GJËRA QË DUHET T’I DISH PËR AGJËRIMIN

Allahu, subhanehu ue teala, thotë: O  besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat. (Bekare 183).

I Dërguari, salallahu alejhi ue selem, na rrëfen se Allahu ka thënë: “Çdo punë e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Agjërimi është mbrojtje e kur të agjërojë ndonjëri prej jush, le të mos bëjë punë të ndyra dhe të mos grindet. 

Por, nëse dikush e fyen ose dëshiron të rrihet le të thotë: Unë agjëroj, unë agjëroj. Pasha Atë, në dorën e Kujt është shpirti i Muhamedit, era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e mirë, sesa era e parfumit. Agjëruesi ka dy gëzime, të cilave u ngazëllehet: Kur të hajë iftar – gëzohet për të dhe kur të takojë Zotin – gëzohet për agjërimin që ka bërë”.[1]

Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Në xhenet ka një derë, e cila quhet Rejjan, nga ajo derë në Ditën e Kiametit do të hyjnë agjëruesit, por askush tjetër përpos tyre. Pasi të hynë ata, mbyllet ajo derë dhe nuk do të hyjë asnjeri”.

Gjithashtu ka thënë: “Çdo rob i Allahut që agjëron një ditë për hir të Allahut, për atë ditë Allahu do ta largojë fytyrën e tij nga xhehenemi shtatëdhjetë vjet”.[2]

Po ashtu ka thënë: “Ai që nuk braktis fjalët dhe punët e këqija, le ta dijë se Allahu nuk ka nevojë që ky të braktisë hajen dhe pijen”.[3]

Ramazan është emri i muajit të nëntë nga muajt hënorë dhe është i vetmi që është i theksuar me emrin e tij në Kur’anin Fisnik.

Urtësia e ligjërimit të këtij adhurimi është ngritja dhe pastrimi i shpirtit, arritja e devotshmërisë, si dhe përgatitja për të shijuar mirësitë dhe lumturinë e ahiretit.

Rregulla të detyrueshme:

1. Përpikëria në të gjitha adhurimet veprore ose gojore,

2. Largimi nga të gjitha haramet veprore ose gojore, që shihen ose dëgjohen.

Rregulla të pëlqyeshme:

Vonimi i syfyrit, shpejtimi i iftarit, leximi i Kuranit, dhikri i shtuar, lutjet e shpeshta dhe sadakatë e shumta.

Veçoritë e Ramazanit:

1. Në këtë muaj zbriti Kurani. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Muaji i Ramazanit që në të zbriti Kurani…”.

2. Falja e mëkateve. I Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë, do t’i falen mëkatet që i ka bërë më herët”.[4]

3. Pranimi i lutjeve. I Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Tre personave nuk iu kthehet lutja: agjëruesit deri në iftar, udhëheqësit të drejtë dhe atij që i është bërë zullum”.

4. Në këtë muaj është edhe Nata e Kadrit.

5. Në Ramazan prangosen shejtanët.

6. Një umre në Ramazan është e barabartë me një haxhillëk. Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Një umre në Ramazan është sa një haxhillëk”.[5]

Agjërimi:

Agjërimi është heqja dorë me nijet nga haja, pija, marrëdhëniet intime dhe nga çdo gjë që e prish agjërimin, nga agimi i dytë deri në perëndim të diellit.

Agjërimi është një nga Shtyllat e Islamit.

Çdo besimtar, i rritur, i mençur, i aftë dhe vendas është i detyruar të agjërojë.

Agjërimi i Ramazanit fillon kur e shohim hënën e re të Ramazanit, e nëse jo, kur muaji Shaban t’i ketë plotësuar tridhjetë ditë. Për këtë Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Fillojeni agjërimin kur ta shihni hënën dhe ndërpriteni kur ta shihni. E nëse nuk mund ta shihni, atëherë plotësojeni muajin Shaban me tridhjetë ditë”.

Çfarë i lejohet agjëruesit:

1. Përdorimi i misvakut gjatë gjithë ditës. Po ashtu edhe larja e dhëmbëve.

2. Udhëtimi për ndonjë nevojë të lejuar.

3. Flladitja me ujë për shkak të të nxehtit.

4. Mjekimi me gjëra të lejuara, sikurse gjilpërat që nuk janë ushqyese.

5. Parfumimi.

6. Lyerja e syve.

Gjërat që e prishin agjërimin:

1. Marrëdhëniet intime.

2. Haja, pija dhe gjërat e ngjashme, sikurse gjilpërat ushqyese.

3. Nxjerrja e gjakut me hixhame, e njëjta gjë vlen edhe për dhënien e gjakut.

4. Vjellja e qëllimtë.

5. Menstruacionet ose lehonia.

Përveç menstruacioneve dhe lehonisë, gjërat që e prishin agjërimin duhet të plotësojnë këto kushte:

1. Ta dijë se këto gjëra e prishin agjërimin.

2. Të mos i bëjë nga harresa.

3. Të jetë i lirë dhe jo i detyruar.

Llojet e njerëzve në agjërim:

Së pari: Ata që në thelb nuk janë të detyruar të agjërojnë:

Lloji i parë: Jobesimtari.

