PËRPARA SE T’I DREJTOHESH KËRCËNIMIT

Shumë baballarë dhe nëna përdorin metodën e kërcënimit me fëmijët e tyre, ose për t’i nxitur për të zbatuar një urdhër, ose për t’i ndaluar nga një veprim jo i pranueshëm. 

Kërcënimi nuk vlerësohet –në shumicën e rasteve- si një metodë edukuese e suksesshme, sepse ai nuk e nxit fëmijën për t’iu bindur urdhrave të prindërve në mënyrë të pranueshme dhe të kënaqshme për të, dhe kjo si rezultat i zbatimit të tyre në formë detyruese prej tyre.

Madje kërcënimi nuk na ndihmon në thyerjen e kundërshtimit tek disa fëmijë që binden me vështirësi, apo kur shtysat e tyre psikologjike janë të atilla që e nxisin atë për të praktikuar sjellje, që e bëjnë të bjerë në sy dhe të tërheqin vëmendjen e të tjerëve, ku ndër to bën pjesë inati i mbështetur me kërcënime. Për këtë arsye nuk është e përshtatshme që prindërit –dhe edukuesit në përgjithësi- t’i drejtohen kërcënimit për çdo veprim të madh dhe të vogël. Ndonjëherë dëgjojmë disa prindër, që përsërisin kërcënime të tilla si: “Nëse të dëgjoj edhe një herë tjetër ta ngresh zërin do ta thyej kokën”, ose dëgjojmë nënën të përsërit fjalët: “Pasha Allahun! Nuk do të marr me vete tek lojërat, nëse nuk e ha ushqimin”, siç mund të dëgjojmë edhe disa prindër të tjerë, që kërkojnë prej një fëmije dy vjeçar që të mos e derdhë lëngun mbi rroba, kur ai pi nga një gotë e hapur, në rast se nuk i shkon për shtat t’i thuhet: “Nëse e derdh lëngun edhe një herë tjetër nuk do të marr në lulishte.”

Gjërat përkeqësohen edhe më, atëherë kur kërcënimet shoqërohen me të bërtitura, me zë të lartë, ose me shikime që mund të jenë të frikshme. Fëmija i shikon të dy prindërit e vet, si burim dashurie, mirësie dhe butësie, dhe nëse prej gojës së tyre dalin shprehje të frikshme, fëmija do të shtanget nga ky ndryshim i shpejtë, gjë që e bën të humbë qëndrueshmërinë shpirtërore brenda shtëpisë së tij, një fenomen ky që mund të thellojë problemin e mosbindjes ndaj urdhrave. Situata mund të shkojë më tej –nëse kjo ndjesi e fëmijës forcohet – drejt problemeve më të mëdha.

Përdorimi i kërcënimit duhet të jetë një çështje e mirëplanifikuar më parë, në mënyrë që të japë frytet e veta pozitive për prindërit dhe fëmijën. Për këtë është e domosdoshme, që prindërit të luajnë rolin e tyre edukues fillimisht, përpara se të presin prej fëmijës së tyre që të ndjekë direktivat e dhëna, ose që të sillet në mënyrë të pëlqyeshme para të tjerëve. Që mundësitë e bashkëpunimit mes prindërve dhe fëmijës të shtohen duhet që prindërit të veprojnë si më poshtë:

– Mësimi i fëmijës fillimisht në një shkallë të mjaftueshme, duke u siguruar që ai ka kuptuar atë që ata dëshirojnë prej tij në mënyrë të qartë, sepse nuk është e logjikshme, që një baba të kërkojë prej një fëmije katërvjeçar që të mos t’i tregojë asnjë sekret të fëmijëve të tjerë. Fëmija është një qenie shoqërore dhe ai shpreh atë që i vjen ndërmend me pafajësi të plotë. Për këtë arsye ai mundohet që të tërheqë vëmendjen e të tjerëve duke iu treguar atyre gjëra tërheqëse që i ka parë ose dëgjuar. Kjo mund të përbëjë një shkak për zemërimin e prindërve me të.

– Siguria nëse ai fëmijë ka mundësi të zbatojë atë sjellje në mënyrë të logjikshme, sepse çdo moshë shoqërohet me aftësi që përshtaten me nivelin e rritjes mendore, trupore, dinamike dhe disiplinore. Për këtë arsye nuk pritet që fëmija t’i bindet urdhrit të nënës për të mos marrë nga ëmbëlsira që i serviret nga shoqja e saj mikpritëse bashkë me kafenë.

– Dhënia e një mundësie për të korrigjuar sjelljen e tij. Kur fëmija bën një gabim jo të qëllimshëm është me vend që prindërit t’i shpjegojnë atij se kjo sjellje është gabim. Kështu kur fëmija godet vëllanë e tij më të vogël, ne duhet të kërkojmë prej tij që t’i kërkojë falje, ta puthë dhe ta përqafojë të vëllanë.

