Instagram shton funksionet Fade dhe Color

Instagram po vazhdon ta pasurojë aplikacionin e saj mobil me funksione të reja.

Që nga koha kur i ka shtuar opsionet për editim, aplikacioni i famshëm social është bërë një shërbim i vlefshëm për fotografi, i cili ofron shumë variante për ndryshimin e imazheve të llojeve të ndryshme.

Tani Instagram ka njoftuar se do ti shtojë edhe dy veçori të reja, të quajtura: Fade dhe Color.

E para ju mundëson t’i zbehni hijëzimet dhe ta fokusoni fotografinë për ti imituar pamjet e filmave të vjetër.

Disa nga filterët e saj tashmë e kanë ofruar një mundësi të tillë, por të kufizuar, ndërsa opsioni i ri tani ju lejon të bëni rregullime edhe më të imëta të fotografisë, sipas dëshirës tuaj.

Color, në anën tjetër i rregullon hijet dhe e thekson fotografinë tuaj, që t’ua mundësoë krijimin e pamjeve të ngjashme me ato të fotografive të vjetra Polaroid, apo filmave të procesuar.

Instagram në fillim ishte lansuar vetëm me disa filtra që përfundimisht do t’ua bënin fotografitë më estetike, por sot aplikacioni është rritur dhe është bërë një platformë e plotë për editimin e fotografive, veçanërisht në qoftë se juve ju pëlqen të dukeni sa më retro. (Telegrafi)