TRE DETYRIMET E MUSLIMANIT NDAJ KURANIT

Muslimani e kupton se Kurani është fjala e zbritur nga Allahu, madhërimi i tij është madhërim  i Allahut, azze ue xhel, dhe se ai ka obligime përballë asaj fjale kur e lexon dhe sillet me të. Prej atyre obligimeve më të rëndësishme janë:

E para: Realizimi i sinqeritetit dhe prezenca e qëllimit të pastër:

Muslimani detyrohet kur e lexon, mëson përmendësh, dëgjon, e punon me atë çka ka në fjalën e Allahut, të lufton që të jetë qëllimi i tij i pastër vetëm për Allahun azze ue xhel  dhe ta synoj fytyrën e Tij. Allahu  thotë: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë” Bejineh 5.

Transmetohet prej Omer ibën Hatabit se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Veprat shpërblehen sipas qëllimeve dhe se çdo njeriu do t’i takojë ajo që ka pasur për qëllim”.

Po ashtu transmetohet prej Ibën Abasit se ka thënë: “Njeriu mbrohet sipas sasisë të asaj që e ka pasur për qëllim”, d.m.th. njeriu shpërblehet sipas asaj se sa ka tentuar ta mbrojë qëllimin e pastër, dhe se kjo është ajo që i bën dobi.

Dijetarët thonë se lexuesi i Kuranit duke mësuar Kuranin dhe duke ua mësuar të tjerëve nuk duhet të synojë ndonjë çështje prej çështjeve të dynjasë, sikurse pasuria, pozita, fama, respekti dhe lavdërimi në mesin e shokëve dhe njerëzve, etj.

Të parët tanë Allahu i mëshiroftë ishin të kujdesshëm të ruajnë nijetit e tyre kur i rrekeshin adhurimeve, veçanërisht me Kuranin, dhe sakrifikonin shumë që mos ta njolloste qëllimin e tyre ndonjë e metë prej reputacionit dhe dyfytyrësisë.

Përcillet se Ejub es Sihtijani, kur fliste apo lexonte iu zbuste zemra, i rridhnin lotët, pastaj e pastronte fytyrën duke thënë prej frikës se do ta kaploj dyfytyrësia: Më ka kapur një grip i fortë.

– Ibrahim Nahaiju, kur ishte duke lexuar dhe hynte ndokush tek ai, e mbulonte Kuranin që mos ta vërejë njeri.

– Hasan el Basrij thoshte: Kur i rridhnin ndonjërit prej nesh lotët i mbulonte, dhe në rast se u frikonte se do t’i rridhnin para se ti mbulonte, atëherë çohej prej ndejës.

Këtyre burrave i ndihmoi në realizimin e kuptimit të sinqeritetit në sjelljen e tyre me Kuranin, bindja e tyre se ata gjatë leximit dhe recitimit të Kuranit i drejtohen dhe i flasin Allahut.

E dyta: Madhërimi i Kuranit Famëlartë:

Madhërimi i Kuranit është qëllimi i robërve të sinqertë të Allahut, dhe gjurmët e këtij madhërimi reflektohen në këtë Ummet dhe Ummetet para tij. Allahu thotë:  “Thuaj: “Besoni në të(Kuranin) apo nuk besoni, ata që u është dhënë dijenia para (shpalljes së) tij, bien në sexhde me fytyrat përtokë, kur ai u lexohet”. Isra 107.

Ky burim vjen prej atyre që i ka begatuar Allahu  me hapjen e zemrave të tyre në kuptimin e Kuranit, Allahu  thotë: “Po, kështu është! Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij”. Haxh 32, dhe kjo është një prej begative më të mëdha, të cilën nuk e meriton përveçse ai që zgjidhet prej Allahut të jetë i udhëzuar: “Këta janë ata, të cilët Allahu i begatoi (me hirin e Tij) nga profetët pasardhës të Ademit, të atyre që Ne i mbartëm me Nuhun, nga pasardhësit e Ibrahimit dhe të Izraelit dhe nga ata që Ne i udhëzuam dhe i zgjodhëm. Kur iu lexoheshin vargjet e të Gjithëmëshirshmit, binin duke bërë sexhde dhe qanin”. Merjem 58.

