Në ditët tona shumë njerëz thonë: “Zemra ime është e pastër, sepse unë i dua shumë njerëzit dhe gjithmonë i ndihmoj ata, jam human dhe nuk i bëj keq askujt”. Por a është kjo zemra e pastër për të cilën Allahu i Lartësuar flet në Kur’an?Të kesh zemër të pastër do të thotë t’i jetosh cilësitë dhe vetitë e kërkuara në Kur’an. Ky përkufizim është i përgjithshëm dhe përmbledhës. Fjala “kalb selim”, do të thotë zemër pa sëmundje dhe pa gabime. Kalb Selim, ose zemra e pastër, është një cilësi që Kur’ani i Lartësuar ia atribuon vetëm besimtarëve duke thënë:
“Atë ditë kur s’të bën dobi as pasuria e as fëmija, vetëm ai që vjen tek Allahu me zemër të pastër”. (Shuara, 88-89)
Me shprehjen “zemër e pastër” kuptojmë një zemër të pastër që nuk i sjell dëm njerëzve, sepse në një hadith thuhet: “Mysliman i vërtetë është ai nga gjuha dhe dora e të cilit janë të sigurt myslimanët e tjerë”. Ky është një përshkrim i mrekullueshëm. Po, dora dhe gjuha e myslimanit nuk dëmton askënd.
Zemra e pastër është cilësia që bashkon në një trup të vetëm cilësitë e larta të besimtarit, të cilat pasqyrohen në punët e dhe veprat e tij. Morali kuranor, edukata profetike dhe të jetuarit si besimtar i devotshëm, nxjerrin në pah njeriun pozitiv, i cili i vë firmën vetëm punëve të dobishme, në radhë të parë të pëlqyera nga Allahu dhe pastaj të dobishme për të e për gjithë njerëzimin. Profeti a.s. në një hadith të tijin na thotë:
“Me të vërtetë në trup ndodhet një copë mishi, nëse ajo përmirësohet i gjithë trupi përmirësohet, e nëse ajo prishet i gjithë trupi shkatërrohet, ajo copë mishi është zemra.”
Zemra nuk është e devotshme, përderisa në brendësi të saj të ngulitet njohja e Allahut, madhështia, dashuria, frika, respekti, shpresa dhe mbështetja e plotë tek Ai. Zemra e pastër është ajo zemër, e cila ka shpëtuar nga çdo dyshim që bie ndesh me të vërtetën dhe nga çdo epsh i ndaluar. Ajo zemër është e shpëtuar nga shirku, dyshimi, smira, hakmarrja, urrejtja, pra, nga të gjitha ato gjynahe që e sëmurin zemrën, kurse përmendja e Allahut dhe bindja ndaj Tij e gjallëron zemrën.
Ditën e Gjykimit do të japim llogari për çdo vepër tonën dhe se gjeja më e dobishme që do të na nxjerrë faqebardhë do të jetë zemra e pastër dhe puna e mirë.
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “A e dini kush është i falimentuar (muflis)?” Shokët e tij i thanë: “I falimentuar është ai që nuk ka as para e as mall”. Tha: “I falimentuar i umetit tim është ai që vjen Ditën e Gjykimit me namaz, me agjërim, me zekat, por njëkohësisht ai ka sharë atë, ka shpifur për këtë, ka ngrënë pasurinë e atij, ka derdhur gjakun e këtij, ka rrahur tjetrin, atëherë, i jepen këtij e atij (atyre që i ka dëmtuar) prej të mirave që ka bërë dhe nëse harxhohen mirësitë e tij para se t’u paguhen borxhet, atëherë do të merren prej mëkateve të tyre dhe do t’i ngarkohen këtij, pastaj edhe ky do të hidhet në zjarr”.
Themeli i Islamit përbëhet nga besimi dhe respektimi i rregullave hyjnore, të cilat Allahu i ka dërguar me anë të Pejgamberit a.s.. Nuk mbetet me kaq, por kjo plotësohet me manifestimin e këtyre elementeve në praktikë, përfundimi i së cilës është ajo që quhet Amelu Salih – pra vepra e pëlqyer nga Krijuesi.
