Mjekët, synetimi pengon sidën

Pas deklaratës së ambasadorit amerikan Pol Uollers se synetimi është një nga metodat që meshkujt të mbrohen nga infektimi me virusin e Sidës, mjekët shpjegojnë se me synetim pengohet edhe përhapja e një numri të madh të sëmundjeve tjera seksuale.

Sipas mjekëve, synetimi kontribuon për një jetë më higjienike dhe zvogëlon rrezikun nga sëmundjet e ndryshme. ‘Kjo për shkak se tek meshkujt e pa bërë synet që nuk mbajnë higjienë zhvillohet smegma, që do të thotë djersitje e lëkurës së organit gjenital, ajo smegmë kontribuon që të shkaktohet infektime dhe zhvillime të sëmundjeve tjera dhe madje zhvillimin e karcinomeve, pasi e dimë se karcinemet janë më të shpeshta tek meshkujt që nuk janë të bërë synet’, tha Dr. urolog, Zllatko Daçeski, klinika e sëmundjeve kirurgjike ‘Shën Naumi i Ohrit’.
Sipas të dhënave të organizatës botërore të shëndetësisë, meshkujt që janë të bërë synet kanë 60 për qind më pak rrezik që të infektohen me virusin HIV. Në disa vende ku shkalla e të sëmurëve nga SIDA është shumë e lartë, si për shembull në Zimbabve, në fushatën për pengimin e sëmundjes u bënë synet të gjithë deputetët. Në SHBA janë të bërë synet një numër i madh i qytetarëve. Megjithatë Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se duhet të kihet kujdes kur njerëzve u shpjegohet se synetimi ka ndikim mbrojtës, sepse jep vetëm mbrojtje të pjesërishme. /alsat-m/