërblimin sikur ai, pa u pakësuar aspak shpërblimi i agjëruesit.”[4]

III. DISIPLINAT

Besimtari e ka mundësinë që në Ramazan të triumfojë, nëse jo në të gjitha fushat, të paktën në disa disiplina. Kjo nuk nënkupton se të gjitha adhurimet e Ramazanit janë me mundësi përzgjedhjeje. Agjërimi është i pakontestueshëm, falja e namazit është e padiskutueshme, porse besimtari ka mundësi që, krahas aspektit obligues, mundin e tij ta derdhë në ndonjërën prej disiplinave të Ramazanit, të cilat mund t’ia sigurojnë shpëtimin. Ja disa prej këtyre disiplinave:

-Agjërimi (me përkushtim). Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Atij që e agjëron Ramazanin me besim dhe duke shpresuar (shpërblim prej Allahut), i falen mëkatet e kaluara.”[5]

-Namazi, veçanërisht ai me xhemat. I Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Atij që falet në Ramazan me besim dhe duke shpresuar (shpërblim prej Allahut), i falen mëkatet e kaluara.”[6]

“Atij që falet me imamin deri në mbarim, i llogaritet sikur të jetë falur gjatë tërë natës.”[7]

-Leximi i Kuranit. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Ai që e lexon një harf (shkronjë) nga Libri i Allahut (Kurani), do të ketë shpërblim. Madje, shpërblimi do t’i dhjetëfishohet. Nuk po them që Elif lam mim-i është (vetëm) një harf, porse elifi është një harf, lami gjithashtu dhe mimi harf më vete.”[8]

Ramazani është muaji në të cilin ka filluar zbritja e Kuranit, andaj dijetarët e shfrytëzonin këtë muaj për ta lexuar Kuranin si adhurim më vete. Prej tyre kishte që gjatë muajit bënin tridhjetë hatme (e përfundonin së lexuari 30 herë).

-Lutja, sidomos gjatë momenteve që shpresohet pranimi i saj, fjala vjen, në kohën e iftarit dhe syfyrit. Kjo ka qenë traditë e robërve të sinqertë të Allahut përgjatë gjithë kohës. Allahu, duke i përshkruar të tillët, thotë: “Dhe ata që janë të durueshëm, të drejtë, të devotshëm e dorëdhënës dhe të cilët në kohën e agimit (syfyrit) kërkojnë ndjesë.” (Ali Imran, 17) “Dhe në syfyr (kah mbarimi i natës) ata kërkonin falje për mëkatet.” (Edh Dharijat, 18)

-Sadakaja: Dhënia ushqim agjëruesve dhe dhënia e zekatit të fitrit janë gjëra që e shumëfishojnë shpërblimin e agjërimit dhe e pastrojnë atë nga gabimet eventuale. I Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Ai që ushqen një agjërues, do ta ketë shpërblimin sikur ai, pa u pakësuar aspak shpërblimi i agjëruesit.”[9]

-Itikafi. Qëndrimi në xhami për adhurim në dhjetëditëshin e fundit është me rëndësi të madhe. Me të synohet arritja e Natës së Kadrit, që është më e mirë se një mijë muaj. Angazhimi në këtë natë sjell shpëtimin. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Atij që falet Natën e Kadrit me besim dhe duke shpresuar (shpërblim prej Allahut), i falen mëkatet e kaluara.”[10]

IV. OBJEKTIVAT

Ramazani është shans i mirë për të fituar mirësi të shumta e të mëdha. Është një minierë në të cilën nuk gjurmohet për ar, por për diamant, ndaj qëllimet e besimtarit nuk guxojnë të kufizohen në gjëra të rëndomta. Ai duhet të ketë synime nga më të lartat. Pra, të mos e konsiderojë sukses agjërimin si adhurim, por ta marrë si mjet për realizimin e një objektivi tjetër madhor, asaj të kënaqjes së Allahut të Lartësuar.

