Pyetje të vështira drejtuar Ebu Hanifes

Një ditë një njeri i cili nuk e donte Ebu Hanifen erdhi tek ai në xhami dhe duke dashur ta zë ngushtë si dhe ta vë në pozitë të pa lakmueshme filloi ta pyeste me ca pyetje të cilat në të vërtetë ishte vështirë tu përgjigjej njeriu aq më tepër në një kohë shumë të shkurtë.

Ky person filloi ta pyeste Ebu Hanifen në prezencë të njerëzve duke i thënë: “Çfarë thua për një njeri i cili nuk shpreson xhenetin e as nuk frikësohet nga zjarri.

Nuk i frikësohet Allahut, i ha ngordhësirat, falet pa rënë në ruku e as sexhde, dëshmon për gjërat që nuk i ka parë, e urren të vërtetën, e do fitnen, ikë nga mëshira (rahmeti), ua pranon fjalën e çifutëve dhe të krishterëve.

Pasi e përfundoi pyetjen i tha: A di ti rreth kësaj pyetje diç me të cilën do të më përgjigjesh”?
Ebu Hanife me të dëgjuar pyetjen e pyeti këtë pyetës duke i thënë: “Ti çfarë mendon a e di përgjigjen e kësaj pyetje apo jo”? Njeriu i tha se përgjigjen nuk e di por jam munduar të bëjë një pyetje sa më të vështirë dhe më të koklavitur që ta kesh të vështirë t’i përgjigjesh.

Pastaj Ebu Hanife i pyeti shokët e tij të cilët ishin të pranishëm se çfarë mendonin për këtë lloj njeriu tek i cili gjendeshin këto veti.

Ata duke mos menduar aspak ju përgjigjen se ky lloj njeriu është prej njerëzve më të ligë dhe jobesimtarëve më të mëdhenj që mund të ekzistojë. Ebu Hanife kur i dëgjoi përgjigjet e të dy palëve buzëqeshi dhe tha: “Ky njeri vërtet është prej të dashurve të Allahut”, pastaj ju kthye personit i cili e kishte pyetur ku i tha: “Nëse unë të përgjigjem në pyetjen tënde ti a do të ndalesh nga ofendimi im”, njeriu ja ktheu me përgjigje pozitive.

Kështu duke mos u vonuar aspak filloi të përgjigjej ku tha: “Ai nuk shpreson në xhenet e as nuk frikësohet nga zjarri sepse shpreson në Zotin e xhenetit dhe frikësohet nga Zoti i zjarrit.

Nuk i frikësohet Allahut është për qëllim se nuk frikësohet nga Allahu se mund t’i bëjë padrejtësi, ngase Ai nuk i bënë padrejtësi askujt.

I ha ngordhësirat të cilat janë të lejuara pra peshkun dhe kafshët tjera të detit.

Falet pa rënë në ruku e as sexhde, pra falë namazin e xhenazes.

Dëshmon për gjërat që nuk i sheh është për qëllim se Allahu është një që meriton adhurimin dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij edhe pse nuk i ka parë ata.

Urrejtja e të vërtetës ka kuptimin e urrejtjes së vdekjes (sepse me ardhjen e momentit të saj të gjitha të vërtetat të qartësohen duke i parë me sy) sepse dëshiron të mos vdesë që ta adhurojë sa më shumë Allahun.

E do fitnen, pra i do fëmijët dhe pasurinë e tij. Ik nga mëshira (rahmeti) ka kuptimin se ik nga shiu që të mos laget kur ai bie sepse shiu është mëshirë që zbret nga Zoti.

E pranon fjalën e çifutëve të cilët thonë se të krishterët janë të devijuar dhe e pranon fjalën e krishterëve se çifutët kanë devijuar” Personi që e kishte pyetur kur e dëgjoi këtë përgjigje aq të shpejtë, mahnitëse dhe të qëlluar u ngrit nga vendi i tij dhe shkoi e puthi Ebu Hanifen mu në ballë duke i thënë: Dëshmojë se ti je në rrugë të vërtetë.