Muslim-Prayer1-e1587159988716

REALIZIMI I TEUHIDIT

Realizimi i teuhidit (njësimit të Allahut) dhe përkujdesja për të është arma më e rëndësishme e besimtarit në luftën kundër shejtanit dhe anija më e rëndësishme e shpëtimit nga e keqja e gjynahut.

Abdullah ibn Mesudi tregon se natën e Israsë, kur Pejgamberi (alejhi selam) u ngrit në qiell, e ndalën te pema Sidretul Munteha dhe iu dhanë tri gjëra: pesë kohët e namazit, dy ajetet e fundit të sures Bekare dhe falja e gjynaheve të mëdha (shkatërruese) atij që e adhuron vetëm Allahun pa i bërë ortak në adhurim.[1]

Ebu Derda përcjell se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Allahu thotë: “Kush vjen me një të mirë, do t’i shumëfishohet deri në dhjetë, bile edhe më tepër, ndërsa kush vjen me një të keqe, për të shpërblehet me një të keqe apo i falet atij. Kush më afrohet Mua një pëllëmbë, Unë i afrohem atij një kut, e kush më afrohet Mua një kut, Unë i afrohem atij një pash, e kush më vjen duke ecur, Unë i afrohem atij duke ngarendur. Kush më vjen me gjynahe sa Toka plot dhe më ka adhuruar vetëm Mua, pa më përshkruar ortak në adhurim, Unë e takoj atë po me aq falje.”[2]

Fjala e teuhidit (fjala la ilahe il-lAllah) i bën dobi në Ditën e Kiametit atij që e shqipton, beson dhe punon me të. Pejgamberi (alejhi selam) thotë: “Allahu në Ditën e Kiametit e zgjedh një njeri nga umeti im para të gjitha krijesave të tjera dhe e thërret për llogaridhënie. Përpara i shtrihen nëntëdhjetë e nëntë regjistra, çdo regjistër është i madh sa largësia e shikimit. Më pas i thuhet atij: ‘A mohon diçka nga kjo që gjendet në regjistra? A të kanë bërë padrejtësi melaqet e Mia të angazhuara me regjistrimin e veprave?” Robi thotë: ‘Jo o Zot.’ Allahu thotë: ‘A ke ndonjë justifikim?’ Robi thotë: ‘Jo o Zot.’ Allahu thotë: ‘Përkundrazi, ti te Ne e ke një të mirë dhe sot nuk do të të të bëhet padrejtësi.’ E sjellin një kartë ku në të shkruan ‘esh-hedu en la ilahe il-lAllah ue esh-hedu enne Muhameden abduhu ue resuluhu’. Allahu thotë: ‘Sille peshoren tënde (që do të peshohen në të veprat e tua të këqija që gjenden në ata regjistra dhe kjo kartë).’ Robi thotë: ‘O Zot, kjo kartë nuk mund t’u afrohet gjithë këtyre regjistrave?’ Allahu thotë: ‘Ty nuk të bëhet padrejtësi.’ Vendosen regjistrat në njërin krah të peshores dhe karta në krahun tjetër të peshores dhe, me të vërtetë, krahu i peshores me regjistrat shkon përpjetë, ndërsa krahu i peshores me kartën bie poshtë sepse peshon më rëndë. Me emrin e Allahut nuk mund të peshohet asgjë dhe të jetë ekuivalent.”[3]

Pra, realizimi i teuhidit dhe largimi nga çdo gjë që e njollos atë ia bën të mundshme njeriut, me lejen e Allahut, ta realizojë këtë gradë.

Ibn el-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Atyre, që e njësojnë Allahun drejt dhe nuk e njollosin besimin e tyre me shirk, u falen disa vepra që të tjerëve, të cilët nuk janë si ata, nuk u falen. Po qe se njeriu, i cili e ka adhuruar Allahun pa i bërë ortak në asnjë lloj adhurimi, e takon Allahun me gjynahe sa Toka, Allahu e pret atë po me aq falje. Këtë privilegj nuk e arrin ai që ka mangësi në teuhidin e tij. Teuhidi i pastër, që nuk njolloset me ndonjë lloj të shirkut, nuk lë asnjë gjynah, sepse ky teuhid në vete përmban dashurinë e Allahut të Vetëm, madhështimin e Tij, frikën ndaj Tij dhe shpresën e Tij, gjë që e detyron shlyerjen e gjynaheve, edhe nëse janë ato sa Toka. Fëlliqësira e gjynaheve kalon sepse shtytësi që e fshin atë fëlliqësirë është aq i fortë saqë nuk mund të rezistojë.”[4]

