A bën të më tregoni se si mund të pranohet një lutje?

Pyetje: A  bën të më tregoni se si mund të panohet një lutje, çfarë mund të bëj që të më pranohet, pasi që non stop jam vetëm keq?!

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut, paqja dhe lavdërimet qofshin mbi Muhamedin…

Lutja është ibadet (adhurim) dhe sigurisht që feja ka shpjeguar rreth saj. Përpara se të kërkojmë përgjigje për lutjet tona, ne fillimisht duhet të kuptojmë thelbin e lutjes, për të cilën kisha thënë: Lutja është një raport sekret mes robit dhe Krijuesit të vet, ku ai lavdëron Allahun, shprehë mirënjohjen ndaj Tij, qan hallin e vet apo të vëllezërve të tij, shfaqë nevojën për ndihmë, kërkon diçka konkrete dhe pastaj Allahu i Gjithëdijshëm i përgjigjet duke ia plotësuar kërkesën, ose duke ia dhënë një të mirë tjetër që ai ka harruar apo nuk ka ditur ta kërkojë, ose ia ruan shpërblimin për ditën e Gjykimit, për ditën kur ka më së shumti nevojë.

Pra, detyrë e jona është që sa më shumë ta lusim Allahun, sepse Allahu ka thënë: “Zoti juaj tha: Më lutni që t’ju përgjigjem! Ndërsa ata që bëhen mendjemëdhenj ndaj adhurimit Tim, do të hyjnë në xhehenem të poshtëruar” (Gafir 60).

Mirëpo, s’kemi pse të kërkojmë përgjigjen me shpejtësi, sepse Allahu e di çka është më e mirë për ne, madje nëse ngutemi rrezikojmë ta humbim pranimin e lutjes sonë. Ebu Hurejra, radijallahu anhu, përcjellë se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Lutja e juaj pranohet përderisa nuk nguteni duke thënë: u luta, u luta por nuk mu pranua” (Buhariu nr. 5981 Muslimi nr. 2735).

Nëse e ke gjendjen keq, lutju Allahut pa ndërprerë, kërko përkrahjen dhe ndihmën e Tij dhe ji i sigurt se Allahu do të përgjigjet.

Po ashtu, ki parasysh edhe këtë hadith që e përcjellë Ebu Seid Hudriu, radijallahu anhu, se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Çdo musliman në gjithë tokën që bën një dua, ku nuk lutet për të bërë ndonjë gjynah e as për të prishur lidhje familjare, Allahu ka për t’ia dhënë një nga tri gjërat: ose ia pranon lutjen çfarë ka kërkuar, ose ia ruan shpërblimin për në ahiret ose ia largon një të keqe të ngjashme”. ‘Atëherë të lutemi më shumë’ – thanë shokët e tij. “Allahu ka edhe më shumë” – tha Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem. (Tirmidhiu nr. 3573)