test-ispit-uciliste-matura

PROVIMET – KËSHILLA DHE DOBI

  1. Për të arritur deri te suksesi dhe mbarësia në provime, nevojitet mbështetja në Allahun, pastaj marrja e shkaqeve të suksesit dhe mbarësisë, si: leximi i mësimeve, përpjekja në marrjen e dijes dhe përsëritja e lëndëve mësimore para se të vijnë provimet: “Mbështetu në të Gjithëjetshmin, i Cili nuk vdes…” (El-Furkan: 58)

Në një hadith Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Përpiqu në atë që të bën dobi, kërko ndihmë nga Allahu dhe mos u demoralizo.”[1]

  1. Strehimi tek Allahu me lutje për mbarësi, lehtësim dhe saktësi si dhe kërkimi i kënaqësisë së prindërve dhe lutjeve të tyre, janë ndër shkaqet më të rëndësishme për sukses, duke ia dhënë mundin edhe në përsëritje dhe në marrjen e shkaqeve të tjera.

Allahu thotë: “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai…” (Et-Talak: 3); “Kjo nënkupton se Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai për çështjet e tij. Kur çështja është nën përkujdesjen e të Pasurit, të Fortit, të Plotfuqishmit dhe të Mëshirëplotit, atëherë Ai është më afër robit se çdo gjë tjetër.”[2]

Mbështetju të Gjithëmëshirshmit në të gjitha çështjet, sepse me të vërtetë nuk ka humbur askush që i është mbështetur Allahut.

Ji i bindur në Allahun dhe ji i kënaqur me caktimin e Tij, se me nder e fiton atë që e shpreson prej Tij.

  1. Shpeshtoje përmendjen e Allahut, mos u mbështet në veten për sa i përket ndryshimit e fuqisë dhe kërkoje nga Allahu ndihmën.

Mos të të mashtrojë ajo që e ke zënë përmendsh dhe që e ke kuptuar nga mësimet, por për të gjitha çështjet mbështetu në Allahun, sepse të gjitha ato janë në Dorën e Allahut, të Vetmit, ashtu siç Allahu thotë: “…Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi…” (El-Earaf: 54). Dhe thotë: “…duke drejtuar çdo gjë…” (Junus: 3). Dhe thotë: “…Çdo e mirë është në Dorën Tënde! Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë.” (Ali Imran: 26)

  1. Nuk lehtësohet asnjë çështje pa lehtësimin e Allahut dhe nuk vështirësohet ndonjë çështje vetëm se me përcaktimin e Tij. Të gjitha krijesat janë të Allahut, çdo çështje i takon Atij, çdo e mirë është në Dorën e Tij, nuk ka kush e ndalon atë që Ai e jep dhe nuk ka kush e jep atë që Ai e ndalon. Prandaj, drejtoju Allahut për lehtësimin e çështjeve dhe për mposhtjen e së vështirës.

Allahu thotë: “Begatitë, që Allahu ua jep njerëzve nga mëshira e Tij, nuk mund t’i pengojë askush, ndërsa atë, që Ai e pengon, askush nuk mund ta japë veç Tij; Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Fatir: 2).

Nga lutjet e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ishte: “O Allahu im, nuk ka kush që e ndalon atë që Ti e ke dhënë dhe nuk ka kush e jep atë që Ti e ndalon.”[3]

  1. Forcoje lidhjen tënde me Allahun, gjatë provimit dhe në çdo kohë, përkujdesu për faljen e namazit, mos e harro dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes, dhikrin e gjumit, dhikrin e ngritjes nga gjumi dhe duanë gjatë daljes nga shtëpia: “Bismilahi tevekeltu ala Allahi, ue la haule ue la kuvete il-la bil-lahi (Me emrin e Allahut, në Allahun u mbështeta, nuk ka ndryshim e as forcë pa ndihmën e Allahut).”

Në hadith erdhi: “Atëherë i thuhet (atij që e thotë duanë gjatë daljes nga shtëpia): “Je i udhëzuar, të mjaftojnë këto fjalë (për të t’u larguar sherri) dhe je i mbrojtur (nga çdo e keqe dhe dëm i fshehtë). Shejtani ik prej tij dhe i thotë shejtanit tjetër: ‘Çfarë mund t’i bësh një njeriu i cili është i udhëzuar, i mjaftuan këto fjalë dhe u mbrojt’.”[4]

(Udhëzohesh) në rrugë të drejtë dhe të vërtetë duke kërkuar ndihmë tek Allahu, dhe atë që Allahu e udhëzon s’ka kush e devijon.