Disa prej nesh mund të pyesim: Çfarë vlere ka teuhidi? Përse aq shumë duhet larguar nga shirku? Këtyre pyetjeve u përgjigjet Ibn el-Kajimi i cili thotë: “Dije se ai që këmbëngul në gjynahe, asnjëherë nuk mund ta realizojë teuhidin e plotë që mos t’i përshkruajë ortak Allahut në asgjë dhe ta mohojë shirkun në përgjithësi. Nuk mundet ai që është i dhënë pas gjynaheve të mëdha dhe ai që këmbëngulë në gjynahet e vogla të kenë teuhid të pastër dhe të mos bien në ndonjë lloj të shirkut. Kjo është e pashmangshme. Nuk duhet të merren në konsideratë fjalët e polemizuesit që nuk ka hise në veprat e zemrës, madje zemrën e ka të fortë si guri apo edhe më të ngurtë, nuk duhet të merren në konsideratë fjalët e tij kur thotë: ‘Përse gjynahqari nuk paska mundësi të ketë teuhid të plotë? Çka e bënë të pamundur këtë?’ Sikur të supozonte që mund të ndodhë realisht (d.m.th. që gjynahqari të mos bjerë në ndonjë lloj të shirkut), megjithatë kjo nuk nënkupton që rënia e tij në ndonjë lloj të shirkut do të jetë e pashmangshme. Për këtë shkak lëre këtë zemër të sprovuar me polemikën dhe injorancën e saj. Dije që këmbëngulja në mëkate e detyron vetvetiu zemrën të ketë frikë dikë tjetër përveç Allahut, shpresën ta lidhë me dikë tjetër përveç Allahut, dashurinë ta lidhë me dikë tjetër përveç Allahut, t’i përulet dhe t’i mbështetet dikujt tjetër përveç Allahut, e kjo ta çojë të zhytet në detet e shirkut. Gjykuesi në këtë rast është vetë njeriu i cili e njeh veten e tij, normalisht nëse ka mendje. Poshtërsia e gjynaheve patjetër e prek zemrën, derisa i mbjellin frikë ndaj dikujt tjetër përpos Allahut, gjë që është shirk dhe i mbjell dashuri për dikë tjetër përpos Allahut. Kërkimi i ndihmës prej dikujt tjetër përpos Allahut (në gjërat që duhet të kërkohen veç prej Allahut) është një prej shkaqeve që e çojnë deri te qëllimi i tij; kështu që vepra e tij nuk bëhet me Allahun dhe për Allahun. Ky është realiteti i shirkut. Po, ka mundësi ta posedojë teuhidin e Ebu Xhehlit dhe adhuruesve të idhujve, e ai është teuhidi rububije (njësimi i Allahu në veprimtarinë e Tij), që do të thotë se ti e pohon që nuk ka krijues tjetër përpos Allahut. Po ta kishte shpëtuar dikë ky lloj i teuhidit si i vetëm, do t’i shpëtonte adhuruesit e idhujve, por çështja lidhet me teuhidin uluhije (njësimin e Allahut në adhurim) i cili është dallues në mes idhujtarëve dhe besimtarëve. Sidoqoftë, qëllimi është se ai i cili nuk i bën Allahut ortak në asgjë dhe teuhidi i tij është i plotë, e pamundur është ta takojë Allahu me gjynahe sa Toka, duke këmbëngulur në to dhe pa u penduar prej tyre, sepse teuhidi i plotë nënkupton që dashurinë, përuljen, nënshtrimin, frikën dhe shpresën e tij të gjitha i ka të lidhura për Allahun e Madhërishëm.”[5]

Realizimi i teuhidit e skalit sjelljen e myslimanit deri në atë nivel saqë shpirti i tij e refuzon gjynahun dhe ndien në vete që dashuria e tij për Allahun, përulja dhe nevoja e tij për Allahun e bëjnë atë që mos t’u afrohet ndalesave apo t’i tejkalojë kufijtë. Edhe atëherë kur bie në ndonjë gjynah, shumë shpejt kthjellet dhe zgjohet nga pakujdesia.

Disa njerëz e përfytyrojnë dhe e ekzagjerojnë në kuptim duke menduar se argumentet fetare që flasin rreth faljes së Allahut për besimtarët, të cilët nuk i përshkruajnë Allahut ortak, janë dëshmi për pafajësinë dhe çiltërsinë e tyre dhe se ata i përfshin falja e Allahut përherë, të gjallë dhe të vdekur. Ky mendim nuk është i vërtetë, përndryshe çfarë kuptimi do të kenë argumentet e sakta që tregojnë se besimtarët dënohen në zjarr sipas veprave të tyre edhe pse ata dëshmojnë la ilahe il-lAllah dhe nuk i bëjnë ortak Allahut në adhurim! Kjo tregon që kuptimi i teuhidit, realizimi i tij dhe mohimi i shirkut është më i largët dhe më i thellë se këndvështrimi i shkurtër që ata e shohin.

Kuptimi i teuhidit dhe i shirkut nuk është në gjendje më të mirë se botëkuptimet fetare të tjera që i ka përfshirë mjegullnaja dhe ndryshku dhe mbi to kanë nisur të dominojnë mendimet e njerëzve dhe tekat e tyre.

