Tafili: Punën e sjell pasurimi intelektual.
Intervistoi: Labinot Kunushevci
Kunushevci:I nderuari Avni Tafili, fillimisht ju përshëndes dhe ndiej kënaqësinë dhe kam nderin që të bashkëbisedoj me ju dhe t’i ofroj opinionit shqiptar diçka nga jeta dhe veprimtaria jote e bujshme intelektuale. Ju lutem na tregoni diçka për jetën tuaj në pika të shkurtra?
Tafili: Ju faleminderit, Zoti ju nderoftë! Lavdërimet i takojnë Allahut Lavdiplotë, vij prej një familjeje me traditë e vlera fetare e atdhetare të trashëguara e të ruajtura brez pas brezi. Si fëmijë, prindërit e mi, veçanërisht babai im, është përkujdesur që të mos kalojë një ditë pa lexuar diçka.
Madje aq shumë më shtynte të lexoja, saqë ndonjëherë edhe shtiresha sikur po lexoj. Libri në shtëpinë time ka pasur gjithnjë një vend të veçantë, të dalluar. Kam mësuar leximin e Kur’anit që në moshën e fëmijërisë. Me leximin e Kur’anit, ndihesha i dalluar. I veçantë nga bashkëmoshatarët e mi. Në shtëpinë time gjithnjë e vazhdimisht falej namazi, lexohej Kur’ani, përmendej Allahu, fjalët e Tij, të dërguarit e Allahut, veçanërisht i përzgjedhuri i tyre, Muhamedi –paqja e Allahut qoftë mbi të. Historitë e bukura, morali etj. Këtu edhe ka filluar të më ngacmojë kureshtja për të mësuar e kuptuar atë që po mësohej e predikohej. Pse-të e si-të. Si fillorist, dallohesha në veshje, po edhe në fjalë e sjellje. E kam dashur shkollën, por jo edhe aq ajo që mësohej në të. Duke qenë i frymëzuar nga mësimet islame, pse-të e si-të, brengat, që në fëmijëri ishin të mëdhaja. Ç’kam dashur të bëhesha! Më bënte përshtypje ç’shihja me sy përreth vetes; shqyrtoja, meditoja. Pse kështu, si ashtu. Kam qenë i afërt me njerëzit përreth; i arsyetoja gabimet e tyre. Sikur luaja rolin e avokatit. Ndërkohë që isha në nivelin fillor, kam shoqëruar babin tim në aktivitete të ndryshme islame; këndoja Kur’an, udhëhiqja njerëzit në namaz etj. Merresha ngapak edhe me shit-blerje artikujsh ushqimore. Pasi mbarova filloren, u regjistrova në shkollën e mesme “Alauddin” në Prishtinë. Por rrethanat ishin asisoi, që duhej të shkëputesha, për të vazhduar pastaj më vonë në Egjipt. Atje studiova në departamentin e gjuhës dhe letërsisë arabe në Universitetin el-Az’har. Kështu më janë hapur edhe dyert e dijeve islame. Kanë qenë periudha të vështira, kur si të rinj, larg familjes, larg miqve, larg vendlindjes, mund të jesh detyruar të bëje gjëra që s’do të duhej t’i bëje. Por duke iu falënderuar Zotit Lavdiplotë, me plot vështirësi, të ngarkuar, arrita t’i vij në fund asaj për të cilën pata shkuar. Aq më shumë jam rrëzuar, aq më shumë jam forcuar, kur jam ringritur.