(Mjaftohesh) nga çdo brengë e kësaj dynjaje dhe të së amshueshmes.

(Mbrohesh) nga sherri i armiqve shejtanë dhe të tjerëve.

  1. Namazi është shtylla më e madhe e Islamit pas dy dëshmive dhe myslimani deri në maksimum përkujdeset që ta falë namazin në kohën e vet dhe me xhemat. Në faljen e namazit të tij nuk duhet të ndikojë ndonjë provim ose diçka tjetër. Allahu thotë: “…namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar.” (En-Nisa: 103). Besimtarë të denjë dhe të vërtetë janë ata: “njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për ta përmendur Allahun dhe të cilët e falin namazin…” (En-Nur: 37)

Andaj, ki kujdes të shtuar që mos ta humbësh namazin ose ta vonosh atë gjatë ditëve të provimeve, sidomos mos harro se namazi është një ndër shkaqet më të mëdha që të ndihmon dhe t’i lehtëson të gjitha çështjet, ashtu siç Allahu thotë: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz!” (El-Bekare: 45)

  1. Shpeshtoje thënien “la haule ue la kuvete il-la bil-lah (nuk ka ndryshim e as forcë pa ndihmën e Allahut)”; kjo ishte porosia e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, drejtuar Ebu Dherit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili përcjell: “Më urdhëroi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, që t’i shpeshtoj fjalët ‘la haule ue la kuvete il-la bil-lah’, sepse ato janë nga thesaret që gjenden poshtë Arshit (Fronit).”[5]

Fjalët “la haule ue la kuvete il-la bil-lah (nuk ka ndryshim e as forcë pa ndihmën e Allahut)” janë fjalë që aludojnë në nënshtrim, në dorëzim dhe në lënien e çështjes Allahut, janë fjalë që aludojnë në heqjen nga vetja të mundësisë së ndryshimit, fuqisë dhe pohimit se kjo i përket vetëm Allahut. Pra, nuk ka ndryshim të gjendjes prej njërës në tjetrën pa ndihmën e Allahut, dhe nuk ka fuqi ta bëjë atë askush tjetër përveç Allahut. Robi nuk posedon asgjë nga çështja e tij, ai nuk ka rrugëdalje që ta largojë të keqen dhe nuk ka fuqi ta përfitojë të mirën, pa ndihmën dhe vullnetin e Allahut të Madhëruar.

  1. Shpeshtoje istigfarin (kërkimfaljen), ai është shkak për lehtësimin e çështjeve dhe hapjen e dyerve të riskut si dhe falja ia hap robit dyert e mirësisë: “…e u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!” (Nuh 10-12)
  2. Shpeshtoje dërgimin e salavateve për Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kjo: “Të mjafton kjo që të të largohet brenga dhe të të falet mëkati.”[6]
  3. Kur gjatë provimit ose në provim ke vështirësi thuaj:

“Allahume la sehle il-la ma xhealtehu sehlen, ue ente texhalu el-hazen idha shi’te sehlen”[7]

(O Allahu im, nuk ka gjë të lehtë përveç asaj që Ti e lehtëson dhe e bën të lehtë. E rënda dhe e vështira nuk lehtësohet, përveç kur Ti dëshiron që ajo të bëhet e lehtë)

11.Çdoherë shpeshtoje lutjen e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili lutej duke thënë:

“Allahumme inni eudhu bike minel hemmi, uel hazeni, uel axhzi, uel keseli”[8]

(O Allahu im, kërkoj mbrojtjen Tënde nga brengat dhe dëshpërimi, nga paaftësia dhe dembelia).

Brengat vijnë për çështjet që kanë ndodhur dhe kanë kaluar.

Dëshpërimi vjen për gjërat që nuk kanë ndodhur, por supozohet dhe pritet të ndodhin.

