OKB: Rreth 10,4 milionë fëmijë pritet të përballen me kequshqyerje akute më 2021

Rreth 10,4 milionë fëmijë në Republikën Demokratike të Kongos (DRC), Sudanin e Jugut, Nigerinë verilindore, Sahelin Qendror dhe Jemen pritet të vuajnë nga kequshqyerja akute në vitin 2021, tha UNICEF, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, agjencia e OKB-së për fëmijët tha se këto vende dhe rajone po përjetojnë kriza të tmerrshme humanitare dhe për më tepër, po luftojnë me intensifikimin e pasigurisë ushqimore, pandeminë vdekjeprurëse COVID-19 dhe, me përjashtim të Sahelit Qendror, kërcënohen nga uria.

“Për vendet e tronditura nga pasojat e konflikteve, katastrofave dhe ndryshimit të klimës, COVID-19 e ka kthyer krizën ushqyese në një katastrofë të pashmangshme”, ka thënë Drejtorja Ekzekutive e UNICEF-it, Henrietta Fore.

“Familjet që tashmë kanë vështirësi t’i ushqejnë fëmijët e tyre dhe veten e tyre, tani janë në prag të urisë. Ne nuk mund t’i lejojmë ata të jenë viktimat e harruara të vitit 2020”, ka shtuar Fore.

Rritja e kequshqyerjes akute dhe pasigurisë ushqimore në familje midis fëmijëve në Afrikë dhe Jemen është për shkak të konfliktit të vazhdueshëm të armatosur dhe pasigurisë mes mundësive të kufizuara në ushqimin thelbësor, shërbimet e ujit dhe kanalizimeve, kujdesin shëndetësor dhe higjienë, thuhet në deklaratë.

Për më tepër, përmbytjet në disa zona gjatë vitit 2020 kanë përkeqësuar nivelin tashmë të konsiderueshëm të kequshqyerjes akute te fëmijët.

UNICEF tha në Sudanin e Jugut, rreth 7,3 milionë njerëz, 60 për qind e popullsisë së vendit, parashikohet të përballen me pasiguri të rëndë akute ushqimore në vitin 2021, ndërsa rreth 1,4 milion fëmijë në vend pritet të përjetojnë kequshqyerje akute në po të njëjtin vit, që vlerësohet si norma më e lartë që nga viti 2013.

Gjithashtu, në DRC, rreth 3,3 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç pritet të vuajnë nga kequshqyerja akute në vitin 2021, duke përfshirë jo më pak se 1 milion fëmijë me kequshqyerje akute të rëndë, sipas deklaratës.