Kunushevci:Ju veproni që nga viti 1993. Shumë njerëz juve ju njohin si një trajtues të problemeve dhe sfidave me të cilat përballet individi dhe shoqëria e sotshme. Deri më tani keni shkruar mbi 500 artikuj, disa i keni të publikuar e disa të botuar. Jeni edhe botues i katër librave. Ndërkohë që priten të botohen edhe tituj të tjerë. Gjithashtu jeni redaktues dhe korrektues i disa librave dhe fitues i çmimit inkurajues AIITC 2009 në Tiranë. Së fundi keni botuar edhe libërthin e vogël me 100 thënie për 100 vjetorin e Shqipërisë “Zgjohu, mos u kreno!” Në përgjithësi, sa jeni i kënaqur me punën tuaj dhe cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Tafili: Viti 1993, kur kam filluar të mendoj më vendosmërisht të merrem me projekte të mëdhaja. T’i qasem më seriozisht arsyes pse ekzistoj. Pse jetoj, pse mendoj, pse veproj. Të kënaqë arsyeja kur sheh tek njerëzit përreth teje, se si ke ndikuar pozitivisht e vazhdon të ndikosh. Patjetër me atë që është i kënaqur Allahu i Lartmadhëruar. Përvoja, lodhja, rrëzimi, sprovat, më mësuan se njeriu nuk duhet asnjëherë të kënaqet me atë që ka arritur, sepse ajo që ka arritur mund të jetë fare pak me atë që mund të arrijë. Ne nuk e dimë të ardhmen. Le ta dijë gjithsecili, se, shtigjet që janë hapur me lot e djersë nuk guxohet aq lehtë t’i mbyllë. Jo, ai vazhdon të notojë, të hapë e të zgjerojë horizontin para vetes. Aq më tepër që noton në të, aq më tepër i shtohet etja për të ecur e vrapuar. Ne kemi synime të larta. Që kapërcejnë e çajnë. Kënaqësia plotësohet kur të shohim Allahun e Gjithëpushtetshëm! Veprimtaria e njeriut që synon kënaqësinë e Allahut, arrin kënaqësinë e vërtetë. Paqen shpirtërore e intelektuale; arrin qetësinë e vërtetë në zemrën e tërë qenien e vet. Çfarë kënaqësie të qëndrosh afër e pranë njerëzve, për t’i drejtuar drejt suksesit, drejt arritjes së paqes e qetësisë së përjetshme. Do të vazhdoj të jap duke iu mbështetur Zotit, aq sa mundem për t’i shërbyer popullit tim. Deri në vitin 2008 më tepër kam folur se sa kam shkruar. Pas këtij viti, fillova të shkruaj vazhdimisht.
Kunushevci:Jeni shumë aktiv edhe me opinionet dhe mesazhet tuaja udhëzuese edhe në faqen tuaj të rrjetit social “Facebook”, sa arrini t’u ofroni lexuesve atë që ju dëshironi?
Tafili: Jemi një shoqëri që ka kaluar shumë kohë të vështira. I shtypur të mos mendojë e të mos shprehet; i shtypur të mos mësojë drejt atë që duhet mësuar. Leximi ka qenë një e drejtë tmerrësisht e shkelur. I huaj për shoqërinë tonë. Njeriu që nuk është nxitur të lexojë, jo thjesht të lexojë, por edhe të mendojë atë që lexon, nuk mund të pritet prej tij të lexojë shumë. Prandaj edhe i vura vetes një parim: të shkruaj shkurt, thjesht, qartë. Që të arrihet sa më shumë dobia. Ndonjëherë nuk them atë që duhet thënë, që të mos ngarkoj lexuesit. Synoj kohëve të fundit, duke shpërndarë shkurtimisht mendimet tona, që nëpërmjet tyre të nxitet të menduarit. Jo thjesht të lexohen, por të zgjerohet horizonti i lexuesve. Falënderimi i takon Zotit Lavdiplotë, pastaj atyre që vazhdimisht na ndjekin, na ndihmojnë në rrugën tonë të përbashkët për të nesërmen e ndritur. Leximi është rritur. Më vijnë mesazhe nga lexues të ndryshëm, duke më uruar për mesazhet që përcjellim, e kjo padyshim që më bën të ndihem mirë. Por edhe më tepër më bën të ndihem mirë kur shoh tek ata ndryshim e përmirësim të gjendjes!
Kunushevci:Cili është sekreti i shkrimit krijues ose letrar? Si arrini ju t’i sintetizoni shkrimet letrare me angazhimet publike dhe me mësimet fetare? Shkrimet tuaja, kryesisht çfarë motive kanë dhe nga e merrni inspirimin për të shkruar?