– Sigurimi për mosprezencën e nxitësve të fortë, të cilat e shtyjnë fëmijën drejt kësaj sjellje. Fëmijët zotërojnë energji të lartë, e cila duhet të shkarkohet në mënyrën e duhur, në të kundërt ajo mund të shkarkohet në mënyrë negative, si p.sh.: Provokimi i vëllait nga ana e fëmijës më të vogël gjatë zgjidhjes së detyrave shkollore, ku hutimi i fëmijës më të vogël me gjëra të vogla do të jepte garanci për zgjidhjen e problemit.

Shumë studime që merren me sjelljen e fëmijëve aludojnë se kërcënimet e shumta që i bëjnë prindërit fëmijës së tyre –ose edukuesit në përgjithësi- e bëjnë atë më pak bashkëveprues me kalimin e kohës dhe ndoshta i forcojnë zemërimin përbrenda, ose i falin një krenari që e bën të kuptuarin me të më të vështirë, ashtu si dhe shumë kërcënime e bëjnë fëmijën të mos ndjejë siguri, se është i ekspozuar ndaj rrezikut të privimit, ose ndëshkimit, sa herë që bën diçka që nuk i pëlqen prindërve. Këto ndjesi bëjnë që në përfundim fëmija ta shohë veten me syrin negativ, që e privon nga ndjesia e të qenit i dashur nga prindërit e tij, ose nga ndjesia e të qenit një fëmijë natyral, si gjithë të tjerët, që e përjetojnë fëmijërinë e tyre në një mjedis plot familjaritet dhe dashuri.

Por mospraktikimi i kërcënimit nuk do të thotë t’i lëshosh frerët fëmijës. Është me rëndësi që fëmija të kuptojë se sjellja e gabuar është e refuzuar plotësisht. Kur fëmija e mëson këtë, ndoshta përpiqet që ta thyejë këtë rregull duke vënë në provë prindërit e tij dhe duke njohur kështu reagimin që do të shfaqin ata karshi thyerjes së urdhrave të tyre. Cila është zgjidhja në këtë rast?! A është më mirë t’i drejtohesh kërcënimit, apo të japësh ndëshkimin menjëherë?!

Zgjidhja shembullore në këtë rast nuk qëndron tek këto dy sjellje, edhe pse ato përbëjnë rastet më të përhapura tek baballarët dhe nënat, madje për mësimin e fëmijës padyshim duket të ketë pasoja për sjelljen e mirë dhe pasoja për sjelljen e keqe. Ekziston mundësia që fëmijës t’i thuhet jo në kohën e bërjes së gabimit, se agresiviteti me fjalë ose me trup kundër të tjerëve nuk është i pranueshëm. Kështu, ai që vepron në këtë mënyrë do t’i tërhiqet vërejtja herën e parë dhe nëse e përsërit për herë të dytë, do të kërkohet prej tij që të mbyllet në dhomën e tij për një gjysmë ore dhe pas kërkimit të faljes, ai mund të dalë prej andej. Nëse përsëritet për herë të tretë, ndëshkimi do të jetë privimi i tij nga shikimi i televizorit për një ditë të plotë –për shembull- ose privimi i tij nga shoqëria e vëllezërve që do të shkojnë tek lojërat.

Gjithashtu është me rëndësi –që të përforcojmë sjelljen pozitive tek fëmija- që të zbatojmë atë që themi. Kur e paralajmërojmë fëmijën se ndëshkimi i kësaj vepre do të jetë kjo dhe kjo, fëmija duhet ta marrë ndëshkimin dhe ta përjetojë atë, në mënyrë që ai ndëshkim ta zmbrapsë nga përsëritja e gabimit herë tjetër. Kështu, bëhet e ditur se çështja nuk është thjesht një e bërtitur, gjurma e së cilës fshihet me t’u qetësuar nervat dhe e harrojmë. Nuk duhet që të na vënë poshtë ndjenjat tona, duke e falur fëmijën kur ai kërkon falje, ose kur shohim lotët që rrjedhin në faqet e tij. Por në të njëjtën kohë ne nuk duhet t’i tregojmë fëmijës, se po e trajtojmë ndryshe nga vëllezërit e tij, por t’ia bëjmë të qartë se ai po ndëshkohet vetëm për shkak të sjelljes që e meriton të ndëshkohet. Është e dobishme që kur fëmija të qetësohet, duhet që njëri nga prindërit –preferohet ai që nuk ka dhënë ndëshkimin- t’ia bëjë të qartë fëmijës se sjellja e treguar prej tij është e papranueshme dhe se ai duhet të kërkojë falje për të para të gjithë atyre që u prekën prej saj.

Nga arabishtja: Genc Plumbi