Mosveprimi fatal: Si u rikthye fruthi?

Dështimi i Rumanisë për të parandaluar shpërthimin vrasës së fruthit është një histori vetëkënaqësie e tepruar, me punë të lëna pas dore dhe me diskriminim. Ajo është gjithashtu një rrëfejë paralajmëruese për Europën.

Karla nuk ishte vaksinuar kurrë për fruthin. Shëndeti i saj nuk e lejonte. E lindur me ezofag të ndërprerë, ajo e kaloi foshnjërinë duke hyrë e dalë nga spitali, shpesh me pneumoni.

Gjatë një qëndrimi rutinë në Spitalin e Urgjencës për Fëmijë Louis Turcanu në qytetin e Timishoarës në Rumaninë perëndimore, foshnja u gjend në të njëjtën dysheme me një vajzë që kishte fruth. Shpejt, Karla kaloi në ethe.

Ajo u transferua në anën tjetër të qytetit te Spitali Klinik për Sëmundje Infektive dhe Pneumonologji Victor Babes. Spitali ishte aq i tejmbushur me pacientë me fruth sa fillimisht Karla u vendos në një pavion me të rritur. Temperatura e saj u përkeqësua, duke u rritur në deri 42 gradë Celsius.

Gjatë natës së 18 dhjetorit 2016, ajo filloi të rënkojë në një mënyrë që nëna e saj, Florentina Marcusan, nuk e kishte parë kurrë më parë. Ajo kishte acarim në fytyrë dhe kraharor.

Pak pas orës 8 të mëngjesit, ndërsa një infermiere po i bënte Karlës një injektim, koka e vajzës filloi të dridhet. Ndërsa infermierja vrapoi për të kërkuar ndihmë, Marcusan e mbajti fëmijën e saj në krahë.

“Kur pashë se nuk po reagonte më, më zuri paniku dhe e vura në krevat, sepse e dija se ajo kishte vdekur… në krahët e mi,” rikujton ajo.

Doktorët e nxorën nënën e shqetësuar jashtë pavionit ndërsa u përpoqën ta ringjallnin vajzën. Ajo priti në të ftohtë para ndërtesës, duke ndezur cigaret njëra pas tjetrës dhe duke shtrënguar arushin tedi të Karlës.

Dyzet e pesë minuta më vonë, në orën 9.10, Karla Iasmina Georgiana Popa u deklarua e vdekur. Ajo ishte një vjeç e tre muaj.

Vajza e vogël ishte një nga 10 viktimat e fruthit në Rumani, sëmundje që deri në fund të nëntorit ka vrarë 36 vetë – më së shumti foshnja – dhe ka infektuar rreth 10 mijë të tjerë që kur u raportuan rastet e para në janar.

Kjo është epidemia më vdekjeprurëse në këtë vend që nga viti 2005, kur regjimi me dy raunde i vaksinimit kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, MMR, filloi të funksionojë.

Rastet e fruthit të lidhura me Rumaninë janë dalluar edhe larg në Belgjikë, Spanjë dhe Irlandë, por shpërthimet atje janë shumë të vogla në krahasim me epideminë që vrau Karlën.

Nëna e vajzës ia hedh fajin spitalit ku ajo qëndroi që nuk bëri mjaftueshëm për ta mbrojtur atë.

“Kam kaq shumë urrejtje brenda,” tha Marcusan, duke folur gjashtë muaj pas vdekjes së Karlës në fshatin e saj të lindjes Dubesti, rreth 90 kilometra nga Timishoara.

“Nuk i besoj më askujt.”

Mungesa e besimit është në zemër të krizës së fruthit në Rumani, ku besimi në shërbimet shëndetësore pengohet nga perceptimet mbi kushtet e këqija dhe keqmenaxhimet.

Pavarësisht disponueshmërisë së vaksinave falas të MMR-së pranë mjekëve të familjeve, të cilat i jepen fëmijëve në dy doza me distancë disavjeçare, normat e vaksinimit kanë rënë ndjeshëm.

Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, dhe sipas ministrisë së shëndetësisë së Rumanisë, normat për dozën e parë kanë rënë me 11 për qind përgjatë dekadës së fundit dhe për dozën e dytë kanë rënë me 29 për qind.

Shumë me shpejtësi akuzojnë për epideminë një lëvizje të ethshme kundër vaksinimit, por mjekët dhe ekspertët e shëndetësisë i vënë gishtin edhe autoriteteve rumune, duke përshkruar një dështim sistemik për parandalimin e një krize të paralajmëruar.

Nga keqmenaxhimi i stokut të vaksinave te dhënia e alarmit tepër vonë, ata paraqesin një tablo burokracie të paaftë dhe të vetëkënaqur – me pasoja shkatërrimtare.

“Programi i imunizimit nuk mund të jetë më i mirë se sa programi i shëndetësisë që e organizon atë,” tha Eduard Petrescu, një koordinator te Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, në Rumani.

Të tjerët e shohin si një rrëfenjë paralajmëruese të asaj se çfarë ndodh kur autoritetet dështojnë të sjellin bashkësitë e margjinalizuara – në këtë rast minorancën Rome – nën kujdesin shëndetësor kombëtar.

“Nëse nuk vaksinon vazhdimisht, në mënyrë sistematike dhe me këmbëngulje, virusi e mbush boshllëkun menjëherë,” thotë Adriana Pistol, drejtoreshë e Qendrës për Mbikëqyrjen dhe Kontrollin e Sëmundjeve të Komunikueshme në Rumani, pjesë e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe e ministrisë së shëndetësisë.

Jashtë sistemit

Para shpikjes së vaksinës së fruthit në vitet 1960, pothuajse të gjithë fëmijët sëmureshin nga ajo pa i mbushur ende të pesëmbëdhjetat. Virusi shumë infektues transmetohet përmes kollës, teshtitjeve apo kontakteve me pështymën e infektuar.

Para fushatave masive të vaksinimit, epidemitë madhore shpërthenin një herë në dy apo tre vjet, duke vrarë mesatarisht 2.6 milionë njerëz në të gjithë botën, sipas OBSH-së. Në vitin 2016, vdekjet në botë ranë në rreth 90 mijë.