Dembelia është të lësh dhe të braktisësh diçka duke e pasur mundësinë për ta vepruar.

Paaftësia është të mos posedosh mundësi dhe fuqi të veprosh diçka.

Paaftësia arsyetohet, kurse për dembelinë njeriu nuk arsyetohet.

  1. Nga shkaqet e lehtësimit të çështjeve është optimizmi dhe mendimi i mirë për Allahun. Allahu thotë me një hadith kudsij (të shenjtë): “Unë jam te mendimi i robit për Mua”; me një transmetim tjetër erdhi me shtojcën: “Le të mendojë robi Im për Mua çfarë të dëshirojë.”[9]

Andaj, kur nxënësi mysliman përpiqet dhe ka mendim të mirë për Allahun se do t’ia lehtësojë çështjen atij, me lejen e Allahut, do t’i lehtësohet çështja e tij.

  1. Nga parapërgatitja shpirtërore për provimet është që në shtëpi të përhapet ambient pozitiv, t’u thuhen fëmijëve lutje dhe fjalë inkurajuese, të lidhen për të përmendurit e Allahut dhe të strehohen tek Ai, të mos përhapen mesazhe ashpërsie dhe qortimi shkaku i mangësive, të vetëdijesohen se nga të kërkohet, pasi t’i mbështeten Allahut dhe t’ia dorëzojnë çështjen Atij, që t’i marrin shkaqet e lehtësimit dhe të suksesit.

Kjo i ndihmon ata shumë në ngritjen e ambicies, ua qetëson shpirtrat, ndiejnë rehati në shpirt, largohet nga ta shqetësimi i dëmshëm, i cili e pengon mendjen nga përsëritja.

  1. Në kohën e provimeve disa prindër bëjnë krahasimin në mes fëmijëve të tyre me fëmijët e të tjerëve që dallohen në mësime dhe studime, me shpresë që kjo do t’i nxitë dhe do t’i inkurajojë ata që t’i përsërisin mësimet dhe të përpiqen më tepër.

Kjo metodë kërkon urtësi, butësi si dhe përkujdesje për mentalitetin dhe karakterin e fëmijës. Rezultatet e kësaj metode, nëse nuk është e përshtatshme, mund të jenë negative për fëmijët, sepse tek ata mund të reflektojë mosbesim në vete, ndjenjë dështimi dhe të pasqyrojë negativisht në nivelin e arritjes së mësimeve dhe në përgjigjet e tyre në provime.

  1. Lute Allahun çdoherë për lehtësimin e çështjeve dhe shpeshtoji duatë e përshtatshme për kohën e provimeve.

Për provime nuk ka lutje të posaçme, por mund të lutemi me lutje të përgjithshme që u përshtaten provimeve. Ndër to:

* “la haule ue la kuvete il-la bil-lah (nuk ka ndryshim e as forcë pa ndihmën e Allahut)”

* “O Zoti im, zgjeroma kraharorin tim, lehtësoma punën time…” (Ta Ha: 25-26)

* “O Allahu im, nuk ka gjë të lehtë përveç asaj që Ti e lehtëson dhe e bën të lehtë. E rënda dhe e vështira nuk lehtësohet, përveç kur Ti dëshiron që ajo të bëhet e lehtë.”

* “O Allahu im, më udhëzo dhe më drejto.”

* “S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” (El-Enbija: 87)

* “O i Gjallë dhe i Përjetshëm! O Mbajtësi i gjithçkaje! Me mëshirën Tënde të kërkoj ndihmë! M’i përmirëso të gjitha punët e mia dhe mos më lër të mbështetem në veten time qoftë as sa një mbyllje e syrit.”[10]

* “O Allahu im, mundësoma që hallalli Yt të më mjaftojë karshi haramit dhe me dhuntinë Tënde më bëj që mos të jem i varur prej askujt përveç Teje.”

* “Allahu im, unë jam robi Yt dhe biri i robit dhe i robëreshës Sate. Balli im është në Dorën Tënde, dispozitat Tua mbi mua i pranoj, i drejtë është gjykimi Yt mbi mua. Të lutem me çdo emër me të cilin e ke emëruar Veten Tënde, ose që e ke zbritur në librin Tënd ose ia ke mësuar dikujt prej krijesave të Tua, ose që e ke mbajtur të fshehur në diturinë Tënde, bëje Kuranin pranverë të zemrës sime dhe dritë të gjoksit tim, shndritje për pikëllimin dhe largimin e dëshpërimit.”[11]

* “O Allahu im, Ty të lutem dhe kërkoj mirësitë e Tua.”

* “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare: 201)

  1. Mos u mbështet plotësisht në përmbledhjet dhe shkurtesat e librave që i kanë bërë të tjerët, por lexoje vetë librin dhe përmblidhi gjërat kryesore, e pastaj herë pas here edhe para provimit përsërite atë që e ke përmbledhur.
  2. Disa mësime mund që të lexohen shpejt, te disa ka nevojë që të ndalemi më gjatë e te disa të tjera ka nevojë për përsëritje dhe nxënie përmendsh, prandaj nxënësi duhet ta marrë parasysh gjithë këtë gjatë përsëritjes së mësimeve.
  3. Kalite veten që gjatë tërë vitit shkollor t’i përsëritësh mësimet, qoftë edhe nga pak, por për çdo ditë, ngase nxënësit ia lehtëson vështirësitë e përsëritjes dhe e largon nga qëndrimi pa gjumë tërë natën në kohën e provimeve. Prandaj, përpjekje dhe vetëm përpjekje.
  4. Mos përsërit duke qenë i shtrirë në kurriz ose i ulur në ndonjë pozitë jo të rehatshme, kjo ta humb koncentrimin ose ta sjell gjumin, por përsërit duke qenë i ulur drejt, kjo është më e mirë për koncentrimin dhe e largon dembelinë.
  5. Ajo që ndihmon dhe që nxit për në përsëritje të mësimeve është njohja e rëndësisë së lëndës shkencore që gjendet në përmbajtjen e planprogramit shkollor, njohja e kohëzgjatjes së ndikimit të saj pozitivisht në jetën tënde si dhe kohëzgjatja e përfitimit tënd prej saj.
  6. Gjumi i mjaftueshëm dhe moslodhja e trupit një natë para provimit për nxënësin është me rëndësi. Një orë përsëritje me përqendrim pas pushimit dhe mbledhjes së forcës është më e mirë sesa përsëritja disa orë pa koncentrim e përqendrim.
  7. Mos harro që me vete t’i marrësh të gjitha mjetet e nevojshme dhe që lejohen në ditën e provimit, si: lapsin, gomën fshirëse, mjetet gjeometrike, kalkulatorin, orën etj., sepse parapërgatitja e duhur për provime ndihmon në të përgjigjurit e pyetjeve.
  8. Dil herët nga shtëpia për në provim që të largohet nga ti frika e provimit dhe përkujdesu për dhikrin dhe duanë e daljes nga shtëpia.
  9. Nxënësi duhet t’ia ketë frikën Allahut dhe nuk duhet të mashtrojë ose të vjedhë në provim. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Kush mashtron, nuk është nga unë.”[12]
  10. Ki frikë Allahun dhe mos nxit shqetësim dhe frikë në shpirtrat e shokëve para provimit me përhapjen e lajmeve të pavërteta dhe të ngjashme me to. Shqetësimi shkakton sëmundje.

Përkundrazi, ti reflekto tek ata optimizëm me shprehje të mira të lejuara dhe se provimi do të jetë i lehtë me lejen e Allahut. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, shprehu optimizëm në ndodhinë e marrëveshjes së Hudejbijes, kur e pa se Suhejli[13] ibën Amru kishte ardhur të negocionte me myslimanët dhe tha: “Tani (me ardhjen e Suhejlit) çështja juaj u lehtësua.”[14]

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur dilte për ndonjë nevojë, e pëlqente t’i dëgjonte thirrjet: o ti që shkon në rrugë të drejtë, o ti i suksesshëm. [15]

