A ka liri fetare në Kosovë?!

Toleranca ndërfetare e kultivuar me shekuj në Kosovë është meritë ekskluzive e besimtarëve në Kosovë, e në asnjë rast meritë e institucioneve të Kosovës. Ne shpesh i dëgjojmë politikanët tanë duke u mburrur para ndërkombëtarëve me këtë vlerë të madhe të popullit tonë, sikur të ishte meritë e tyre. Përkundrazi, konsideroj se pikërisht kjo elitë politike e cila nuk po ndryshon tash e 13 vite, janë duke u bërë shkaktar për të prishur këtë vlerë dhe harmoni ndërmjet besimeve.

Te populli shqiptar qe gjashtë shekuj nuk është regjistruar kurrë ndonjë konflikt ndërfetar dhe krejt kjo demonstron tolerancën ndërfetare që na bënë të ndihemi krenar dhe lirisht mund të jemi shembull për shumë vende të botës madje edhe për ato më të zhvilluara evropiane e më gjerë.

Këtë nuk e themi vetëm ne por edhe historianët me fame botërore si historiani Sir Thomas Arnold, i cili për shqiptarët shkruan: “Krenaria e përbashkët kombëtare është aq e fuqishme, sa që nuk i ka lënë vend ndikimit të dasive fetare te pjestarët e këtij populli”.

Ndërsa në anën tjetër është e vërtetë se në Kosovë besimtarët janë të lirë të besojnë, të kryejnë ritualet fetare në xhami e kisha por kjo është vetëm një pjesë e lirisë së besimit, sepse manifestimi publik i besimit, lirshëm pa u penguar, është esenciale për lirinë fetare. Tek e fundit besimin në zemër nuk mundet askush me ia mohuar askujt. Në Kosovë, liri të besimit dhe liri të kryerjes së riteve fetare ka pasur edhe në sistemin e kaluar por nuk ka pasur liri të manifestim publik të lirive fetare dhe kjo është çështja, sepse edhe në sot në demokraci po përsëritet qasja ndaj religjionit sikur në kohën e komunizmit.

Në Kosovën e pasluftës shpresat dhe pritjet e shumë besimtarëve se po përfundon koha e kufizimit të lirive fetare i erdhi fundi, kur në mënyrë arbitrare, pa kurfarë argumenti apo mbështetje ligjore, në vitin 2002 fillon në mënyrë sporadike përjashtimi i vajzave të besimit islam nga shkollat e mesme vetëm pse ato manifestonin publikisht besimin e tyre duke bartur mbi kokat e tyre një shami. Paradoksale kjo qasje nga institucionet arsimore ndaj nxënëseve të tyre, sepse institucionet arsimore do të duhej të vlerësonin çka kanë ato mbrenda kokave të tyre e jo çka kanë mbi kokat e tyre.

Kështu, sot në Kosovë vetëm pse lejohet shkuarja e besimtarëve në vendet e adhurimit, në këtë rast të muslimanëve në xhami ose liria e agjerimit të Ramazanit, nuk mund të jetë argument se në Kosovë ka liri fetare, sepse në të kundërtën do të rangoheshim në një nivel me Kinën, e sidomos me rajonin Xinjiang, ku muslimanët Ujgur çdo ditë e më shumë po persekutohen. Sipas “Financial Times” e cila ka raportuar këtë vit për muajin e Ramazanit në Kinë e veçanërisht në Xinjiang nga korrespodenti i FT dhe nga intervistat e bëra rezulton se muslimanëve atje nuk iu lejohet këndimi i Kur’anit madje edhe mbajtja e tij. Ndërsa agjëruesit i kanë detyruar të hanë gjatë ditës përkundër vullnetit të tyre duke qenë ata agjërueshëm. Atëherë, a do të krahasojmë liritë fetare në Kosovë me standardet e Xinjiangut të Kinës apo me ato të vendeve Evropiane. Besoj se do të pajtohemi të gjithë se në rastin e parë Kosova do të qëndrojë pak më mirë se Kina, ndërsa në rastin e dytë, atëherë Kosova do të skualifikohej fare, sepse ajo qëndron shumë larg nga vendet e BE-së sa i përket lirive fetare dhe manifestimit të besimit publikisht, lirshëm dhe pa asnjë pengesë.

Atëherë ku qëndron problemi?!