Tafili: Nuk ka ndonjë fshehtësi të madhe. Është brenga. Vendosmëria për të ftuar në atë që është e bukur dhe e pastër. Të vepruarit pak e vazhdimisht. Për të dëshmuar ekzistencën. Praninë, afërsinë. Lidhjen. Përjetësinë. Ndiej edhe një detyrim që kam ndaj të tjerëve, për atë që bënë dje ata për mua. Njeriu ndikohet, pastaj ndikon. Kam pasur shumë vështirësi. Por elhamdulilah të gjitha janë kaluar. Njeriun e bëjnë të fortë. Dhe vështirësitë tjera i kalon më kënaqësi, pasi është vetë dëshmitar, se pas tyre vijnë lehtësimet, vjen shpërblimi. E sa shpërblim i bukur është kur ndihesh pjesë e jetës së njerëzve! Nuk më pengojnë angazhimet e mia të shkruaj. Shkruaj në çdo kohë e rrethanë. Më ndodh të ngrihem nga shtrati për të shënuar një mendim, ide. Pastaj përpjekja e vazhdueshme për t’i komunikuar idetë sa më drejtë e sa më qartë.
Kunushevci:Si e vlerësoni gjendjen e shkrimtarëve të sotshëm shqiptarë dhe me çfarë sfidash ballafaqohen ata? Përgjithësisht, si e vlerësoni letërsinë aktuale në Kosovë?
Tafili: Pena dhe letra, duhet konsideruar si pasuri kombëtare. Libri duhet ta marrë vendin e vet institucionalisht në shoqëri. Jo çdokush ka guxim, durim e vullnet të merret me penë! Mund të kalojë orë të tëra për t’i ofruar shoqërisë mendimin, idenë. Shkrimtarët, si të gjitha kategoritë tjera të shoqërisë, kanë nevojë për kujdes e vlerësim më të lart institucional. Meritojnë më tepër. Një shkrimtar sot duhet njëkohësisht të merret edhe me angazhime tjera për të siguruar nevojat e veta dhe të familjes. Nuk iu jepet mbështetja financiare. Në secilin qytet, madje vendbanim, duhet të vendoset këndi i librit; këndi i leximit. Ta kuptojë e të bindet secili, se popujt ngrihen e përparojnë vetëm atëherë kur të lexojnë e të mendojnë. Një shoqëri nuk mund të organizohet, e të funksionojë si e organizuar, pa aktivitet intelektual. Të bëjë shteti më tepër, nëse duam një shtet të fortë e të qëndrueshëm, dhe përparimtar. Dhe këtë mund ta bëjë nëpërmjet ndarjes së fondeve, programeve speciale edukative në mediet vizive, të ngre libraria publike nëpër qytete, të organizojë takime shkencore e letrare etj.
Kunushevci:Cila është perspektiva e një shkrimtari në kohën e sotshme, veçanërisht tani kur zhvillimi tekniko-teknologjik po ndikon edhe në reduktimin e lexuesve të librit?
Tafili: Letra dhe pena gjithnjë kanë qenë e do të mbeten të pazëvendësueshme. Libri i shtypur në letër, s’ka nevojë për mjete për t’u lexuar. Është i drejtpërdrejtë. I favorshëm në çdo kohë e rrethanë. Ndërsa ajo elektronike, varet nga shumë faktorë, si rrjeti, energjia elektrike etj. Libri i shtypur, ruan shikimin. Leximi është më i frytshëm. E ardhmja e një shkrimtari, me gjithë zhvillimin e teknologjisë, do të mbetet e qëndrueshme. Po, ka ndikuar rënia e leximit, por jo e librit.
Kunushevci:Cilat janë raportet tuaja me shkrimtarët tjerë në Kosovë dhe jashtë vendit? Gjithashtu, a keni raporte bashkëpunimi me ndonjë shoqatë apo institucion të shkrimtarëve?
Tafili: Përgjithësisht në Kosovë mungojnë raportet intelektuale, profesionale. Por nuk mohohet bashkëpunimi mes tyre. Kam raporte me njerëz të fushave të ndryshme shkencore. Jam në kontakt me ta. Por na mungojnë organizimet dhe projektet e përbashkëta. Do të duhej të kishim kabinetet tona, sallat tona të diskutimeve, ndejat tona, ku do të shkëmbenim idetë dhe përvojat. Ende nuk jam anëtar i ndonjë institucioni si shkrimtar, por shpresoj shpejt të jem.