  1. Diploma e marrë me mashtrime nuk ka bereqet në të. Ajo është diplomë e rrejshme, kurse ai që e merr me mashtrime, llogaritet mashtrues në aspektin e përgatitjes dhe arritjes së nivelit shkencor.
  2. Fletën e provimit lexoje mirë dhe shikoje hollësisht se çfarë kërkohet në pyetjet e parashtruara. Mundet që nga ngutja të ikën ndonjë pjesë e pyetjes, e pastaj ta akuzosh padrejtësisht për padrejtësi atë që i vendosi pyetjet!
  3. Njëherit në fillim shfletoje fletën e provimit. Hulumtimet bashkëkohore këshillojnë që 10% të kohës së provimit t’i kushtohet leximit të pyetjeve me precizitet dhe thellësi, të përcaktohen fjalët e rëndësishme dhe të shpërndahet koha për pyetjet.
  4. Fillo me zgjidhjen e pyetjeve të lehta e pastaj me ato të rëndat. Nëse fillon me ato të rëndat, zgjidhja e tyre të merr në kohë pa e ndier dhe në fund mbetesh pa i zgjidhur as të lehtat e as të rëndat!
  5. Mos u ngut në të përgjigjurit e pyetjeve. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Mosngutja është nga Allahu, kurse ngutja nga shejtani.”[16]

Ai i cili nuk ngutet, mund të arrijë diçka nga nevojat e tij, kurse ai i cili ngutet, mund të gabojë.

  1. Nëse je i sigurt në zgjedhjen e përgjigjes së duhur, kujdes nga vesveset kurse, nëse nuk je i sigurt, fshije atë që mendon se është gabim, pastaj zgjidhe atë përgjigje që anon më tepër se është e saktë.
  2. Lexoji mirë instruksionet e shënuara në fletën e provimit, ji i kujdesshëm dhe mos u mundo që ta mashtrosh kontrolluesin e provimit si p.sh. duke i rrethuar dy përgjigje nga ato pyetje që t’i japin tri opsione dhe ti duhet të zgjedhësh vetëm njërën nga to.
  3. Shënoje pikën kryesore të përgjigjes në fillim të rreshtit. Zakonisht këtë e kërkon kontrolluesi i provimit, ngase mundet që përgjigjen e saktë të mos e vërejë kur e shkruan në mes rreshtave, e në veçanti kur kontrolluesi ngutet gjatë kontrollimit të provimit.
  4. Në fund, para se ta dorëzosh fletën, ndaje një kohë të mjaftueshme për t’i kontrolluar përgjigjet dhe gjatë kontrollimit mos u ngut, në veçanti tek ato pyetje që kanë të bëjnë me veprime matematikore e me numra dhe kundërshtoje qejfin e vetes që ta dorëzosh sa më shpejt fletën e provimit.
  5. Mos u ngushto kur disa nxënës dalin më herët nga provimi, e kjo të të mashtrojë që edhe ti të dalësh me ta. Dalja e tyre mund të jetë shkaku i dëshpërimit dhe i dorëzimit! Prandaj, kërko ndihmë nga Allahu dhe mos u demoralizo.
  6. Shqetësimin e provimit nga ti e largon mbështetja në Allahun, strehimi i mirë tek Allahu, besimi në caktimin e Allahut dhe marrja e shkaqeve të suksesit.
  7. Mos i kontrollo përgjigjet pasi del nga provimi. Nëse në vete ndien mbarësi, falënderoje Allahun dhe kërko nga Ai dhunti shtesë, kurse nëse ndien mangësi, ji i kënaqur me atë që e ka caktuar Allahu për ty, përpiqu më tepër në provimet e tjera dhe mos thuaj: Nëse do të veproja kështu, do të ishte kështu dhe kështu, por thuaj: Caktim i Allahut dhe Allahu çfarë dëshiron vepron.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të, thotë: “Kërko ndihmë nga Allahu dhe mos u demoralizo. Nëse të godet diçka mos thuaj: Nëse unë do të veproja kështu, do të ishte kështu dhe kështu, por thuaj: Caktim i Allahut dhe Allahu çfarë dëshiron vepron, sepse fjala ‘nëse’ ia hap dyert shejtanit.”[17]

  1. Nëse pas kryerjes së provimit e zbulon se ke gabuar në disa përgjigje, pajtohu me caktimin e Allahut dhe mos u demoralizo, kjo le të jetë mësim për në të ardhmen se përgatitja para provimi dhe mosngutja në provim janë me rëndësi.
  2. Rezultatet e provimeve nuk janë fundi i dynjasë. Mësoje veten të jesh i kënaqur me caktimin e Allahut dhe të mos zemërohesh. Kërkoje nga Allahu suksesin dhe saktësinë.
  3. Në ditët e provimeve rikujtoje provimin e madh, çfarë ke përgatitur për ahiret, për pyetjet në varr dhe si do të shpëtosh në Ditën e Kiametit?!