Problemi është thjeshtë mendësia komuniste, ateiste, apo më mirë të thuhet mendësia dhe fryma antiteiste e disa politikbërësve dhe speudointelektualëve në Kosovë. Të cilët në emër të demokracisë, që mezi e fituam, veprojnë si despot, duke u munduar të kontrollojnë çdo liri të njeriut dhe kështu po luftojnë vlerat më të larta të një shoqërie, vlerën kulturore, vlerën fetare, besimin e njeriut në Krijuesin e vet dhe të gjithësisë mbarë.

Për liritë fetare apo lirinë e besimit janë dhënë definicione të ndryshme, varësish periudhave kohore dhe të kuptuarit e drejtë të lirisë së besimit. Por ajo që më së shumti e hasim është se me Liri Fetare nënkuptojmë, lirinë e njeriut për të besuar, shprehur bindjet e veta dhe lirinë për të manifestuar fenë publikisht i pa penguar dhe pa frikë.

Ndërsa Liritë Fetare nga shumë njerëz por edhe nga popuj të ndryshëm konsiderohen ndër liritë fundamentale të njeriut. Kjo argumentohet edhe për faktin se shumë shtete kanë inkorporuar edhe lirinë e besimit si pjesë përbërëse të identitetit të tyre në kushtetutat e veta.

Rhode Island, shteti i 13 i ShBA-ve, nuk mori fare pjesë në konventën kushtetuese më 1787 derisa u pranuan edhe amendamentet shtesë të kushtetutës, që u quajtën si karta e të drejatve e që amendamenti i parë kishte të bënte me lirinë fetare. Vetëm atëherë pranoi të ratifikonte atë, më 1790. Poashtu ratifikimin e saj nuk e nënshkruan edhe dy delegat nga Virxhinia dhe një nga Masëçusets pikërisht për munges të kartës së të drejtave.

Sot, të gjitha vendet evropiane, kanë çasje pozitive ndaj besimit të qytetarëve të vet. Evropa të cilën ne po e synojmë nuk do të na pranojë nëse vazhdojmë me këtë qasje anti fetare sikur në kohën e komunizmit. Me këtë rast, duke pasur parasyshë respektin që populli ynë dhe institucionet kanë për ShBA-në dhe BE-në, kishte me qenë ndihmesë e madhe që përfaqësuesit e tyre në Kosovë të udhëzonin institucionet tona për këto vlera. Para një kohe, në KTV e kam përcjellë një intervistë të përbashkët të dy ambasadorëve evropian, atij britanik dhe atij gjerman, për të cilët kam respekt të madh e sidomos për vendet që ata përfaqësojnë. Të dy ambasadorët treguan praktikat e vendeve të tyre duke krahasuar me Kosovën se nëse dikush akuzohet për ndonjë krim serioz apo të çfarëdo natyre, ata nuk do të mbeteshin pjesë e administrates publike apo Qeverisë. Kështu duke aluduar për zyrtarë të Kosovës ndaj të cilëve janë ngritur padi. Kisha dashur që vërtetë ambasadorët e respektuar të na këshillojnë poashtu edhe për liritë fetare nga vendet e tyre respektive. Se si atje nuk përjashtohen vajzat me shamia nga shkolla dhe si nuk përjashtohen punëtoret me shamia nga vendi i punës. Madje me sugjerimin se nëse udhëtojmë drejt Londrës dhe na rastisë që në aeroportin Hithrow, policja kufitare që do të na e vulos pasaportën do të jetë me shami, atëherë mos të habitemi, sepse atje nuk ka politika antiteiste si në Kosovë, atje është një pushtet dhe administratë shtetërore që respekton vlerat fetare.

Në vendet evropiane kur ka rritje të krimit të organizuar e të korrupsionit, kur shtohet numri i të papunësuarve dhe kur nuk ka zhvillim ekonomik, qeveritë detyrohen të japin dorëheqje. Ndërsa në Kosovë kur kjo ndodhë, pjesëtarë të qeverisë, për të larguar mendjen e opinionit nga këto dështime, ndërtojnë konspiracione kundër religjionit, duke frikësuar popullin dhe bashkësinë ndërkombëtare për kinse rrezikun nga ekstremizmi fetar, e në këtë rast feja islame mbetet gjithëherë fajtori kujdestar i këtyre antiteistave.

Mr. Amir B. Ahmeti

(Autori është deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës)