POROSITË UNIVERSALE TË HAXHXHIT

Haxhi si pjesë përbërëse e jetës islame, me të gjithë simbolikën që e ka në vete, e përfshinë tërë jetën njerëzore duke filluar prej h. Ademit, përmes Ibrahimit (a. s.) deri te margaritari i fundit në zinxhirin e shpalljeve të Zotit – Muhammed Mustafaja. Sikur çdo gjë që All-llahu (xh. sh.) ka dashur t’i thotë njerëzimit është përfshirë në një – në haxhxhin.

Sot do të flasim mbi haxhillëkun si një dramë njerëzore e përgatitur nga fuqia hyjnore, e para dhe e dyta Qabeja e vendosur në qendër të Planetit – në shkretëtirë, sikurse zemra që është vendosur në qendër të trupit të njeriut. 

Haxhi është një dramë e llojit të vet që fillon me Ademin (a. s.) dhe përfundon me Ibrahimin (a. s.). Aktet e saj u japin përgjigje të gjitha pyetjeve të njeriut.

Haxhi është një dramë simbolike. Çdo dramë ka gjuhën me të cilën shfaqet, ka personalitete kryesore, vendin ku ndodh, simbolet e veta dhe aktorët.

 

– Gjuha e shfaqjes – lëvizja

 

– Personalitetet kryesor: Ibrahimi, Ismaili, Haxherja…

– Territori: Mesxhidul-Harami, Arefati, Muzdelifja, Minja

– Simbolet: Qabeja, Safa, Merve, dita dhe nata, lindja dhe perëndimi i diellit, idhulli dhe sakrifica, 

– Kostumet: Ihrami

– E aktorët? Vetëm një person.

TI!

Përfundoi akti i parë, tani ti e ke radhën. Tash ti e ke në dorë, dëshiron të ballafaqohesh me këtë dramë apo jo? Nëse po, gjëja e parë që duhet bërë është vendimi- qëllimi-nijeti. Fe idha azemte fe tevekkel alaAll-llah.

Qëllim do të thotë lëvizje dhe nënkupton drejtimin e asaj lëvizjeje. Çdo gjë është e rrumbullakët dhe sillet rreth vetes. Ti gjatë jetës tënde ke thurur fije të shumta në këtë dynja dhe ke bërë një lëmsh. Mirëpo në këtë lëmsh e ke humbur fijen tënde dhe tash nuk mund ta gjesh veten. Prandaj hiqu dyshimeve dhe vendos të lëvizësh në drejtim të vendit ku shprishet lëmshi dhe e gjesh fijen tënde dhe bëhesh aktori kryesor. Prandaj, mos e shtyj! Ka ardhur koha. Koha është për haxhin – për kthim tek Ai! Të kthyerit tek Ai do të thotë të kthyerit te perfeksioni Absolut.

Sot nuk dua të flas për ata të cilët nuk ia mësyjnë kësaj rruge për ta parë veten në pasqyrën e dramës që zhvillohet gjatë pelegrinit në haxhillëk.

Nuk është kjo dramë e vërtetë, se nuk dua që ti të kesh frikë. Kjo nuk është drama e jote. Ajo ka ndodh me mijëra vite përpara. Ne haxhinjtë vetëm simbolikisht e kujtojmë atë ngjarje, e imitojmë, e luajmë rolin e atyre që e kanë përjetuar atë.
Ne si haxhinjë jemi protagonistët e dramës së krijimit, të cilët paraqesin Ademin, Ibrahimin dhe Haxherën në antagonizëm të përhershëm me shejtanin. (//ëëë.enfal.de/hadsch.htm)

Tani ti që e ke vendosur të hysh në këtë garë të luajtjes së rolit më të mirë, çfarë duhet të bësh si fillim. Si do ta fillosh atë? 

Nuk mund të shkosh vetëm ashtu pa një parapërgatitje. Sepse do të futësh në vendet e shenjta ku ka ndodhur një histori e shenjtë në të cilën kanë marr pjesë me rolet e tyre njerëzit më të zgjedhur të Zotit (xh. sh.).

Do të shkosh në vendin e caktuar – mikat – aty do t’i heqësh rrobat tua dhe do të veshësh ihramin. Dhe në atë moment do të thuash: O Zot hoqa rrobat e mia të pluhurosura më gjynahet e dynjasë dhe njëkohësisht bashkë me to edhe dëshirën për për të bërë gjynahe. Bëhu i bardhe njëherë në jetën tënde. Vishe rrobën e thjeshtë: ihramin – pa model, zbukurim, i paqepur… pa indikacione që ti je ai, e nuk është dikush tjetër.