Madhërimi i Kuranit bazohet në shumë sjellje dhe cilësi të dukshme e të padukshme, prej tyre janë:

1- Madhërimi i Librit të Allahut do të thotë madhërimi çka ka në të prej urdhëresave dhe ndalesave, që rezulton me mbrojtjen prej devijimit të fanatikëve, trillimit të gënjeshtarëve dhe shpjegimit të injorantëve.

2- Prej madhërimit të Librit të Allahut është që lexuesi të jetë i pastër me dy llojet e pastërtisë, asaj të prekshmes e konkretes dhe asaj morale. Pra, duhet që goja, trupi dhe rrobat t’i ketë të pastra, pastaj vendi ku lexohet dhe recitohet Kurani të jetë i pastër, të drejtohet kah Kibla, me frikërespekt dhe qetësi.

3- Respektimi i hafëzave të Kuranit është madhërim i Librit të Allahut, transmetohet se Omer ibën Hatabi i tha përgjegjësit të tij në Mekë, Nafië ibën Abdulharithit kur u takuan në Usfan: Cilin e caktove përgjegjës të banorëve të Vadit? Tha: Ibën Ebzan. Omeri i tha: Kush është ibën Ebza? Tha: Një rob prej robërve tanë. Tha: E ke caktuar përgjegjësin e tyre rob!? Ai është hafëz i Kuranit dhe është dijetar në shkencën e ndarjes të trashëgimisë – i tha ai. Atëherë, Omeri radijallahu anhu tha: I Dërguari i juaj , sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Allahu azze ue xhel me këtë Libër ngrit popuj dhe me këtë Libër nënçmon popuj tjerë”. dhe po ashtu thonte: “Prej madhërimit  të Allahut është: respektimi i njeriut të thinjur musliman, respektimi i hafëzit të Kuranit i cili është mesatar, as nuk e tepron e as nuk e le pas dore, dhe respektimi i sunduesit të drejtë”.

Në shumë ajete Allahu, azze ue xhel, vetë e madhëroi Librin e Tij, duke thënë:

– “Ne të kemi shpallur shtatë vargje që përsëriten dhe Kuranin e madhërishëm” Hixhr 87,

– “Sâd! Betohem në Kuranin plot këshilla” Sad 1,

– “Kâf. Betohem në Kuranin e lavdishëm!” Kaf 1,

– “Se ky është vërtet një Kuran i nderuar, në Librin e ruajtur. Atë (Kuranin) e prekin vetëm të pastrit, Ai është Shpallje prej Zotit të botëve” Vakia 77-80,

– “Përkundrazi, ai është një Kuran i lavdishëm” Buruxh 21., dhe shumë ajete tjera të qarta të cilat aludojnë në madhërinë e Librit të Allahut.

E treta: Meditimi në kuptimin e Kuranit:

Ai i cili e lexon ose e dëgjon dhe nuk e mediton, ndoshta Kurani do të jetë dëshmi kundër tij dhe për atë shkak Allahu qortoi popuj, duke thënë: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?! Muhamed 24.

Transmetohet se Hasan Basrij ka thënë: “Ata që ishin para jush Kuranin e shihnin si porosi prej Allahut azze ue xhel, e studionin dhe e meditonin tërë natën, ndërsa  ditën e praktikonin”.

Abdullah ibën Mesudi thotë: “Bartësi i Kuranit duhet të dallohet me natën e tij kur njerëzit pushojnë, me ditën e tij kur njerëzit agjërojnë, me pikëllimin e tij kur njerëzit zbaviten, me qarjen e tij kur njerëzit qeshin, me heshtjen e tij kur njerëzit thellohen në biseda, dhe me nënshtrimin e tij kur njerëzit mashtrojnë dhe gënjejnë”.

Fudajl ibën Ijadi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Bartësi i Kuranit është bartës i flamurit islam, prandaj si shenjë respekti për Kuranin nuk i takon atij që të rrijë apo të ulet me atë që zbavitet, me të marrin dhe me atë që flet fjalë boshë dhe të padobishme”.

Prandaj, sakrifiko vëlla i dashur në kryerjen e këtyre obligimeve të rëndësishme ndaj Kuranit, tento që gjatë leximit ose dëgjimit të jesh i sinqertë me Allahun. Po ashtu sakrifiko në madhërimin e Kuranit dhe të atyre që e lexojnë me të gjitha obligimet që e meritojnë, dhe në fund sakrifiko në meditimin e kuptimeve dhe praktikoje atë.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU