NË KËRKIM TË THESAREVE JETËSORE

(Reflektim mbi botimin e librit “Dritë në kohën tonë” të autorit Flamur Kabashi, libër këshillues me motive islame. Mitrovicë, 2016)

Shkruan: Imer Pantina, Profesor i Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, Master i Gazetarisë dhe Komunikimeve Mediale

 

Libri “Dritë në kohën tonë” i autorit Flamur Kabashi na jep atë rrëfenjën e raporteve të njeriut me modelin e të jetuarit sipas parimeve natyrale të tij, – islamit. Është libër me fragmente të shkurtëra leximi, por, me jehonën e madhe që lë porosia e tij. Libër që mbase është shkrirë koha e kaluar me të sotmen për t’u veçuar si mësim dhe përvojë porosia universale e dashurisë së njeriut ndaj vlerës së jetës së tij, dhe, t’i hedhë dritën e pastërtisë së fesë islame të frymëzuar nga Krijuesi Madhështor.

Autori në këtë libër është kërkues i thesareve jetësore të vjelura nga përvoja dhe urtësitë e njerëzve që kanë lënë ndikim. Protagonistët në këtë libër  janë të përzgjedhur nga autori për shkak se kanë përquar tek të tjerët sistemin superior të vlerave islame, me punën dhe mendimtarinë e tyre intelektuale. Protagonistët nuk i përkasin vetëm një nacionaliteti, ka madje edhe dijetarë shqiptarë, siç është shejh Albani, Sh. Arnauti etj, por i përkasin të njëtit sistem vlerash mbi të cilin kanë jetuar në atë formë sa që kanë mahnitur të tjerët me energjinë dhe shëmbëlltyrat pozitive që i kanë dhënë shoqërisë. Protagonistët nuk janë të largët, kryesisht janë bashkëkohorë, por janë të inspiruar po nga ai qytetërim dhe kriter vlerash që buron nga Kur’ani famëlartë dhe shëmbëlltyra e të Dërguarit a.s.

Në gjashtë kapitujt e librit lexuesi do të gjejë se deri në çfarë kufijsh shkojnë virtytet e larta morale, besimi në Zotin e Madhërishëm, ambiciet e larta, bamirësia mes njerëzve, thirrja e tyre, me mençuri maksimale në rrugën e drejtë. Lexuesi do të mësojë atë burimin sublim që i ka kalitur protagonistët dhe i ka bëra me famë në mbarë botën isame. Në të njëjtën kohë këta protagonistë, krahas famës, kishin një vlerë më të veçantë, – modestinë. Tërësisht të vetëdijshëm për kalueshmërinë e tyre nga kjo botë dhe përgjegjësitë që duhet marrë me vete për kohën e jetuar në të, për diturinë e tyre, për veprat e tyre.

Libri trajton modelin e të jetuarit me parimet e fesë së pastër islame që buron nga Zoti i Madhërishëm, shpërfaq atë burimin e pagabueshëm të të jetuarit, dhe, kjo ndoshta është porosia më e rëndësishme e librit.

Libri “Dritë në kohën tone”, thirrmë për t’i dhënë dritë kohës. Përse ky titull?

Çdo kohë ka turbulencat e veta që vërshohen nga shumë dukuri, që në sipërfaqe paraqiten si moderne, avangarde, por, që pasojat e tyre i vuan shoqëria. Andaj, ta mësosh dikë se si formohet personaliteti intelektual, me virtyte familjare, dhembshurie, dashurie, bamirësie, është pakëz dritë në kohën e tij kalimtare. Këtë bën ky libër, – shpërfaq ato dukuri që e bëjnë njeriun të ec jo nëpër turbulencë errësire, por, në dritë të hapur të cilën e pranon vet natyrshmëria njerëzore.

Mesazhi kulminant i librit është që njeriu, pavarësisht preokupimeve të tij të përditshme, sprovave, egove dhe jetës dinamike që bartë në kurrizin e tij, asnjëherë nuk duhet të harrojë atë arsyen kryesore përse e jeton këtë botë. Libri jep dëshmi të qarta se suksesi i tij vjen jo vetëm përmes rrugëve të lehta, dhe, jo pa u vënë në sprovë gatishmëria e tij, performansa e tij që tregon në raport me krijesat dhe Krijuesin Fuqiplotë.

Libri socializohet mirë me kohën tonë, me shoqërinë tonë. Është një referencë e mirë për t’i velur ato vlerat etike – morale. Shpërfaq vlerat universale dhe në njëfarë mënyre i thotë njerëzores: Ja, këtej është rruga e ndriçuar. Këtej është dashuria për vet jetën, këtej vjen e mira. Kështu kanë jetuar ata që i ka mbajtur në mend historia si njerëzit më të devotshëm. Pra, libër që jep në mënyrë të përmbledhur, me pak fjalë, jehonën e madhe të shembujve që kanë lënë gjurmë në kujtesën e njerëzve.

Botimi i çdo libri ka procedurat e veta duke filluar prej inspirimit të autorit, orvatjeve të tij për të dhënë atë rrëfenjën që ka pasur mundësi ta hulumtojë në burime të ndryshme, çoftë në literaturë, në vet përditshmërinë jetësore, meditimet e tij, shkrimin, përmirësimet dhe kriteret që përzgjedh për ta formësuar si libër etj. Deri këtu është puna e autorit, pastaj, vijnë arsyet teknike që i japin formë si libër të gatshëm për lexuesin. Kjo e dyta në të shumtën e rasteve varet prej menagjimit financiar dhe organizimit të shtëpive botuese. Tani, mendoj unë, autori e ka dhënë maksimunim e tij dhe i mbetet shoqërisë që ta ribotojë dhe ta nxjerrë nga ” kafazi” i tirazhit njëmijë copësh.