Lloji i dytë: Fëmija, ky nuk e ka detyrë të agjërojë derisa të arrijë pubertetin. Mashkulli quhet se e arrin pubertetin me njërin nga këto tre elemente: dalja e spermës, qoftë në ëndërr apo ndryshe; dalja e qimeve në vendet e turpshme; dhe pasi mbush pesëmbëdhjetë vjeç. Ndërsa vajza, përveç këtyre gjërave mund të arrijë pubertetin edhe me menstruacionet e para.

Lloji i tretë: I çmenduri.

Lloji i katërt: I shtyri në moshë, saqë ka hyrë në kllapi dhe ka humbur aftësinë e dallimit të gjërave (matufosur).

Lloji i pestë: I paafti për agjërim me një paaftësi të vazhdueshme, e cila nuk shpresohet se do të largohet, sikurse i shtyri në moshë, ose i sëmuri që nuk shpreson shërimin. Mirëpo detyrohet për çdo ditë që nuk ka agjëruar, të ushqejë një të varfër.

Së dyti: Ata që nuk janë të detyruar të agjërojnë, por të kompensojnë:

Lloji i gjashtë: Udhëtari, por me kusht të mos e bëjë këtë, që t’i shpëtojë agjërimit.

Lloji i shtatë: I sëmuri që shpreson shërimin, dhe ai ka tre gjendje:

a. të mos i vijë rëndë agjërimi dhe as që ta dëmtojë. Ky detyrohet të agjërojë.

b. të dëmtohet nga agjërimi. Në këtë rast duhet të hajë dhe nuk i lejohet të agjërojë.

c. t’i vijë rëndë agjërimi, por të mos e dëmtojë. Ky duhet të hajë.

Lloji i tetë: Ajo që është në hajz (menstruacione). Agjërimi për të është i ndaluar.

(Nëse i paraqitet hajzi gjatë ditës duke agjëruar, qoftë edhe një çast para iftarit, agjërimi i saj prishet.

Nëse pastrohet nga hajzi gjatë ditës, në pjesën e mbetur të ditës nuk duhet të agjërojë, sepse ai agjërim është i pavlefshëm.

Nëse pastrohet nga hajzi gjatë natës, qoftë edhe një çast para agimit, ajo detyrohet të agjërojë ditën që vijon.)

Edhe për lehoninë vlejnë të njëjtat gjëra që u thanë për hajzin.

Lloji i nëntë: Gruaja me barrë ose ajo mëndeshë, të cilat kanë frikë për shëndetin e tyre ose të fëmijës, këto duhet të hanë.

Lloji i dhjetë: Ai që ka nevojë të hajë për të mbrojtur diçka të domosdoshme, sikurse shpëtimi i një personi që rrezikon të fundoset, të digjet etj.

Iftari

Kur agjëruesi të vërtetojë perëndimin e diellit dhe fillon të hajë këtë e quajmë iftar.

Ai duhet të shpejtojë ta hajë iftarin, sepse Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Njerëzit do të jenë në mirësi, përderisa e shpejtojnë iftarin”. (Buhariu dhe Muslimi).

Me çka duhet të çelë iftar?

Enesi, radijallahu anhu, ka thënë: Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, para se të falte akshamin çelte iftarin me hurma të freskëta, nëse s’kishte atëherë me hurma të thata, e nëse s’kishte edhe nga këto, atëherë me disa gllënjka ujë. [6]

Duaja e iftarit:

Ibën Omeri, radijallahu anhu, rrëfen se Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, kur çelte iftarin thoshte: “DHEHEBE DHAMEU, UEBTELETIL URUKU, UE THEBETEL EXHRU INSHAALLAH – Kaloi etja, u lagën venet dhe u fitua shpërblimi me lejen e Zotit”.[7]

Në kohë të iftarit edhe lutjet e tjera pranohen. Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Tre personave nuk iu kthehet lutja: agjëruesit deri në iftar…”

Shpërblimi i atij që u jep iftare të tjerëve:

Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush i jep iftar një agjëruesi, ai do të marrë edhe sa shpërblimi i atij agjëruesit, por duke mos iu pakësuar aspak shpërblimi i agjëruesit”.

Disa hadithe që nuk janë të vërteta:

1. “Agjëroni, nëse doni të jeni të shëndoshë”[8].

2. “Gjatë agjërimit, përdorni misvakun paradite por mos e përdorni pasdite, sepse atij agjëruesi që i thahen buzët, kjo do të jetë dritë për të në Ditën e Kiametit”.

3. “Muaji i Ramazanit mbetet pezull mes qiellit dhe tokës dhe nuk pranohet tek Allahu derisa të jepet sadakatul fitri”.[9]

Teravitë

Ato janë gjallërim i netëve të Ramazanit me namaz dhe lexim të gjatë në të. Emri Teravih në përkthim nënkupton pushimin, ndërsa ky namaz u quajt kështu, sepse ata pushonin pas çdo dy rekateve.