Do të jem prej atyre:

1. Që kanë zemër të pastër. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, qe pyetur për njeriun më të mirë, me ç’rast qe përgjigjur: “Çdo zemërpastër dhe fjalëmirë (folës i së vërtetës).” E pyetën: “Fjalëmirin po e dimë, por zemërpastri kush është?” Tha: “Është i devotshmi, i pastri, që nuk ka mëkate, nuk është mizor, nuk ka smirë e as zili.”[11]

2. Do ta largoj koprracinë dhe t’u ndihmoj njerëzve aq sa kam mundësi. Synoj që Allahu të jetë në ndihmën time, ashtu siç ka thënë Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “Allahu vazhdon ta ndihmojë robin e Tij për aq kohë sa ai e ndihmon vëllanë e vet.”[12]

3. Do t’i fal namazet përherë në kohë dhe me xhemat.

4. Do të agjëroj të hënave dhe të enjteve.

5. Mëtoj që Allahu të mburret me mua. Ky duhet të jetë qëllimi final. Kjo arrihet nga lidhja e besimtarit me adhurimet. Imam Muslimi, përcjellë nga Seid el Hudriu, shënon në Sahihun e tij: “Muaviu vajti te një grup burrash në xhami dhe (meqë nuk ishte kohë namazi) pyeti: “Ç’ju shtyn të qëndroni këtu?” Ata iu përgjigjën: “Po e kujtojmë Allahun.” Ai vazhdoi: “Për Allahun, vetëm për këtë gjë po qëndroni?” Ata ia kthyen: “Për Allahun nuk kemi synim tjetër.” Muaviu u tha: “Sa më përket mua, nuk ju betova pse dyshova në ju dhe nuk ka njeri që ka ndonjë lidhje (më të afërt) me të Dërguarin, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, e që njëherazi ka transmetuar hadithe më pak se unë, por (doja t’ju thosha se) Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, një ditë kishte vajtur në xhami, me ç’rast kishte parë një grup të shokëve të tij, të cilët i kishte pyetur: “Ç’ju shtyn të qëndroni këtu?” Ata i qenë përgjigjur: “Jemi ulur ta kujtojmë Allahun dhe ta falënderojmë që na ka udhëzuar e që na ka begatur me Islamin.” Atëherë i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, u tha: “Për Allahun, a nuk keni kurrfarë qëllimi tjetër ndërsa qëndroni në xhami?” Ata iu përgjigjën: “Për Allahun nuk kemi kurrfarë synimi tjetër.” I Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, u tha: “Sa më përket mua, nuk ju betove pse dyshova në ju, porse më erdhi Xhibrili dhe më njoftoi se Allahu u mburret engjëjve me ju.”

Vëlla dhe motër!

Dua që për një çast të ndaleni dhe të mendoni për atë se ç’do të thotë të mburret Allahu me ty! Paramendoni nëse në këtë botë arrini një titull shtetëror, fjala vjen, për ndonjë kontribut me vlerë duke qenë gjallë shteti të jep privilegje duke mos ta mbyllur derën askund. Po privilegji i mburrjes së Allahut me ty? Mendon se nuk t’i hap të gjitha dyert?! A mund ta përjetosh ndjenjën e të qenit Allahu i kënaqur me ty dhe t’u mburret melekëve me veprën tënde. Buhariu dhe Muslimi, përcjellë nga Ebu Hurejra, shënojnë se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kur Allahu e do ndonjë rob, e thërret Xhibrilin: “Allahu e do filanin, ndaj duaje edhe ti!” Kështu, Xhibrili e do dhe thërret edhe banorët e qiellit: “Allahu e do filanin, ndaj duajeni edhe ju! Kësisoj, e duan edhe ata. Pastaj, dashuria ndaj atij robi u jepet edhe banorëve të Tokës!”

Përmbyllje

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Mospjesëmarrja në Ramazan ndëshkohet (konsiderohet ndër mëkatet më të mëdha), sakaq pjesëmarrësi që e lëshon rastin pa fituar, llogaritet i dobët: “I përulur (i nënçmuar) është ai që e arrin Ramazani, porse i ikën pa iu falur mëkatet.”[13]

Meqë kanë mbetur vetëm ca javë pa ardhur Ramazani, ta lusim Allahun e Madhëruar të na mundësojë arritjen e këtij muaji dhe të mos na privojë nga mirësitë e tij! Amin!

Dr. Sedat ISLAMI

[1]Albani, në Es Silsile sahihah, 1575, e cilëson si hasen (të mirë).

[2]Ebu Davudi, ndërsa Albani e vlerëson si të saktë.

[4]Albani e vlerëson si të saktë.

[7]Ibn Maxhe, ndërsa Albani thotë se hadithi është i saktë.

[8]Tirmidhiu, ndërsa Albani e vlerëson si të saktë.

[9]Albani e vlerëson si të saktë.

[11]Ibn Maxhe, ndërsa Albani e vlerëson si të saktë.

[12]Muslimi dhe Ibn Maxhe.

[13]Tirmidhiu, ndërsa Albani e konsideron si të saktë.