RAMAZANI DHE AGJËRIMI NË IDENTIFIKIM TË NDËRSJELLË

Kush i ka mësuar shtyllat e Islamit e ka kuptuar se ato janë pesë dhe se njëra prej tyre është agjërimi i Ramazanit. Kur kemi qenë të vegjël, sa herë i kemi numëruar këto pesë shtylla, nuk kemi mundur që të mos i ngatërrojmë në shprehje, herë duke thënë agjërimi e herë Ramazani. Ato dyja, pra, shumë natyrshëm janë bërë sinonime të njëra-tjetrës.

Krahas zbritjes së Kur’anit, agjërimi është bërë shenja identifikuese kryesore e muajit Ramazan. Është një ritual (ibadet) shumë i veçantë. Është shumë i kulluar dhe i paalternativë. Ose kryhet ose shpërfillet. Madje, ose bëhet për hir të Allahut ose nuk bëhet fare. Në të nuk ka syefaqësi e reklamë, ngase është veprim që nuk u nënshtrohet shikimeve të njerëzve. M’u për këtë, thotë Allahu i Madhërishëm në hadith kudsijj:
“Çdo vepër që e bën biri i Ademit, i takon atij, përveç agjwërimit. Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të.” (Buhariu dhe Muslimi)
Agjërimi veçohet nga vargu i adhurimeve, jo për shkakun se ato tjerat nuk duhet të bëhen për hir të Allahut, por për shkakun se të tjerat edhe ka mundësi që kryesi i tyre të shtiret dhe të mos jetë i sinqertë, të synojë edhe diçka krahas kënaqësisë së Allahut. Ndërsa agjërimi nuk mund të jetë veçse me sinqeritet, ngase askush nuk ka çasje në faktin se agjëron dikush apo jo.