Kanadaja ndihmon palestinezët me 90 milionë dollarë

Kanadaja gjatë tre viteve të ardhshme do të dërgojë ndihmë prej gjithsej 90 milionë dollarëve (rreth 74 milionë euro) refugjatëve palestinezë që gjenden në Siri, Liban dhe Jordan, si dhe palestinezëve që jetojnë në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja kanadeze për Zhvillim Ndërkombëtar, Karina Gould, deklaroi se është shumë e rëndësishme t’u ofrohet ndihmë refugjatëve palestinezë.

“Përgjigja ndaj nevojave të popullit palestinez dhe ofrimi i ndihmës humanitare paraqet një pjesë të rrugës për drejt paqes dhe prosperitetit në Lindjen e Mesme. Kanadaja është e përkushtuar për të përmbushur nevojat themelore të më të varfërve dhe më të prekshmëve në këtë popullatë”, tha Gould.

Ajo theksoi se ndihma do të dorëzohet përmes Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë të Refugjatëve Palestinezë (UNRWA).

“Kjo ndihmë do të kontribuojë në plotësimin e arsimit bazë, shëndetit dhe nevojave të jetesës së grave dhe fëmijëve palestinezë. UNRWA po ashtu do të sigurojë ndihmë për rreth 465.000 refugjatë palestinezë në Siri dhe Liban. Është e rëndësishme të sigurohet ndihmë për këta njerëz, veçanërisht gjatë pandemisë COVID-19. Këta njerëz po përballen me nivele të larta të varfërisë, mungesa të ushqimit dhe papunësisë. Mbështetja e Kanadasë përmes UNRWA-së është një tregues i angazhimit tonë të vazhdueshëm të zgjidhjes së problemit të palestinezëve”, tha ministrja Gould.