Zëri i nënës shkakton reagim shumë më aktiv në trurin e fëmijës

Shkencëtarët amerikanë në Universitetin e Stanfordit në Kaliforni kanë konstatuar se truri i fëmijës ndryshon dhe në mënyrë shumë më aktive reagon ndaj tingujve të zërit të nënës, gjë që pjesërisht e shpjegon fenomenin që njerëzit shpesh e kanë ndjenjën se në kokë e dëgjojnë zërin e nënës së tyre, transmeton koha.

Truri zërat i regjistron dhe percepton me një pjesë të veçantë, por hulumtimi i fundit tregon se zëri i nënës në trurin e fëmijës i aktivizon edhe shumë pjesë të tjera të trurit, siç janë qendrat për emocione, shpërblim, funksionet shoqërore, shprehjet e fytyrës dhe dallimin e gjërave personale nga gjërat e rëndësishme të përgjithshme.

Rezultatet e hulumtimit janë publikuar në revistën shkencore “Proceedings of the National Academy of Sciences”, ndërsa shkencëtarët pohojnë se është e qartë se zëri i nënës e ka efektin e aktivizuesit në trurin e fëmijës, prandaj planifikohen edhe studime të reja me qëllim të zbulimit të ndikimit të zërit të nënës në trurin e të rriturve.

Rezultatet e hulumtimit, sipas studiuesve, janë të rëndësishme nga pikëpamja e zbulimit të metodave të reja të shërimit dhe terapive për fëmijët me autizëm apo çrregullime të tjera nervore.

Gjithsej 24 fëmijë të moshës shtatë deri në 12 vjeç kanë marrë pjesë në studim. Përmes skanerëve specialë MRI janë monitoruar reagimet e tyre ndaj tingujve të tri fjalëve të palidhura të cilat u shqiptuan nga nënat e tyre dhe femrat e tjera. Hulumtimet kanë treguar se truri i fëmijës me aftësi komunikuese të zhvilluara mirë dhe në mënyrë shumë më aktive reagon ndaj zërit të nënës. Të gjithë fëmijët reaguan ndaj zërit të nënës në mënyrë specifike, por tek secili është regjistruar një reagim shumë më aktiv se zëri i femrës së panjohur, gjë që çon në përfundimin e mëtejmë se zëri i nënës për çdo fëmijë është i rëndësishëm, por edhe i veçantë.