Në sprovime ka mësime

Në sprovime ka mësime. Ka shumë mësime, por ja gjashtë sosh:

Mësimi i parë

Dobia e sprovave ka ndikim në teuhidin e njeriut, në imanin e tij dhe në tevekulin (mbështetjen në Allahun) e tij. Të bëjnë të ekzaminosh realitetin se njerëzit janë krijesa të dobëta pa ndonjë fuqi a forcë, me përjashtim të atyre të Zotit. Për këtë arsye ne i drejtohemi Atij dhe nga Ai varemi. Si pasojë, arroganca, krenaria e rreme e neglizhenca do të të largohen dhe do të të bëhet e ditur se me të vërtetë je i varfër dhe se ke nevojë për Krijuesin tënd, të Plotfuqishmin, më të Përkryerin, dhe së këndejmi i drejtohemi Atij.

Mësimi i dytë

Sprovat shpleksin realitetin e jetës. Kjo jetë është shpjeguar të jetë qëndrim i përkohshëm për kënaqje, ndërsa jeta e përkryer është ajo që pason, aty ku nuk ka mundim, shqetësim, lodhje apo sëmurje.

“Dhe jeta e kësaj bote është vetëm dëfrim dhe lojë! Kjo jetë e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se dëfrim e lojë, e jetë e vërtetë, pa dyshim, është ajo e botës së ardhme, sikur ta dinim.” (Kuran, 29: 64)

Edhe përkundër këtij dëfrimi e loje, ka rraskapitje e lodhje. Ky është realiteti i kësaj jete – një ditë të buzëqesh jeta, ditën tjetër ta kthen shpinën. E kjo është natyra e jetës, por ja që njerëzit e harrojnë këtë fakt. Sprovimet vijnë dhe shërbejnë për të përkujtuar njeriun për natyrën e kësaj jete dhe se ai nuk duhet të lidhet shumë me të.

Mësimi i tretë

Sprovat e përkujtojnë njeriun për të mirat që Allahu ia ka dhënë. Ato gjithashtu janë edhe përkujtues se kjo jetë është kalimtare.

Mësimi i katërt

Paralajmërohemi të shmangemi së qeni në gjendje hareje të atillë që të ndiejmë arrogancë dhe në të njëjtën mënyrë të shmangemi së qeni në gjendje pikëllimi e vrerosjeje që shpie në dëshpërim.

“Asnjë fatkeqësi nuk bie në tokë ose në ju pa qenë e shkruar në Librin e Vendimeve (Levhi Mahfudh) para se Ne ta sjellim në ekzistencë. Me të vërtetë kjo është e lehtë për Allahun. Kështu, që të mos ankoheni për gjërat që nuk mundeni t’i keni e as të ngazëlleheni për gjërat që ju jepen. Dhe Allahu nuk do asnjë arrogant e mburravec.” (Kuran, 57: 22-23)

Mësimi i pestë

Sprovat përkujtojnë njeriun për mangësitë dhe dobësitë (e zemrës dhe të veprimeve), kështu që ai të ndërmarrë masa parandaluese kundër tyre.

“Çfarëdo e mire që ju bie, ajo është nga Allahu, ndërsa çfarëdo e keqe që ju bie, ajo është prej vetë jush. Ne të dërguam ty Pejgamber për mbarë botën. Mjafton që Allahu është dëshmues për këtë.” (Kuran, 4: 79)

“Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija). E për shumë të tjera Ai ju fal.” (Kuran, 42: 30)

“Ne do t’i bëjmë ata të shijojnë dënimin më të shpejtë (në këtë botë) para dënimit të madh (në botën tjetër), ndoshta do të tërhiqen (prej të këqijave).” (Kuran, 32: 21)

Dënimi më i vogël është në këtë botë, që është përplot fatkeqësish, katastrofash dhe vështirësish.

Mësimi i gjashtë

Sprovat shërbejnë si procese të mrekullueshme mësimi përmes të cilave njeriu mëson durimin. Nuk mundemi të jemi të qëndrueshëm në të vërtetën dhe në dëgjueshmëri, përveç se me durim; dhe nuk mundemi të qëndrojmë larg së pavërtetës dhe padëgjueshmërisë, përveç se me durim dhe këmbëngulje. Nuk mund të ecim në rrugët e kësaj jete, përveç se me durim për sa i përket Paracaktimit të Allahut. Përfundimi i kësaj është Xhenet el-Kulbi dhe Ridvani – begatia e pakufishme në Parajsë si dhe Kënaqësia e Allahut.

“Mirëpo këtë nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që janë të durueshëm dhe nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që kanë virtyt të lartë.” (Kuran, 41: 35)

Përktheu nga anglishtja: Arsim Jonuzi
24 korrik 2012

Nga dr. Salih es-Salih (Dr. Saleh as-Saleh)

Hadixha Xhons (Khadejah Jones)