MISTRECI QË DËSHIRON TË BËHET I MADH

Fushata e fundit e terrorit shtetëror maqedonas ndaj shqiptarëve në Maqedoni ka bërë që të gjithë ne të jemi të shqetësuar por edhe solidar me vëllezërit tanë që u arrestuan dhe u akuzuan me akuza për vrasje pa asnjë provë ,por vetëm pse janë shqiptar dhe mysliman . Në këtë aksion të policisë maqedonase u arrestuan edhe femra pa u kursyer edhe një nënë shqiptare 60 vjeçare.

Për të arsyetuar para faktorit ndërkombëtarë brutalitetin e kësaj fushate terrori kundër shqiptarëve shteti maqedonas u deklarua se   të arrestuarit që akuzohen për vrasjen e pesë të rinjve maqedonas janë pjesë e një grupi radikal islam, akuzë kjo e përdorur aq shumë viteve të fundit për të kamufluar shkeljen e të drejtave të njeriut në emër të të ashtuquajturës luftë globale kundër terrorizmit.

 Kur shteti  i Maqedonisë dhe ai  i Serbisë përdorë akuza të tilla për ti arritur qëllimet e veta që janë anti shqiptare dhe anti islame kjo nuk na habit, sepse dihen botërisht qëndrimet e serbëve dhe sllavo- maqedonasve në raport me shqiptarët , por është mjaftë e dhimbshme dhe perfide kur një i vetëquajtur shqiptar deputet i parlamentit të Kosovës rri indiferent përballë asaj që shteti maqedonas po bën mbi shqiptarët e Maqedonisë ndërsa në anën tjetër mundohet të shfrytëzoj momentet e shqetësimit kombëtar për interesa të veta duke përdorur akuza të njëjta me ato të serbëve dhe sllavo maqedonasve kundër shqiptarëve mysliman  së gjoja po ekzistuaka   ekstremizëm islamik tek shqiptarët.

 Është ky Burim Ramadani sekretari i përgjithshëm i AAK-së i cili me të drejtë i ka humbur shpresat që do të arrij të bëhet “ i madh “  për shkak të paaftësisë së tij dhe gjendjes së  subjektit  politik të cilit i shërben andaj ka huazuar metodat e serbëve dhe sllavo – maqedonasve për shpifje dhe akuza për ekstremizëm islamik tek shqiptarët, që përmes kësaj mistreci të bëhet gjigant.

Burim Ramadani duke qenë i  pa perspektivë  si duket beson në çudira dhe shpresa e vetme i ka mbetur tek ajo që quhet “ zarfi i çudirave “ duke shpresuar që ndonjë ditë nga ndonjë zarf do të del emri i tij dhe kështu do të bëhet i madh. Në përpjekje për ta fituar simpatinë e ndërkombëtarëve duke e dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovë e që është gjëja e fundit për të cilën mërzitet lloji i Burim mistrecit ky i fundit ka shkruar një shkrim me titull “ rreziku nga lëvizjet ekstremiste fetare në Kosovë “ i cili u botua në gazetën “ Zëri “ me datë 02.05.2012.

Po ta lexoj këtë titull dikush që nuk ka qenë ndonjëherë në Kosovë apo që thjeshtë nuk ka informata për vendin tonë dhe po ti mbushet mendja ta vizitoj Kosovën në bagazhin e tij do të fuste një helmetë dhe një jelek antiplumb, sa çudi ,vështirë është për tu besuar se prezantimi i tillë i Burim Ramadanit rastësisht të jetë identik me prezantimin që bën shteti serb për Kosovën dhe deklaratat e tij janë sinkronizuar me ato të ministres së punëve të brendshme të Maqedonisë Gordana Jankullovska se  shqiptarët mysliman janë ekstremist islamik . Ky është titulli i një shkrimi të mbushur me urrejtje , shpifje , propagandë, dhe injorance të autorit në raport me atë që shkuan.

Shkrimi në fjalë është i mbushur me gënjeshtra dhe subjektivizëm të autorit, i motivuar nga urrejtja kundër islamit dhe myslimanëve ,.Ai për ta argumentuar qëndrimin e tij të çmendur se në Kosovë paska ekstremizëm fetar islam që e rrezikon të ardhmen e Kosovës  fillon me çështjen e diskutimit në parlamentin e Kosovës për amendamentet për bartjen e shamisë në shkollat publike dhe futjen e mësim besimit si lëndë mësimore duke e cilësuar se nuk është bërë nami që këto dy amendamente nuk kaluan . Atë që nuk e arsyeton është reagimin e myslimanëve me protesta , madje nuk i kishin pëlqyer fare reagimet e myslimanëve në raport me deputetët të cilët shanë islamin dhe fyen myslimanët nga foltorja e parlamentit .