Vepra e mirë është kushti i dytë për shpëtimin e njeriut dhe ura me anë të së cilës ai fiton kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimet e tij. Dhe e kundërta, besimi pa këtë element, është si pema e shëndetshme por pa asnjë fryt. Besimi dhe vepra e mirë janë dy elemente të cilët nuk ndahen dhe ushqehen prej njëri-tjetrit në mënyrë reciproke. Allahu i Madhëruar veprën e mirë e përmend vazhdimisht bashkë me besimin.
Në suren Asr, Allahu thotë:
“Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.”
Vepra e mirë nuk është vetëm të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh, të shkosh në haxh e të therësh kurban ashtu siç e kuptojnë shumë veta sot. I dërguari i Allahut bashkë me shokët e tij, veprën e mirë e përkufizojnë në mënyrën më të gjerë, duke treguar se vepra e mirë është: të duash dhe të urresh për hir te Allahut, të lexosh Kur’anin duke medituar mbi të, të jesh fjalë drejtë, t’i dalësh për zot amanetit, të falësh atë që të ka bërë padrejtësi, të japësh prej mirësive që Allahu të ka dhënë e t’i ndihmosh nevojtarët, të sillesh mirë me familjen e të afërmit.
Vepra e mirë është edhe angazhimi në profesione të ndryshme për të fituar bukën e gojës, rrizkun e familjes, është largimi nga rruga e një pengese që mund të dëmtojë të tjerët, apo qoftë edhe një buzëqeshje drejtuar personit që kemi përballe, me të vetmin qëllim, fitimin e kënaqësisë së Zotit.
Që një vepër të konsiderohet e pëlqyer (e miratuar) nga Allahu duhet të plotësojë tre kushte:
1- Të kryhet me besim dhe nënshtrim të plotë tek Zoti.
Vepra që nuk shoqërohet nga besimi nuk ka dobi për njeriun Ditën e Gjykimit. Nëse e shfletojmë Kur’anin nga fillimi deri në fund, do të shohim se në më shumë se 52 ajete vepra e mirë përmendet e shoqëruar me besimin. Allahu i nxit njerëzit që të kryejnë vepra të mira. Që besimi të jetë i “gjallë dhe i shëndetshëm” ka nevojë që të ushqehet dhe të mbështetet me kryerjen e veprave te mira. Ky element jo vetëm që e mbron besimin, por edhe e ngre atë në nivele akoma më të larta.
2- Të jetë në përputhje me parimet e Kuranit dhe mësimet profetike.
Profeti a.s. në një hadith të transmetuar nga nëna e besimtarëve, Aishja r.a. thotë:
“Kush vepron diçka që nuk është në pajtim me rregullat tona, ajo (vepër) është e refuzuar’.”
Ashtu siç shprehet në hadith, vepra e kryer duhet të jetë në përputhje me ato çka urdhërohet në Kur’an dhe ato që Profeti a.s. i praktikoi në jetën e tij. Në të kundërt, ajo është pa dobi dhe pa vlerë për personin që e kryen.
3- Të bëhet me sinqeritet
Sinqeriteti është interpretuar si qëndrim i drejtë, i pastër, i pakompromis në parime, i mbyllur kundrejt dëshirës për t’u dukur dhe kundrejt sjelljeve e dukurive që mund të përlyejnë zemrën, larg synimeve tokësore, si një përkushtim i plotë i zemrës së pastër.
Puna e kryer duhet të jetë vetëm për hir të Allahut. Ajo punë që bëhet me dëshirën për t’u dukur nuk është prej veprave të mira. Pikërisht në sajë të kësaj fuqie të magjishme dhe këtij virtyti, i Dërguari i Allahut na sjell ndërmend se veprat duhet të rrotullohen rreth orbitës së sinqeritetit, teksa thotë: “Shikoni kurdoherë sinqeritetin në veprat tuaja, sepse Allahu pranon vetëm veprën e kryer me sinqeritet”.
E lusim Allahun e Madhërishëm që t’i përmirësojë zemrat tona. O Ti që i ndryshon zemrat, forcoje zemrat tona në fenë Tënde; o Ti që i drejton zemrat, drejtoji zemrat tona në bindjen Tënde dhe bindjen e të dërguarit Tënd. Zoti ynë, mos na i devijo zemrat tona pasi i udhëzove ato, dhe na dhuro neve nga Mëshira Jote. Me të vërtetë Ti je Dhurues i madh.