Ana hipokrite e lirisë së shprehjes

Sedat Islami

 

Është plotësisht e drejtë që, për çështjet që rrezikojnë shëndetin, mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve, të flitet dhe diskutohet. Kështu ndodhi edhe me rastin e miellit që kompania Devolli sjell në tregun kosovar. U ngrit dyshimi për cilësinë e miellit. Pasuan debate në media televizive dhe elektronike. Debati lajthiti sepse kaloi në nivele individuale. Në Pejë, në billboarde, me firmë të kompanisë Devolli, u publikuan pamje fyese për disa emra të caktuar të medieve dhe politikës. Pasuan reagimet. Fyerja e bërë nga kompania në fjalë, e cila më pas u shfajësua duke u distancuar prej publikimeve të tilla, u cilësua si linçim, rrezik për jetë të gazetarëve, çoroditje e lirisë, abuzim me lirinë, fyerje, për çka edhe u deponua padi në gjykatë.

Personalisht, duke u nisur nga bindjet dhe konceptet që kam për lirinë e shprehjes, konsideroj se, nga kushdo që të jenë bërë ato reklamime në billboarde, janë fyese dhe abuzim me lirinë e shprehjes. Rrjedhimisht, nuk do t’i fajësoj as ata që reaguan për këtë rast. Por, një gjë më shqetëson shumë dhe më bën të ndihem keq kur qartazi shoh se deklarimet e tyre janë hipokrizi e kulluar, jo vetëm pse, siç do të thoshte një mik imi, nesër mund t’i shohësh bashkë, sepse inatet i kanë më shumë për përfitime personale se sa për parime, por edhe për shkak se koncepteve ‘çoroditje e lirisë’, ‘abuzim me lirinë’, ‘fyerje’, iu japin ngjyrë të caktuar. E di dhe më kujtohet shumë mirë se vetëm para pak muajve shumë nga këta që reaguan për rastin e Berat Buzhalës dhe Margarita Kadriut patën reaguar edhe për rastin e revistës satirike Charie Hedbo, duke shfajësuar gazetarët të cilët fyen rëndë personalitetin e profetit Muhammed [alejhiselam] dhe këtë gjithnjë duke u thirrur në emër të lirisë së shprehjes.

Për të mos u keqlexuar e keqinterpretuar, me këtë nuk shfajësoj vrasjet. Rastin, ashtu siç kanë bërë edhe shumë të tjerë, dua ta trajtoj jashtë presioneve të ngjarjes. Dua të flas si koncept.

A nuk duhen trajtuar si fyerje, si çoroditje e lirisë, si abuzim me lirinë e shprehjes, si ekstremizëm edhe fyerjet që i janë bërë profetit Muhammed [alejhiselam] dhe rrjedhimisht duhen dënuar ato?!

A nuk duhet interpretuar të drejtat pa anshmëri dhe pa ngjyrime ideologjike?!

Këto interpretime të lirisë së shprehjes vetëm sa thellojnë hendekun ndërmjet fesë dhe sekularizmit. Ose ato janë imazh i vrazhdësisë sekulare dhe intolerancës së tij ndaj fesë. E drejta fetare është ajo që ndihet e diskriminuar dhe e përjashtuar. Me këtë krijohet një klimë hipokrite e cila nuk premton asgjë për të ardhmen. Do të doja sikur nga qarqet zyrtare të bashkësive fetare bashkërisht të inicionin miratimin e një ligji për blasfeminë, i cili do të frenonte deri diku çoroditjen e lirisë së shprehjes dhe abuzimin me të.