Ke veshur rrobën të cilën do ta veshin ty kur të vdesësh. Përfito nga rasti.

Vdis para vdekjes!

Haxhi është rasti yt – vdekje që frymon.

E ke filluar haxhin, shenjë e kthimit të njerëzimit kah All-llahu (xh. sh.) E ke veshur ihramin, rrobën e shenjtërisë, i ke falur dy rekate dhe e ke bërë nijet. 

Një thënie popullore u thotë: “Kush nuk e merr Qabenë me vete prej këtu nuk do ta gjejë në Mekke.”

Çka do të thotë kjo në të vërtetë?

Kjo do të thotë, nëse hapësira e Arabisë është zemra e botës dhe në të Qabeja, secili prej nesh duhet të ndërtojë Qabenë në zemrën e vet nëse dëshiron ta gjejë në Mekke. Si ta bëjmë tani lidhjen e zemrës me luginën e thatë, me shkretëtirën. Kur e dëgjojmë fjalën shkretëtirë në kokën tonë automatikisht formohet pamja e një hapësire të pafundme ranore në të cilën s’ka gjë as njeri dhe në atë vend All-llahu (xh. sh.) ndërton shtëpinë e Vet. Po kështu edhe ne duhet të ndërtojmë shkretëtirën në zemrën tonë, ta pastrojmë nga çdo gjë dhe nga çdokush dhe pastaj në të të ndërtojmë një Qabe për All-llahun Një dhe të Vetëm ose edhe më mirë tërë zemra të shndërrohet në Qabe.

Përse pikërisht në zemër, përse jo në tru për shembull?

Për arsye se Pejgamberi (s) për zemrën thotë si vijon: “Me të vërtetë në çdo trup ka një copë mishi, nëse ajo është në rregull i tërë trupi do të jetë në rregull, e nëse ajo prishet, prishet i tërë trupi, ajo është zemra.” (4) (Muttefekun alejh)
Prandaj zemra, sepse ajo është qendra e trupit, sepse ajo komandon tërë trupin dhe nëse ajo është në rregull, në rregull dot jetë tërë trupi dhe anasjelltas. Prej se varet kjo? Si do ta bëjmë që të jetë në rregull ?Kjo varet prej dy organeve tjera, prej dy copave tjera të mishit në organizmin e njeriut për të cilat Pejgamberi i All-llahut (s) thotë:

“Kush më garanton për dy gjëra, unë ia garantoj Xhennetin. Ajo është gjuha dhe organi seksual.” Prej këtyre dy organeve varet nëse Qabeja jonë do të jetë e ndërtuar në zemër apo do të jetë e shkatërruar dhe a do ta fitojmë Xhennetin. Nëse e ruajmë gjuhën dhe organin seksual Pejgamberi (s) na garanton Xhennetin, e nëse jo Xhehennemin. Mjafton vetëm njërin prej këtyre organeve të mos e ruajmë e që Qabeja jonë të shndërrohet në pluhur e Xhenneti ynë në Xhehennem. Këtë na e vërteton rasti i një gruaja nga koha e Pejgamberit ët All-llahut (s), e cila ditën agjëronte natën falej, por kishte sjellje të keqe, shqetësonte fqinjët me gjuhën e saj, e Pejgamberi (a.s.) tha: “Nuk ka hajr prej saj, ajo do të jetë prej banorëve të zjarrit.” (5) (muttefekun alejh)

Agjëronte më shumë se është e obliguar, falte nafile, por nuk e ruante gjuhën e vet dhe do të jetë në Xhehennem.

Të nderuar vëllezër besimtar ky, pra është hapi i parë, ndoshta edhe më i vështiri për të hyrë në ato vende, në të cilat ndodhi tërë jeta njerëzore dhe historia e shenjtë e njerëzimit. 

Por, rrëfimi ynë na çoi në drejtim tjetër, ai i cili është nisur për në Qabe është armatosur, nëse do Zoti, me dituri të mirë dhe ahlak, ka kaluar rrugë të gjatë, ka qenë në mikat, e ka veshur ihramin, rrobat e shenjtërisë dhe tani, nëse je prej të tillëve, gjendesh në pragun e Mesxhidul Haramit. Qabeja është para teje. Në mes të hapësirës së pambuluar një dhomë e zbrazët. S’ka arkitekturë – art me të cilin je mësuar. Copa guri të errët të marra nga mali Ajun në afërsi të Mekkës të vendosura thjeshtë në formën e kubit. 

Kubi?