Sukses i vërtetë është të shpëtosh në ahiret: “…kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet)…” (Ali Imran: 185)

Allahu thotë: “Ata, që u rëndohet peshorja (e punëve të mira), janë të shpëtuar. Sa për ata që do të kenë peshore të lehta, mu ata do të jenë (njerëzit) që e kanë humbur vetveten, duke qëndruar përherë në Xhehenem.” (El-Muminun: 102-103)

Ne a jemi përgatitur si duhet për këtë provim?!

A është e hijshme që disa nxënës të shkojnë pas suksesit të provimit të dynjasë në llogari të ahiretit, e anashkalojnë namazin shkaku i angazhimit me përsëritje dhe bëjnë harame në ditët e provimeve, sipas tyre, për ta rehatuar e dëfryer shpirtin!

Vallë, a nxitojnë prindërit që t’i shpëtojnë fëmijët nga dështimi i këtij provimi, ashtu siç veprojnë në kohën e provimeve të dynjasë?!

Allahu thotë: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ata.” (Et-Tehrim: 6)

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Çdonjëri nga ju është bari dhe përgjegjës për kopenë e vet.”[18]

Po ashtu, Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Allahu e merr në pyetje çdo bari (përgjegjës) për kopenë që e ka pasur nën përgjegjësinë e tij, se a e ka mbrojtur apo e ka humbur?! Derisa ta pyesë burrin për anëtarët e familjes së tij.”[19]

Prandaj, t’ia kemi frikën Allahut në fëmijët tanë, duke i udhëzuar dhe duke i ndihmuar për në hair, duke i larguar nga sherri, krimi dhe shëmtuara e duke i shkëputur nga çdo rrugë e cila i çon në bërjen e mëkatit ndaj Allahut.

 

E lusim Allahun për sukses dhe saktësi për nxënësit dhe nxënëset myslimane. Dhe e lusim Allahun për të gjithë ne, që të na japë mbarësi në atë që Ai e do dhe që Atë e kënaq.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

 

Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

[1] Muslimi (2664).

[2] Tefsir Es-Sa’dij (fq. 869).

[3] Muslimi (477)

[4] Ebu Davudi (5095), Tirmidhiu (3426), Ibën Maxhe (3886), hadithi gjendet në Sahih Et-Tergib (1605).

[5] Imam Ahmedi (21415), shejh Albani e saktësoi në Et-Tealikat El-Hisan (450).

[6] Tirmidhiu (2457), shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

[7] Ibën Hibani (970), Bejhakiu në Ed-Da’avat (265), shejh Albani e saktësoi në Es-Sahiha (2886).

[8] Buhariu (2893).

[9] Buhariu (7505), Muslimi (2675), shtojca është tek imam Ahmedi (16016), shejh Albani e saktësoi në Sahih El-Xhami’ (4316).

[10] Shih: “Mburoja e muslimanit”, kaptina Dhikri i mëngjesit dhe i mbrëmjes – përkthimi i lutjes është marrë nga libri (sh.p)

 

[11] Shih: “Mburoja e muslimanit”, kaptina Lutjet në raste të brengosjes dhe pikëllimit – përkthimi i lutjes është marrë nga libri (sh.p)

[12] Muslimi (102).

[13] Emri ka domethënie i lehtë, lehtësim (sh.p)

[14] Buhariu (2734).

[15] Tirmidhiu (1616), shejh Albani e saktësoi.

[16] Bejhakiu në El-Kubra (104/10), Ebu Jala në Musnedin e tij (7/247), shejh Albani e saktësoi në Et-Tergib ue Et-Terhib (1572).

[17] Muslimi (2664).

[18] Buhariu (2309), Muslimi (1829).

[19] Nesaiu në El-Kubra (9129), shejh Albani e saktësoi në Sahih El-Xhami’ (1774).