Kunushevci:Pasi që jeni edhe teolog, a keni raporte bashkëpunimi me teologët tjerë shqiptarë dhe si e vlerësoni punën e tyre në edukimin dhe udhëzimin e popullit dhe krijimin e kuadrove nën prizmin fetar?
Tafili: Po, kemi bashkëpunim me hoxhallarë. Hoxhallarët janë një faktor i rëndësishëm i paqes dhe zhvillimit të shoqërisë. Kanë qenë dhe do të mbeten shembuj të bukur në edukimin dhe udhëzimin e popullit tonë. Në kohë edhe më të vështira e kanë dëshmuar këtë. Janë të palodhshëm në veprimtarinë e tyre dobiprurëse.
Kunushevci:Sa punohet në trevat shqiptare drejt kultivimit të tolerancës ndërfetare dhe ruajtjes së identitetit fetar?
Tafili: Mjaftueshëm. Duke qenë se trevat shqiptare kanë një popullsi shumicë muslimane, dhe duke qenë se paqja dhe toleranca në Islam është prej parimeve thelbësore, shpjegon shumëçka. Në shtetet tjera investohet me të madhe për të kultivuar këtë tolerancë, ndërsa në trevat tona, hoxhallarët shqiptarë e bëjnë pa asnjë qindarkë. Kështu, të shtyrë nga besimi i drejtë i tyre. Feja tek shqiptarët, veçanërisht Islami, është ruajtur si ruhet gjaku. Është pjesë e identitetit të tij kombëtar, pasi edhe konsiderohet si ruajtës i tij; gjuhës dhe historisë së tij. Ne si popull edhe njihemi për tolerant, paqësor. Ne përkundër armiqësisë së fqinjëve, nuk jemi treguar të pamëshirshëm ndaj tyre, siç janë treguar ata ndaj nesh. Megjithëse ata patën një fe ndryshe, ne dimë të dallojmë fjalën vatan. Edhe si shqiptarë, dimë ta mbrojmë atdheun bashkë, muslimanë e jomuslimanë.
Kunushevci:Në zgjedhjet komunale të 3 Nëntorit në Kosovë ju ishit kandidat për kryetar të komunës së Kaçanikut në kuadër të Partisë së Drejtësisë, ndërsa tani me votat e fituara jeni asamblist në kuvendin komunal të Kaçanikut, cilat janë raportet apo përvojat tua me këtë parti dhe sa jeni i kënaqur?
Tafili: Meqë ishte hera e parë si pjesëmarrës në një garë të tillë, qe një sfidë e madhe. Por u kalua me sukses. Ndoshta jo sa është pritur, por s’është keq. Edhe ndoshta s’paska qenë koha e duhur për ta udhëhequr komunën. Në shoqërinë tonë nuk votojnë politikisht, sa votojnë të shtyrë ose të shtypur. Kur vjen koha e votimeve, sikur të kishte ardhur koha e domateve. Për disa vota, shitet një mëhallë. Ende duhet shumë punë. Populli na beson, dhe ky besim veçmë ka filluar të shpërblehet. Tani jam pjesë e Legjislativit Komunal, pra kuvendar – asamblist, kemi dy ulëse në Kuvend nga gjithsej 27 ulëse. Kjo parti, me lidershipin që ka, besojmë që brenda një periudhe të shkurtër do të jetë një faktor politik vendimtar.
Kunushevci:Çfarë komenti keni për politikën shqiptare, sa po punohet drejtë dhe mbarë për kauzën tonë kombëtare? Çfarë mesazhi apo porosie do të përçonit tek lidershipi shqiptar, përfshirë gjithë elitën tonë politike?