Gjashtë drejtime: Lindja, perëndimi, veriu, jugu, lartë, poshtë. Të gjitha drejtimet do të thotë të qenit pa drejtim! Gjithkund dhe askund! Në të gjitha drejtimet dhe në asnjë! Ose kur mendosh; të gjitha drejtimet tregojnë për një, për drejtimin drejt Zotit të botëve. (6) E di që kur je udhëtar e shkurtosh namazin, por këtë këtu nuk e bën. Kjo është shtëpia e All-llahut, askush përveç Tij mbi të nuk ka pushtet e ti ke ardhur tek Ai në vizitë kështu që ajo është bërë shtëpia jote. Qëndrosh në oborrin e Qabesë dhe kujtohesh me lot në sy dhe me buzët që shprehin lutjet. Aty hazreti Haxherja mbeti vetëm dhe me fëmijën e vogël në kraharor. Nuk mendonte si do të mbijetojë në shkretëtirë, në luginën pa ujë. Vetëm pyeti a është ky urdhri i All-llahut dhe iu nënshtrua. Ti je në vendin e nënshtrimit ndaj All-llahut (xh. sh.)

Shiko! Në perëndim të Qabesë ka diçka që ndërron formën e saj dhe i jep drejtim. Ajo është Hixhre Ismail. Vendi ku ka qenë shtëpia e Haxherës. A tregon All-llahu për të kur na urdhëron që duke vizituar shtëpinë e Tij duhet të vizitojmë edhe shtëpinë e saj. Çdo gjë është e përshkuar nga kujtesa e saj. Haxherës! Etiopianës së zezë, e gruas, skllaves së gruas. I shikosh mbretërit dhe pasanikët të cilët duke bërë tavaf me lëvizjen e tyre dëshmojnë se as me reputacion as me fisnikëri, as me fuqi-pushtet, as me pasuri nuk arrihet afërsia e All-llahut nëse nuk e kanë atë që e ka Haxherja; nënshtrimin dhe robërimin! I shikosh të varfrit si e kuptojnë që varfëria e tyre nuk është pengesë që t’i afrohen Zotit të gjithë botëve. Mëso prej shembullit të hazreti Haxherës! Ajo është ushtar i zgjedhur në nacionin (kombin ) e monoteizmit. Tregues që edhe krijesa më poshtëruar – sipas mendimit tonë, te All-llahu mund të fitojë shkallën më të lartë me robërimin dhe nënshtrimin e vet. Nëse e ke kuptuar vendin dhe kohën bëre nijet dhe hy në tavaf! Nuk je i vetëm, ti i vetëm nuk ekzistosh. Ti ekziston në ummet – në shoqëri. Në botën e jashtme edhe ti edhe ata të cilët bëjnë tavaf me ty jeni njerëz; Hasani ose Hyseni; burr ose grua; lindor ose perëndimor… Këtu të gjitha realitetet janë fshirë. Tani vetëm njerëzit bëjnë tavaf rreth Qabesë, vetëm njerëzit dhe askush tjetër. Kur je nisur në haxh ti ke qenë përrua, në mikat je derdhur në lum e tani je në deti. Këtu ti i bashkëngjitësh sistemit të kozmosit.

Nëse dashuria mund të përshkruhet me lëvizje, cila do të ishte ajo lëvizje?

Flutura për këtë na ka mësuar shumë kohë më parë. Qabeja është qendër e dashurisë. Ti je gjilpëra e busullës që tregon rrugën dhe drejtimin e vërtetë. Sillesh: Tërë jeta është një rreth. Dynjaja është dever. Të gjithë jemi të Zotit dhe të gjithë tek Ai kthehemi. Lëvizjet tua këtë e vërtetojnë. Për këtë Haxherja na ka mësuar: All-llahu e urdhëron që ta marrë fëmijën dhe te largohet nga vendi i civilizimit drejt luginës së thatë ku edhe bimët kanë frikë të mbijnë. Ajo plotësisht i bindet dhe e zbaton urdhrin. Urdhër të cilin vetëm dashuria mund ta konceptoj dhe ta pranoj.

Bëji shtatë rrotullime. Shtatëshe-ja na përkujton krijimin e kozmosit.

E ti?

A nuk e ndjen veten duke u rrotullua rreth Qabesë si një atom i kozmosit? Ky është interpretimi i botëkuptimit monoteist përmes lëvizjes… Lëviz dhe vetëm lëviz. Lëviz drejtë Atij që vë çdo gjë në lëvizje…

(Pjesë e shkëputur nga libri në pergatitje:”Porosite universale te Haxhxhit”)