Zhurma e Minsitrisë së Mjedisit për ligjin kundër zhurmës

Para më shumë se dhjetë ditë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i paraqiti Qeverisë së Kosovës, projektligjin kundër zhurmës. Ai projektligj u miratua në mbledhjen e qverisë pa asnjë votë kundër. Është interesant, madje sikur me qenë e sinkronizuar, në mbledhjet e qeverisë ku çdo minister paraqet miratimin e projektligjeve që vien nga dikasteri i tij, asnjë minister nuk i përzihet ministrit tjetër kur paraqet ndonjë projektligj për t’u miratuar. Kështu edhe ky projektligj kaloi pa u vërejtur fare nga ministrat tjerë, nga mosinteresimi i tyre se çfarë projektligji po paraqet kolegu i qeverisë ose ngase projektligji kundër zhurmës ishte shumë mirë i përpiluar dhe me profesionalizëm. Për këtë të dytën dyshoj.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përmes mediave bëri më shumë zhurmë sesa që ofroi një projektligj kundër zhurmës. Të paktën për aq sa degjuam këto ditë nga mediat, ky projektligj po duket të jetë shumë i mangët me mungesën e qartësimit se çka konsiderohet zhurmë dhe kur e si do të ndalet ajo. Ndërsa në anën tjetër, edhe i ngarkuar me provizione jashtë fushës së veprimit të tij. Fjalën e kam te përfshirja e zërit që vjen nga objektet fetare si zhurmë dhe mënyrën e trajtimit të tyre.

Nuk kam njohuri shumë për këmbanat e kishave përveç aq sa dëgjova përfaqësuesin e kishës katolike që tha se këmbana është traditë e kishterëve prej shumë shekujve. Por si besimitar musliman kam pak më shumë njohuri për ezanin e që është thirrje për faljen e namazit, i cili falet pesë herë në ditë dhe nga kuptimet e saj gjuhësore do të thotë edhe: të dëgjosh, të informohesh. Pra të jesh i informuar se hyri koha e namazit. Ezani në përmbajtjen e saj kur të thirret përmbledh në vete edhe “shehadetin” – deshminë, që është letërnjoftim i çdo muslimani kur dëshmon se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij.

Është edhe një fakt tjetër interesant për ezanin që dua ta përmend me këtë rast. Nuk kalon asnjë sekond që në botën mbarë të mos dëgjohet ezani. Në çdo moment dikund në botë thirret ezani si rrjedhojë e kohëve të namazit sipas lëvizjeve të diellit, prej agimit e deri pas perëndimit, prej namazit të sabahut e deri te namazi i jacisë. Kështu pra ezani është një thirrje, një njoftim për besimtarët për tu falur, atëherë si mund të konsiderohet ky njoftim “zhurmë”.

Për kërshërinë time dhe tuajën, lexues të ndruar, në një raport të Ministrisë së Mjedisit të vitit 2012, pas matjes që ka bërë kjo ministri për ajrin dhe zhurmën në Kosovë gjatë vitit 2011, askund në raport nuk numërohen si burime të zhurmës objektet fetare. Sipas raportit të kësaj ministrie kjo ndotje akustike i detyrohet kryesisht trafikut rrugor ku në zonat e dendura të trafikut rrugor, nivelet e presionit akustik gjatë ditës mund të arrijnë 70 dB dhe se burimet kryesore të zhurmës së mjedisit përfshinë: trafikun, industritë, ndërtimin etj. Ky raport është i përpiluar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës/AMMK, agjenci kjo e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe pikërisht informata më të gjera nga ky hulumtim i Ministrisë mund të lexoni prej faqes 70 e tutje ku bëhet fjalë kryesisht rreth zhurmës.

Pra kam të drejt të shqetësohem me mënyrën e përpilimit të ligjeve e sidomos të këtij nga Ministria e Mjedisit e cila do të na servojë një ligj në Kuvendin e Kosovës i cili nuk e ka mbështetur krejtësisht në hulumtimin e agjencionit të vet. Atëherë kush po insiston që edhe objektet fetare t’i nënshtrohen këtij ligji i cili nuk ka bazë nga hulumtimi dhe nuk është vlerësuar si burim i zhurmës. Ne presim që ministria të punojnë në zvogëlimin e zhurmës nga trafiku, industritë dhe nga ndërtimi e jo nga objektet fetare.

Për më tepër, mbi 6 shekuj në Kosovë, muslimanët, katolikët e ortodoksët kurrë nuk janë ankuar as për ezan e as për këmbana duke treguar kështu një kulturë të tolerancës ndërfetare. Në Kosovë prej atëherë e deri sot ka pasur regjime të ndryshme por as ezani e as këmbanat nuk janë ndaluar, e tash në Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane e demokratike, çka po ndodh, kënd po e pengon njoftimi që vjen nga objektet fetare.

Mr. Amir B. Ahmeti

(autori është magjistër i shkencave juridike dhe deputet në parlamentin e Kosovës)