“Federalizimi është rruga e vetme e zgjidhjes së problemeve të shqiptarëve në Maqedoni” kështu tha ish Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha në një intervistë në emisionin ‘Debat’ në RTK.
Për analistin politik nga Shqipëria Roald Hysa Federalizimi i Maqedonisë në ndarje juridike mund të ketë probleme aty ku ka popullsi shqiptare dhe maqedonase. Duke folur për TetovaSot Roland Hysa krahason murin e Berlinit i cili solli shumë probleme që mund ë krijohet edhe në Maqedoni një gjë e tillë nëse ndërtohet një mur në Shkup.
“Federalizimi i Maqedonisë në pamje të parë nuk duket se ka ndonjë problem në realizimin e saj, se mund të konceptohet si ndarje e zonave që janë njëtrajtësisht etnike. Mirëpo realizimi i saj në terren mund të hasi në probleme juridike pikërisht në ato vende ku ka popullsi shqiptare e maqedonase, duke i lënë shteg abuzimeve të ndryshme. Fjala vjen çfarë do të ndodhte në Shkup, si do të ndërtohej federalizmi në Shkup. Një mur u ndërtua në Berlin dhe solli pasoja të mëdha për aq vjet sa u mbajt në këmbë. Një mur tjetër është ngritur në Palestinë dhe po shihen pasojat. Ideja është e mirë, por në praktikë mendoj se ka për të hasur në vështirësi të mëdha” thotë Hysa për TetovaSot
Ndryshe edhe profesori universitar Ferat Polisi thotë se federalizimi është një nga opsionet e mundshme politike për zgjedhjen e problemeve të shqiptarëve në Maqedoni.
Gjithashtu sipas Polisi edhe përvojat politike ndërkombëtare kanë dëshmuar dobitë e shumta që sjell federalizmi për shoqëri me përbërje multietnike, multikulturore dhe multikonfensionale.
“Përvojat politike ndërkombëtare na kanë treguar se federalizimi si lloj i organizimit politik shtetëror sjell dobi të shumta në shoqëri me përbërje multietnike, multikulturore dhe multikonfensionale.
Federalizimi ka lloj-lloj formash. Duhet të merren parasysh eksperiencat e shteteve që e praktikojnë këtë lloj organizimi shtetëror, që të definohet se cila formë e federalizimit i përshtatet shoqërisë tonë, federalizimi territorial apo federalizimi funksional – multietnik.
Organizimi jofunksional politik, tradita dhe kultura që na karakterizon si shoqëri, sipas mendimit tim i nevojitet më se shumti federalizimi territorial.”, deklaroi Polisi për TetovaSot.
Përndryshe, ideja e federalizmit të Republikës së Maqedonisë është paraqitur herë pas herë në opinion nga subjekte të caktuara politike, por asnjëherë ajo nuk është shndërruar në program politik drejt zgjidhjes përfundimtare të problemeve të shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë./TetovaSot/