2020 cilësohet si vit i suksesshëm për Shoqatën Humanitare “Bereqeti”

Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” ka mbajtur sot mbledhjen e radhës për të diskutuar për të arriturat e vitit kalendarik 2020 si dhe për aspektet ku kjo shoqatë duhet të fuqizohet në mënyrë̈ që të jetë sa më pranë̈ qytetarëve.

Ky vit kalendarik u konsiderua i suksesshëm e me më shumë sfida për Shoqatën Humanitare “Bereqeti”, e cila edhe gjatë kohës së pandemisë̈ ka qenë afër familjeve në nevojë në forma të ndryshme.

Fillimisht Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, u shpreh i kënaqur me punën e shoqatës duke e cilësuar si bereqet për të gjithë qytetarët e vendit.

“Mua më kujtohet kur këtë shoqatë e patëm emëruar si ‘Bereqeti’, vërtetë me punën tuaj keni treguar se ne atëherë para 20 viteve nuk kemi gabuar kur këtë shoqatë e kemi emëruar të tillë. Ngase kjo po sjellë bereqete të shumta, kjo po sjellë punë të shumta dhe tashmë kjo shoqatë mbulon tërë territorin e Kosovës, por edhe jashtë saj. Janë suksese të “Bereqetit” që mund të prekën mund të shihen, mirëpo ka nganjëherë edhe neglizhencë, ka edhe lëshime, ka edhe nevojë për përmirësime nga gabimet eventuale tona”, është shprehur myftiu Naim ef. Tërnava.

Drejtori i Bereqetit, Behxhet Ajvazi, gjatë kësaj mbledhje përmendi disa nga aktivitet e zhvilluar të “Bereqetit” gjatë këtij viti kalendarik, duke veçuar, ndërtimin e shtëpive, rinovimin e tyre dhe aktivitete të tjera që dëshmojnë tolerancën në vendin tonë, por duke bërë thirrje që aktivitet në të ardhmen të zgjerohen edhe më shumë.

Po ashtu, Xheladin Fazliu në prezencë të koordinatorëve të “Bereqeti” bëri me dije se nëpër të gjitha xhamitë e Kosovës këtë të premte do të falënderohen të gjithë donatorët që kanë qenë afër familjeve në nevojë, duke mbështetur kështu “Bereqetin” në çdo iniciativë të ndërmarrë.

Në fund të kësaj mbledhje, në shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava ndau mirënjohje falënderimi për të gjithë koordinatorët e “Bereqetit” për angazhimin e treguar gjatë gjithë vitit.