Në iOS 10 të gjithë mund t’ua lexojnë mesazhet

Me çdo përditësim të ri vjen edhe nga një problem i ri.

iOS 10 mund të jetë më i mirë se iOS 9 sa i përket veçorive dhe punës, por ka një mangësi – pasi lejon të gjithë t’ua lexojnë mesazhet.

Sigurisht se kjo veçori ishte bërë me qëllim që të mund t’ua kthenit mesazhet njerëzve më shpejt, por kjo veçori mund të përdoret që të tjerët t’ua lexojnë mesazhet, transmeton Gazeta Express.

Siç mund ta shihni në foton më poshtë që është publikuar në internet, dikush e ka testuar këtë dhe ia ka arritur që t’ia kthejë dikujt mesazhin pa pasur nevojë që ta shkruaj kodin e celularit.

Kjo arrihet në këtë mënyrë: Kur dikush iu dërgon mesazh dhe celulari juaj është i mbyllur, duke rrëshqitur me gisht në anën e majtë në njoftim dhe duke klikuar View, hapet një dritare ku dalin dy opsione – Reply dhe Sticker, nëse klikoni Reply ju mund t’ia ktheni mesazhin atij që ka shkruar pa pasur nevojë që ta shkruani kodin e celularit.

Ky është një problem i madh i sigurisë për të gjithë ata që e lënë celularin e tyre kudo. Por, ekziston një mënyrë se si ta ndalni këtë. Thjeshtë shkoni në Settings, klikoni në Touch ID and Passcode. Më pas do t’ju kërkohet që ta shkruani kodin i cili ju lejon që ta ndalni opsionin “Reply with Message”.