Autori, deputet i parlamentit të Kosovës  thotë se u akuzua një grup i deputetëve se gjoja janë pengues të përhapjes së islamit dhe se kjo nuk paraqet qëndrim të Bashkësisë Islame të Kosovës , këtu është e nevojshme ta përmirësojmë deputetin që përfaqëson interesat e tij dhe të grupit të tij se ata deputet që shanë islamin dhe fyen myslimanët ishin nga të gjitha partitë por përderisa nga partitë tjera kishte nga një ose dy që vollën vrer kundër myslimanëve të gjithë deputetët e partisë tënde   reaguan si të xhindosur . Prandaj reagimi i myslimanëve ka qenë i matur sepse ju, jo vetëm që shfrytëzuat votën kundër amendamenteve por edhe na fyet rëndë. Ndërsa kur thoni se jeni akuzuar si pengues të përhapjes së islamit iu siguroj se nuk iu kemi akuzuar dhe nuk do të iu akuzojmë ndonjëherë si pengues të përhapjen së islamit sepse ju nuk mund ta bëni këtë dhe thjeshte nuk ua ofrojmë këtë kënaqësi .

Deklarimi se reagimi i myslimanëve kundër sharjes dhe fyerjes nga deputetët nuk paska qenë edhe qëndrim i BIK-ut është po ashtu i pavërtetë , Myftiu Naim Tërrnava ka reaguar shumë ashpër madje edhe në ligjëratën e Bajramit që ishte pak ditë pas spektaklit parlamentar myftiu Tërrnava i ka dënuar ashpër qëndrimet anti islame të deputetëve .

Protestat e myslimanëve në mbrojtje të  drejtave të tyre Burim Ramadani i cilëson të motivuara politikisht dhe si sulm kundër deputetëve duke dashur ta paraqesë vetën e tij si viktimë të sulmeve të ekstremizmit islamik dhe kështu sipas ti të fitoj kënaqësinë e ndërkombëtarëve . Në shkrimin e tij të varfër pa asnjë argument ka përsëritur ato që tashmë i kanë thënë shumë matrapaz para tij, se në Kosovë kultivohet anti amerikanizmi dhe retorika e ngjashme si përmendja e Terezës e të tjera duke i shtuar disa incidente në zgjedhjet e fundit në këshillat lokal të BIK-ut të cilat incidente autori ia atribuon ekstremizmit islamik ndërsa në anën tjetër disa rreshta më lartë BIK-un e njeh si institucionin e vetëm islam në Kosovë.  

Duke u zvarritur autori arrin epilogun e këtij shkrimi me alarmin për rrezikun e lartë që i kanoset Kosovës nga ekstremizmi islamik , thuajse në Kosovë nuk paska organe kompetente që merren me çështjet e sigurisë, por i ka mbetur mistrecit Burim Ramadani që ta shpëtoj Kosovën nga rreziku imagjinar i ekstremizmit islamik.

Kështu e përfundon shkrimin e tij Burim Ramadani, ndërsa unë do ta përfundoj me një çështje të cilën e ka përmendur në shkrimin e tij e që me qëllim nuk e ceka më lartë . Kur po bënte përpjekje që protestat e myslimanëve që u organizuan nga lëvizja “ Bashkohu “ në mbrojtje të  drejtave të tyre të shkelura nga shteti ti paraqiste si të motivuara politikisht autori  argumenton me një argument qesharak se gjoja ne tani pas disa muajve paskemi harruar këto gjëra ,dhe kjo është dëshmi se paskan qenë të motivuara politikisht.

Fillimisht ia bëjmë të qartë Burim Ramadanit dhe të gjithëve se nëse për ju praktikimi i fesë islame dhe angazhimin për  mbrojtjen  e të drejtave tona me mekanizma legjitim është ekstremizëm fetarë atëherë unë personalisht deklarohem si ekstremist, e them këtë për tua bërë të qartë se akuzat tuaja nuk na frikësojnë dhe nuk na bëjnë të heqim dorë nga praktikimi i islamit dhe nga realizimi i  të drejtave tona.

Dhe për fund e sigurojmë Burim Ramadanin si përfaqësues i interesit të tij ( jo përfaqësues i popullit) se ne nuk kemi harruar asgjë , nëse ti para interesit kombëtar ke interesin personal dhe atë grupor të tjerët nuk e kanë. Ne kemi prolonguar organizimin e protestave masive në kërkim të  drejtave tona për shkak të zhvillimeve me interes kombëtar si çështja e veriut të Kosovës , por në anën tjetër nuk kemi reshtur së shfrytëzuari mekanizma të shumtë në shërbim të mbrojtjes së të drejtave tona duke filluar me bashkëpunim dhe mirëkuptim në takimet e vazhdueshme që kemi me përfaqësues diplomatik të disa vendeve evropiane ashtu siç kemi pasur mirëkuptim dhe përkrahje edhe nga ambasada Amerikane që na kanë inkurajuar të vazhdojmë të kërkojmë realizimin e te drejtës së femrave myslimane të mbuluara që të shkollohen në shkollat publike të vendit tonë sepse në vendet demokratike që ti i përmend kjo e drejtë është e garantuar dhe nuk paraqet ekstremizëm .

Pra, ne jemi këtu dhe  asgjë nuk kemi harruar, jemi të angazhuar maksimalisht në vetëdijesimin e myslimanëve që mos tua besojnë përfaqësimin e tyre njerëzve si ti  që punojnë kundër tyre , ne jemi këtu dhe nuk kemi harruar asgjë sepse ne jemi populli e kujtesa e popullit nuk harron asgjë.

                                                                                                             Bujar Gjikokaj

                                                                                      Anëtar i kryesisë së  lëvizjes ” Bashkohu “

 

 

Prishtinë

05.05.2012