Ky namaz është sunet dhe i ka njëmbëdhjetë rekate, sepse Ajsha radijallahu anha, na tregon se Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, nuk falte gjatë natës më shumë se njëmbëdhjetë rekate, pa dallim a është në Ramazan apo jashtë tij.

Por, ka dijetarë që thonë se lejohet të falen edhe më shumë rekate dhe shumica e tyre mbështeten në një rast ku Omeri, radijallahu anhu, i ka tubuar besimtarët që t’i falin së bashku njëzet rekate. Por, krahas asaj se për vërtetësinë e kësaj ngjarje ka mospajtim te shkencëtarët e hadithit shtojmë edhe atë se: t’i përmbahemi Sunetit të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem, është më e mirë dhe më e shpërblyer.

Dhjetë ditët e fundit

Aishja, radijallahu anha, na tregon se: “kur fillonin dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, e gjallëronte natën, zgjonte familjen dhe shtrëngonte rripin”,[10] d.m.th. nuk flinte me gratë e tij.

Syfyri

Haja dhe pija që bëjmë në fund të natës me nijet agjërimi quhen syfyr.

Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Dallimi mes agjërimit tonë dhe agjërimit të krishterëve dhe çifutëve është ngrënia e syfyrit”.[11] Gjithashtu ka thënë: “Hani syfyr, sepse ajo kohë është e begatshme”.[12]

Agjërime tjera të pëlqyera

1. Agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval që vijon menjëherë pas Ramazanit, për të marrë shpërblimin sikurse të kesh agjëruar tërë jetën.

2. Agjërimi i ditës së hënë dhe të enjtes, gjatë gjithë vitit, sepse ato janë dy ditë kur Allahut i shfaqen veprat e njerëzve.

3. Agjërimi i tre ditëve nga çdo muaj hënor, që kështu të fitosh shpërblimin sikur të kesh agjëruar tërë jetën. Si ashtu? Një e mirë shpërblehet me dhjetë dhe kur ti agjëron tre ditë nga çdo muaj shpërblehesh sikur të kesh agjëruar tridhjetë ditë. Më e mira është që këto tre ditë të jenë dita e 13, 14 dhe 15 e çdo muaji hënor.

4. Agjërimi i nëntë ditëve të para të muajit Dhul Hixhe, e prej tyre dita e nëntë në veçanti d.m.th. dita e Arafatit.

5. Agjërimi në muajin Muharrem, e prej tyre dita e nëntë dhe e dhjeta në veçanti.

Kur është i ndaluar agjërimi

1. Agjërimi i “ditës së dyshimtë” d.m.th. ditës së tridhjetë të muajit Shaban.

2. Agjërimi i ditës së Bajramit, qoftë Fitër Bajrami apo Kurban Bajrami.

3. Agjërimi i tre ditëve që vijnë menjëherë pas Kurban Bajramit, d.m.th. dita 11, 12 dhe 13 nga muaji Dhul Hixhe. Një gjë e tillë i lejohet vetëm atij që është në haxhillëk dhe nuk ka pasur mjetet financiare të therë kurban.

4. Veçimi i ditës së xhuma për ta agjëruar.

5. Agjërimi vullnetar i një gruaje, pa lejen e bashkëshortit.

Itikafi

Itikafi është një adhurim dhe është sunet. Më e mira është që kjo të bëhet gjatë Ramazanit në cilëndo xhami ku falet namazi me xhemat. Çdo mashkull apo femër mund të hyjë në itikaf, në cilëndo xhami, nëse me këtë nuk i pengon dhe as nuk i dëmton të tjerët. Ai që hyn në itikaf duhet të rrijë aty, të angazhohet me përkujtimin e Allahut dhe ibadet. Ai nuk duhet të dali nga xhamia, përveçse për nevoja fiziologjike apo për ushqim, nëse nuk ka njeri që t’ia sjellë ushqimin. Veprimi më i mirë do të ishte që të flasë sa më pak me njerëzit e tjerë dhe të angazhohet me lutje dhe adhurim, por nëse e vizitojnë shokët, nuk prish punë, sepse edhe Resulullahun, salallahu alejhi ue selem, e vizitonin gratë e tij, kur ishte në itikaf, bisedonin dhe pastaj ato shkonin në shtëpi.

Përshtati: Omer BERISHA


[1] Buhariu dhe Muslimi

[2] Buhariu dhe Muslimi

[3] Buhariu

[4] Buhariu 1910

[5] Sahihul Xhamië 4097

[6] Sahihu Tirmidhi 560

[7] Sahih Ebu Davud 2066.

[8] Silsile Daife 253.

[9] Silsile Daife 43.

[10] Buhariu 1920, Muslimi 1174

[11] Muslimi 1096

[12]  Muslimi 1095