Islami është zgjidhja

Imazhet më të theksuara të shoqërive jofetare(1)

Një vështrim sado i thjeshtë në shoqëritë perëndimore do të na mundësonte të kuptojmë për zhveshjen e tyre nga vlerat shpirtërore. Për pasojë, sot, në këto shoqëri mund të vëresh avancim të madh teknologjik por edhe ngecje morale. Sejjid Sabik (Allahu e mëshiroftë!), duke folur për këtë gjë, numëron tri pasoja të cilat kanë ardhur drejtpërdrejtë si shkak i anashkalimit të aspektit shpirtëror në këto shoqëri:
1. Shthurja dhe degjenerimi moral
2. Glorifikimi (shenjtërimi) i forcës deri në nivel adhurimi
3. Pasiguria dhe destabiliteti si shkak i armatimit (të lehtë, rëndë dhe shkatërrimit në masë) dhe kërcënimit me luftëra.
Islami dhe lufta e pa kompromis ndaj antivlerave

Këto, në të vërtetë, kanë qenë edhe parimet e injorancës, gjëra këto që kanë paraqitur barriera dhe pengesa të mëdha në misionet e Profetëve (alejhimuselam!). Në të vërtetë, pasojat e tyre kanë qenë serioze, aq sa është dashur kohë e gjatë dhe mund i madh për t’i çrrënjosë ato. Islami, që në fillim, i shpalli luftë këtyre antivlerave. Programi që solli për njerëzimin parasheh ndërtimin e një shoqërie të tipareve dhe virtyteve. Për këtë shkak ndaloi çrregullimet ndërsa ftoi në përmirësim dhe rregullim. Shoqëria, sipas kriterit hyjnor, nuk do të destabilizohet përderisa ka për themel vlerat. Allahu thotë:
“E Zoti yt nuk është që të shkatërrojë mizorisht vendet, nëse banorët e tyre janë punëmirë.“ (Hud, 117)
Është kjo shoqëri e respektit të ndërsjellë, e participimit kolektiv në detyra dhe përgjegjësi, e garantimit kolektiv të të drejtave. Është shoqëri e lidhjes ndërmjet pjesëtarëve – solidaritetit; shoqëri, e cila beson se vetëm mbi vlera mund ta arrin lumturinë. Allahu ka thënë:
“Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (En Nahl, 97)
Çrregullimi shoqëror përshkruar sipas Islamit

Islami, me këtë vizion që ka për shoqërinë, gjithsesi se ka trajtuar edhe problemin e sjelljeve devijuese, të cilat kërcënojnë potencialisht mbarëvajtjen e jetës shoqërore.

Islami ndalon çrregullimin

Në shumë ajete kur’anore është shpjeguar, përgjithësisht, se çrregullimi nuk është tipar i besimtarëve, ose, thënë më mirë, nuk guxon të jetë. Kjo për shkak se të tillët janë të përjashtuar nga dashuria e Allahut. Ata që shkaktojnë parregullsi, trazira, probleme, ata nuk janë të dashurit e Allahut. Allahu thotë:
“…e mos bën të këqija në tokë, se All-llahu nuk i do çrregulluesit.“ (El Kasas, 77)
Çrregullimi si imazh i hipokritëve dhe pabesimtarëve

Bile, çrregullimi është radhitur në listën e veprave me të cilat njihen hipokritët. Por, ajo që ia vlen të përmendet është se botëkuptimi i tyre për këtë vepër të shëmtuar është edhe më i shëmtuar. Ata të keqen e shohin për të mirë ndërsa të mirën për të keqe. Ky është defekti i tyre logjik. Ja si na i përshkruan Allahu hipokritët dhe pabesimtarët. Në lidhje me hipokritët thotë:
“E kur atyre u thuhet: “Mos e prishni rendin në tokë”! Ata thonë: “Ne jemi vetëm përmirësues (paqtues)!. Veni re, ata në të vërtetë janë shkatërruesit, por nuk e kuptojnë.“ (El Bekare, 11-12)
Ndërsa përkitazi me pabesimtarët, si shembull do të marrim Faraonin, njeriun më mizor, njeriun që nga arroganca nuk u kursye as të shpallte veten për Zot, e i cili “këshilloi” popullin e vet të mos i bindeshin Musait (alejhiselam), për shkak se ai kishte ardhur për të shkaktuar çrregullime.
“Me të vërtetë, faraoni ka ngritur kokën lart në tokë, e popullin e saj e grupëzuar dhe një grup prej tyre e shtyp, ashtu që djemtë e tyre ua mbyt, e gratë e tyre ua lë të jetojnë. Vërtet, ai ishte prej më shkatërrimtarëve.“ (El Kasas, 4)

Kualifikimi i çrregulluesve

Nga këto përshkrime hyjnore për çrregulluesit ne mësojmë edhe për karakteret e tyre. Ata janë të prirë që të zezës t’i thonë e bardhë ndërsa të bardhës e zezë. Ata, jo vetëm që mendojnë se janë duke bërë mirë, duke reformuar, duke aspiruar për ditë të mira, porse kanë dhe një gjuhë të ashpër që të kritikojnë të tjerët, në këtë rast reformuesit e mirëfilltë, se kanë devijuar nga e vërteta. Krahas këtyre dy vetive të tyre, Kur’ani na sjelle dhe një veti tjetër, atë të refuzimit me mendjemadhësi të së vërtetës.
“Dhe kur i thuhet atij: “Ki frikë All-llahun”!, atë e kap eufori për punë mëkati. Shtrat i shëmtuar është ai që i takon atij (xhehennemi).“ (El Bekare, 206)

Të nderuar vëllezër!
Le të vazhdojmë t’ua ofrojmë njerëzve Islamin si zgjidhje

Ky është Islami dhe kjo është ftesa e tij për në jetë të qetë dhe të lumtur. A-ja dhe ZH-ja e teorisë islame për stabilitetin dhe mirëqenien shoqërore është thirrja për në përmirësim të gjendjes shoqërore dhe ndalimi nga çrregullimi. Kështu do të rezultonim me një standard jetese në të cilin siguria për jetën, nderin dhe pasurinë do të ishte në nivelet më të larta.
Këtë sistem, me këto vlera, gjithsesi se duhet t’ua ofrojmë të tjerëve, jo si alternativë, por si të pa alternativë. Ky sistem është shpirt, pa të cilin nuk ka jetë, është vlerë, me të cilën njerëzimi arrin qetësinë e shpirtit dhe kënaqësinë e jetës.

________________________________________
(1) Mbështetur kryesisht në një artikull të Sejjid Sabikut: “El-Islamu huve el-asim min-el-mefasid el-medenijjeti el-haditheh”, publikuar në revistën Teuhid në Kajro më 1973. Shih:http://dorar.net/article/1648.