Tafili: Keqinterpretim të çështjeve politike. E mbushur me thashetheme. Shumë “politikanë”, pak udhëheqës. Kemi nevojë për politikë vendëse. Mendimet dhe idetë politike nuk komunikohen me shtresat e shoqërisë. Veprohet më tepër me, “U tha, u bë”. Populli vihet para akteve të kryera. Jemi një komb i madh, por edhe me shumë njerëz të mëdhenj të shtypur. Duhet të ketë më tepër lidhje mes politikëbërësve dhe qytetarëve. Hallet e njerëzve nuk mësohen prej zyrave. Duhet të dilet në rrugë, të jenë të shoqërueshëm, më komunikues. Kemi pasuri që nuk shfrytëzohet. Na mungojnë laboratorët e kërkimit dhe hulumtimit. Me ligje e komunikata nuk zgjidhen çështjet. Duhet ngritur politika ekonomike, kulturore, edukative, që do ta bashkonin faktorin mbarëshqiptar. Por duke filluar nga vetja, familja, lagjja e kështu me radhë.
Kunushevci:Si e vlerësoni sot gjendjen e punësimit dhe arsimimit të të rinjve në vendin tonë? Çfarë perspektive po e pret rininë tonë që përbën një shumicë të strukturës së shoqërisë sonë? Cila është porosia juaj për rininë shqiptare?
Tafili: Fuqi e pashfrytëzuar. Kategori e harruar. Sikur të synohej varfërimi i tyre mendërisht e shpirtërisht. Pak investohet për vetëdijesim të të rinjve. Punën e sjell pasurimi intelektual. Nevoja për të jetësuar ëndrra, vizione. Një shoqëri e shtypur mendërisht, duke mos i lejuar të zhvillohet natyrshëm, jo më të nxitet, ajo shoqëri edhe nuk është aq ambicioze të veprojë, të punojë. Po, kemi nevojë për vende pune, por më tepër për motivim, jo thjesht për të përmbushur nevojat më elementare për jetesë. Pastaj, rinia ka nevojë për një udhëheqje dinamike. Të nxitet për të ardhme ndryshe. Të ketë vullnet për arsimim e edukim. Të mos rri rrugëve e dëshpëruar. Ajo përpiqet të shohë dritë, të shohë shenja të ngritjes, të përparimit, por shpejt lodhet, pasi edhe tunelet janë mjaft të gjata, përplot dëshpërim. Rinia dhe çështja e saj, duhet të vihet në rend të parë; të jetë një projekt madhor kombëtar. Duhet të vlerësohet e konsiderohet fuqia e rinisë. Por rinia asnjëherë nuk guxon të dëshpërohet! Të kërkojë forca brenda vetes. Le të rrëzohet, por të mos gjunjëzohet. Le të guxojë të durojë, por me një durim të bukur që shpie në korrje të fryteve të atij durimi. Pra, duke u përpjekur vazhdimisht për të nesërmen e ndritur. Kështu, duke sjell ndryshimet e nevojshme në veten tonë, patjetër që do të vijë edhe ndryshimi i gjithëmbarshëm.
Kunushevci:Mesazhi juaj për fund?
Tafili: Bima që mbillet, ka nevojë për përkujdesje të vazhdueshme. Nuk të mjafton thjesht mbjellja. Ka nevojë për durimin tënd. Mos e shkel, edhe nëse humbet durimin. Le të jetë çdo ditë e re, një ditë më e fuqishme, më e dobishme. Shfrytëzoje secilën sekondë prej jetës tënde. Jeta jote është një dhuratë hyjnore. Mos lejo të të kalojë pa e kuptuar pse je duke jetuar. Jetoje atë i rëndësishëm. Të jesh i dobishëm për veten, familjen e shoqërinë. Bëje të mirën, e mira do të të gjejë, kudo që je.
Kunushevci:Ju faleminderit që gjetët kohë të ju përgjigjeni këtyre pyetjeve. Ishte kënaqësi të zhvilloja me ju këtë intervistë duke shpresuar se opinionit shqiptar i kemi ofruar diçka që do t’u shërbejë për të ardhmen.
Tafili: Faleminderit, Zoti ju nderoftë ju dhe të gjithë ata që përpiqen të bëjnë atë që është më e bukur e më e pastër për shoqërinë. I lutem Allahut të Lartmadhëruar t’ju forcojë edhe më tepër në rrugën e Tij të drejtë, në përhapjen e fjalës së bukur.