Ibn el-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ne nuk themi që nuk hyn në zjarr askush nga ithtarët e teuhidit, bile shumë prej tyre do të hyjnë në zjarr shkaku i gjynaheve të tyre dhe do të ndëshkohen sipas gjynaheve të tyre e pastaj do të dalin prej aty. Nuk ka kundërshtim mes dy çështjeve për atë që i lexon argumentet që i përmendëm më herët.”[6]

Kur do ta kuptosh këtë realitet, shpalle bojkotin tënd ndaj atyre botëkuptimeve të ngurta që ithtarët e saj e paramendojnë veten që janë të pastër nga shirku dhe janë realizues të teuhidit, veç pse janë larguar nga disa dukuri të caktuara apo i ruajnë disa shprehje të përcaktuara, apo veç pse kanë lindur në ndonjë vend besimtar dhe familjarisht janë të lidhur me besimtarë!

Kur do të vetëdijesohesh që ke nevojë të madhe për ta realizuar dhe vërtetuar teuhidin në zemër, do ta kuptosh që teuhidi ka nivele dhe gradë, e ky realitet do të të nxitë të garosh dhe të lartësohesh në ato nivele.

Ibn el-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dije që rrezet e fjalës ‘la ilahe il-lAllah’ i shkapërderdhin errësirat e gjynaheve sipas fuqisë dhe dobësisë së tyre. Ato rreze bëjnë dritë dhe njerëzit dallohen mes vete në përfshirjen e asaj drite sipas fuqisë dhe dobësisë së saj që e di veç Allahu; ka njerëz që dritën e fjalës ‘la ilahe il-lAllah’ në zemrën e tyre e kanë si drita e diellit, disa të tjerë e kanë si ylli shndritës, disa të tjerë e kanë si flakadani i madh, disa si kandili që ndriçon e disa si kandili që bën pak dritë. Për këtë shkak në Ditën e Kiametit shfaqet dritë që ndriçon para tyre dhe në të djathtën e tyre sipas dritës së fjalës ‘la ilahe il-lAllah’ që e kanë në zemrat e tyre, ndërsa sasia e dritës në zemër varet nga dija, vepra, njohja dhe gjendja që e ka për këtë fjalë.”[7]

Ashtu si dallohen besimtarët në mes vete në shkallën e dritës së kësaj fjale në zemrat e tyre, ashtu dallojnë rezultatet dhe frytet e teuhidit në dynja dhe ahiret.

Ibn el-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, e qartëson këtë duke thënë: “Sa herë që rritet dhe forcohet drita e kësaj fjale, ajo i djeg dyshimet dhe epshet sipas fuqisë dhe forcës së vet, derisa vjen në një gjendje që çdo dyshim, epsh dhe gjynah që i del përballë vetëm se e djeg. Kjo është gjendja e atij që është i sinqertë në teuhidin e tij, i cili nuk i ka përshkruar ortak Allahut në adhurim. Cilido gjynah, dyshim apo epsh që i afrohet kësaj drite, ajo vetëm se e djeg atë. Qielli i imanit të tij është i mbrojtur me yje nga vjedhësit e të mirave të tij, e vjedhësi arrin të marrë nga ato të mira atëherë kur njeriun e kaplon shkujdesja, gjë që njeriu e ka në natyrë dhe patjetër që i ndodhë çdokujt, por, kur kthjellet dhe e kupton se çfarë është vjedhur prej tij, atëherë i shpëton të mirat nga vjedhësi i tij, apo arrin t’i dyfishojë ato me përfitimin e tij. Ai gjithnjë është i tillë me vjedhësit prej xhindeve dhe njerëzve dhe nuk është sikur ai që i hap thesaret e tij dhe i lë ata të veprojnë çfarë të duan.”[8]

Andaj, të kujdesemi ta realizojmë teuhidin në zemrat tona, t’i mbushim ato me dashurinë për Allahun dhe madhërimin e Tij, ta largojmë çdo lidhje që na lidh me dikë tjetër përpos Allahut dhe mos t’i drejtohemi dikujt tjetër përveç Allahut.

DR. MUHAMED ED DUVEJSH

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

PJESË NGA LIBRI “RRUGA E SHPËTIMIT NGA E KEQJA E GJYNAHUT”

(Libri është i përkthyer në shqip)

[1] Muslimi (244).

[2] Muslimi (2677), Ahmedi (5/172).

[3] Tirmidhiu (2639), Ahmedi (2/213), Ibn Maxhe (4300).

[4] Igathetu el-Lehfan (1/63).

[5] Medarixhus Salikin (1/354-355).

[6] Medarixhus Salikin (1/358).

[7] Medarixhus Salikin (1/358).

[8] Medarixhus Salikin (1/358).