LONDËR (AA) —Shefi ekzekutiv i kompanisë Apple, Tim Cook ka deklaruar se lajmet e rreme “shkatërrojnë trurin” për çka u ka bërë thirrje qeverive të shteteve që të lançojnë fushata për informim publik, në mënyrë që të luftojnë burimin e lajmeve të rreme, të cilat sipas tij “vrasin trurin e njeriut”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komentet e Cook u bënë në një intervistë për të përditshmen britanike “Daily Telegraph”, për të cilën tha se gënjeshtrat përhapen nga njerëzit të cilët qëllimin e vetëm e kanë marrjen e klikimeve, ndërsa jo transmetimin e së vërtetës. “Në një farë mënyrë, kjo shkatërron trurin e njeriut”, ka thënë ai.
Në intervistën të publikuar të shtunën, numri një i gjigandit teknologjik Apple, ka kritikuar kompanitë për mungesë të aktiviteteve të cilat do të çrrënjosnin lajmet e rreme, sepse siç thotë Cook, “kompanitë kanë për obligim të krijojnë mekanizma që “do të minimizonin vëllimin e lajmeve të rreme pa cenuar fare lirinë e shprehjes.”
Apeli i tij ka qenë“një fushatë masive për të ngritur vetëdijen për lajmet me mungesë të besueshmërisë”. Cook thotë se nevojitet një qasje e re në shkolla.
“Mund të themi se është i nevojshëm një kurs i ri, për fëmijë modern, për fëmijët dixhitalë”, ka thënë Cook.