HAXHILLËKUN E BËN AI QË DO, E JO QË KA PARA

Pasi Allahu na krijoi dhe udhëzoi, bëri në zemrat tona dëshirën për të vizituar vendin më të shenjtë dhe qendrën e kësaj Toke, Qabenë, e cila gjendet në Mekë. Këtë e bëri, sepse iu përgjigj lutjes së Ibrahimit alejhi selam, i cili, kur vendosi familjen e tij në atë vend, që nuk ishte tokë pjellore dhe as që dikush shkonte atje, i erdhi rëndë për atë situatë dhe bëri këtë lutje: “Zoti ynë, unë një pjesë të familjes sime e lash të banojnë në këtë luginë jo pjellore, te Shtëpia Jote e shenjtë, që ta falin namazin o Zot, andaj bëj që disa zemra të njerëzve të shkojnë me vullnet dhe shpejtësi atje dhe furnizoji me ushqim, që ata të falënderojnë”. (Ibrahim 37). Allahu i Madhëruar ia pranoi këtë lutje, duke bërë besimtarët, të cilët mallëngjehen për atë vend, të ëndërrojnë vizitën e tij dhe të mundohen me mish e me shpirt, që së paku një herë në jetë, të shkojnë në Mekë dhe të bëjnë haxhin.

Madje, haxhi është njëra prej shtyllave të Islamit. Allahu i Lartësuar thotë: “Njerëzit e kanë detyrë që, për hir të Allahut, ta vizitojnë Shtëpinë nëse kanë mundësi”. (Ali Imran 97). Në pajtim me dëshirën tonë të sinqertë për të bërë Haxhin sa më shpejt dhe sa më herët është edhe hadithi i Muhamedit, salAllahu alejhi ue selem: “Shpejtoni për të bërë haxhin, sepse askush nuk e di se çka e pret”. (Ahmedi, Ebu Davudi)

Nuk është cilësi e besimtarit të mirë, nëse thotë se fillimisht duhet të plotësojë të gjitha kërkesat e jetës, sikurse shtëpinë, martesën dhe biznesin, madje është për çudi kur dëgjojmë se dikush ngurron të shkojë në Haxh para se t’u ndërtojë shtëpi personale çdo fëmije të tij dhe t’i martojë. Allahu na ruajt nga këto keqkuptime. Detyrat në jetë janë të shumta, dhe jo çdo detyrë është arsye për të mos bërë Haxhin. Domethënia e pjesës së ajetit: “. ..nëse kanë mundësi” ka për qëllim këto mundësi:

-rruga të jetë e sigurt,

-mundësia materiale për udhëtimin, ushqimin, banimin dhe sigurimin e një shume për familjen e ngushtë derisa të kthehesh dhe

-shëndeti.

Prandaj, shpejto o mysliman dhe përkujto këshillën e të Dërguarit, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të: “Kush dëshiron të shkojë në haxhillëk le të nxitojë, sepse dikush sëmuret, diçka humbet dhe ndonjë problem paraqitet” (Ahmedi, Ibën Maxhe ndërsa Albani thotë se është sahih).

Këtë e kuptuan myslimanët e mirë dhe ja, p.sh., çfarë thotë Omeri, radijAllahu anhu: “Më shkon mendja që të urdhëroj njerëz për të shikuar se kush nuk e ka bërë haxhillëkun duke patur mundësi, dhe t’i urdhëroj të paguajnë xhizje, çfarë myslimanë janë ata, çfarë myslimanë janë ata?!”

Nëse ke aq të holla sa të shkosh dhe të kthehesh nga Meka, nxito dhe regjistrohu të shkosh, sepse edhe kjo mundësi çdoherë nuk është e mundshme. Mos ki frikë varfërinë, sepse Ai që të ka mundësuar të fitosh deri tani, do të të ndihmojë edhe më shumë kur ti respekton urdhrat e Tij. A e ke dëgjuar këtë hadith: “Bëjeni haxhillëkun dhe umren vazhdimisht, sepse ato largojnë fukarallëkun dhe gjynahet, ashtu sikur gjyryku largon ndryshkun e hekurit”. (Taberani, Darekutni, ndërsa Albani thotë se është sahih); po ashtu edhe hadithin tjetër: “Bëjeni haxhillëkun dhe umren një pas një, sepse ato largojnë varfërinë dhe mëkatet, ashtu sikur gjyryku largon ndryshkun nga hekuri, ari dhe argjendi. Haxhillëku i pranuar ka vetëm një shpërblim, xhenetin”. (Ahmedi, Tirmidhiu ndërsa Albani thotë se është sahih).

Mos kurse të hollat, mos u mërzit për familjen sepse je nën mbrojtjen e Allahut të Gjithëfuqishëm. Ebu Hurejre rrëfen se Resulullahi salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Tre njerëz janë nën garantimin e Allahut të Madhëruar: njeriu që niset për në xhami, njeriu që del të luftojë për hir të Allahut dhe njeriu që niset për në haxhillëk”. (Ebu Nuajmi, ndërsa Albani thotë se është sahih). Nëse nisesh për në haxhillëk o mysliman i nderuar, ti ke fituar këtë garantim dy herë, sepse je nisur edhe për në haxhillëk, por edhe për te xhamia e Qabes.

Nuk duhet lënë anash haxhillëku edhe nga ana e grave, madje shpërblimi për to është si shpërblimi për xhihadin. Ajsha radijAllahu anha, e ka pyetur të Dërguarin: O i Dërguar i Allahut, pse të mos bëjmë xhihad së bashku me ju? Ai u përgjigj: “Xhihadi më i mirë dhe më i bukur është haxhillëku, haxhillëku i plotë”, pas të cilës fjalë Ajsha tha: “Pasi dëgjova këtë nga i Dërguari salAllahu alejhi ue sel em, do ta bëj haxhillëkun çdoherë”. (Buhariu, Muslimi)

Një dijetar ka thënë: Kam analizuar veprat e mira dhe vërejta se namazi është mund (lodhje) për trupin dhe për këtë ka shpërblim, po ashtu edhe agjërimi, vërejta se zeqati e sadakaja është mund për pasurinë dhe për atë ka shpërblim, por kur vërejta Haxhin, pashë se ai është mund edhe për trupin edhe për çdo hap që bën kafsha jote, për ty shënohet sevap dhe të shlyhet një gjynah. Kur të qëndrosh në Arafat, atëherë Allahu zbret në qiellin e tokës dhe krenohet para melekëve, duke u thënë: “Këta janë robërit e Mi, erdhën të pakrehur e pluhurosur nga çdo vend i largët, shpresojnë mëshirën Time dhe kanë frikë nga dënimi Im edhe pse nuk Më kanë parë. Ç’do bënin sikur të Më shihnin?!”

Sikur të kishe mëkate sa ditë ka dynjaja apo sa pikë ujë ka qielli, Allahu do t’i shlyejë nga ti. Kur t’i gjuash guralecët ke mbushur thesaret e tua me shpërblime. Kur të rruash kokën, për çdo qime që bie, ti ke një shpërblim dhe kur të bësh tavafin, do të pastrohesh prej mëkateve sikur ke qenë i pastër kur të lindi nëna”. (Taberani, ndërsa Albani thotë se është hasen).

Shpresoj se tashmë vendose të kryesh këtë adhurim madhështor. Nisu me sinqeritet të plotë duke u munduar të jesh sa më i përpiktë në mësimet e Resulullahit, salAllahu alejhi ue selem, lidhur me Haxhin dhe mos harro të lutesh për familjen tënde, komshiun, mua dhe për myslimanët në përgjithësi, sepse lutja e haxhiut atje është e pranuar. Ibën Omeri rrëfen se Muhamedi salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Luftëtari për hir të Allahut, haxhiu dhe ai që bën umre janë mysafir të Allahut, Ai i ftoi e këta u përgjigjën, ata e lusin dhe Ai u jep”. (Ibën Maxhe, Ibën Hibani, ndër­sa Albani thotë se është sahih).

SHKRUAN: OMER BERISHA